28,03,2024

Si e ndiqte ish-të dashurën polici i patrullës

Must Read

Vajza, edhe ajo police në Krujë, kishte denoncuar 24-vjeçarin, i cili është pikërisht në foton që shihni. Ata e kishin nisur lidhjen e tyre të dashurisë më 2014-ën, por kjo lidhje mori përmasa të tjera.

Me kërkesë të Prokurorisë së Krujës, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Lumian Meta, me detyrë oficer i patrullës policore të Komisariatit nr.1 në Tiranë, i dyshuar për veprën penale të “Përndjekjes” në dëm të ish-të dashurës së tij, shtetases S. B, gjithashtu efektive policie në Komisariatin e Krujës. Vendimi i Gjykatës është zbatuar nga ana e oficerëve të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme.

Prokuroria e Krujës e ka nisur hetimin në bazë të materialit referues të Shërbimit për Çështje të Brendshme në dt. 14.06.2016. Në bazë të veprimeve hetimore, ka rezultuar se i dyshuari nuk ka pranuar faktin e ndërprerjes së marrëdhënies intime me të dëmtuarën. Për këtë arsye, ai e ka përndjekur dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj në disa raste të përsëritura.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se i dyshuari dhe e dëmtuara kanë nisur lidhje dashurore në vitin 2014, gjatë studimeve në Akademinë e Policisë. Kjo lidhje ka vijuar deri në janar 2016. Në këtë kohë, e dëmtuara S.B. ka refuzuar të vijojë lidhjen intime, për shkak se, sipas saj, i dyshuari ushtronte dhunë sistematike. Prej janarit 2016 e në vijim, i dyshuari e ka përndjekur, dhunuar dhe kërcënuar në mënyrë sistematike, me qëllim që lidhja e tyre të rifillonte. E dëmtuara nuk ka pranuar në asnjë rast dhe kjo sjellje e ka shndërruar në objekt dhune nga ish- i dashuri.

Në disa raste, dhuna psikologjike ndaj të dëmtuarës ka ndodhur edhe në praninë e kolegëve të tjerë të policisë.

Në këto kushte, Prokuroria e Krujës ka krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Lumian Meta ka konsumuar elementët e veprës penale “Përndjekja”. Për këtë arsye, nga ana e Prokurorisë së Krujës, u kërkua caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, e cila u pranua nga Gjykata e Krujës dhe ai u arrestua mesditën e së mërkurës.

 

The post Si e ndiqte ish-të dashurën polici i patrullës appeared first on Lajminet.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img