Një cikël fotografish vjen si një udhëtim përmes vendeve të braktisura të Shqipërisë socialiste, vende që dikur ishin simbole të një regjimi totalitar, ndërsa sot janë emblemë e sfidës së institucioneve dhe shoqërisë shqiptare në përballjen me të shkuarën e mundimshme të regjimit. Shumë shpesh, e shkuara socialiste e Shqipërisë qëndron e pa vënë re.
Por mbetet gjithsesi në mendjet dhe kujtimet e njerëzve, merr trajtën e frikës dhe padrejtësive të mbetura të pandëshkuara. Një e shkuar thjesht e pathënë, e larguar nga drita e diellit, nga drita e ndërgjegjes.
Veçse ndonjëherë kthehet natën për t’iu fanitur të mbijetuarve. Godinat e fotografuara rrëfejnë këtë të shkuar që hiqet si e harruar. Ato lartësohen në vijën e horizontit të qytetit apo shndërrojnë territorin përreth.
Janë godina të harruara – të pashembura e të pashfrytëzuara për qëllime të tjera. Shpesh janë pa pronarë dhe numri i saktë nuk njihet.
Së bashku, përfaqësojnë të gjitha aspektet e jetës sociale dhe politike gjatë regjimit: industrinë, godinat ushtarake, sistemin hekurudhor, aeroportet, minierat, burgjet, kampet e punës, radiostacionet, statujat, monumentet dhe mauzoletë, rezidencat për nomenklaturën, vendet e pushimit, shkruan Mapo.
The post Vendet e braktisura komuniste në Shqipëri appeared first on Lajminet.