28,03,2024

Parku i Lurës, perla që kërkon të rilindë (Video)

Must Read
Parku i Lures

Ndryshe nga një pjesë e madhe e Shqipërisë, që prej javësh po kalon një klimë të butë e të ngrohtë, Lura mahnit me realitetin e saj. Të shkosh deri në zonën e liqeneve është e pamundur. Rruga vazhdon të jetë e bllokuar nga dëbora.

Por bora nuk fsheh dot gjurmët e krimit. Bilanci zyrtar i dëmeve? Nga mëse 1.049 hektarë, që dikur llogaritej si sipërfaqe pyjore, mëse 40 për qind është prerë, dëmtuar apo djegur.

“Kjo pasojë ka ardhur nga shumë faktorë. Në fakt edhe lurasit vet e kanë dëmtuar, por edhe mbrojtja e këtyre nuk ka qenë nga lurasit. Ka qenë nga njerëz të ardhur, që nuk e çanin shumë kokën se çfarë bëhet në Lurë”, thotë Nebi Hoti.

Shkatërrimi i ekosistemit është ndierë edhe te liqenet akullnajore, që përbëjnë ndoshta pjesën më të veçantë të këtij parku. Ata zënë mëse 26.6 hektarë të hapësirës së përgjithshme të tij. Duket një histori e largët, koha kur këtu lëvizte gjitari më i madh në vend: ariu i murrmë; ashtu sikurse rrëqebulli, zardafi, kaprollët apo sorkadhet, e po ashtu gjeli i egër. Të gjitha kanë qenë specie që jetonin në numër të konsiderueshëm në Lurë, e që sot janë zhdukur.

Por, tashmë jo gjithçka është gri. Mes trungjeve të prerë ka jetë, ose më mirë ajo po përpiqet të rilindë mes shkatërrimit. Janë ende gjurmë të vogla, por që tregojnë dëshirën e natyrës për të rimarrë frymë, për të shëruar e mbyllur plagët, duke i dhënë këtij vendi shpresë për rikthimin e fytyrës së dikurshme.

“Pemët e reja kanë filluar atje poshtë, po bëhen shumë dhe kanë filluar të rriten. Për 10 vite ato bëhen pyll, në të cilin s’futesh dot me lehtësi. Ne këtë duam prej shtetit dhe prej lurasit tonë, që të bëhemi të gjithë e të mos lejojmë që të prishet mali”, thotë Gani Bruci.

Moratoriumi i pyjeve i ka dhënë një mundësi jete Parkut Kombëtar, që ka nisur – edhe pse në fazat fillestare, – një rigjenerim të tijin. Shpërndarja e natyrshme e farave ka nisur të japë disa rezultate sado të vogla. Kjo ka kthyer buzëqeshjen edhe te banorët.

“Kur shikojmë filizat që po dalin dhe është duke u ripërtërië, ne gëzohemi dhe kemi shpresë, rritet shpresa përditë”, thotë Nazmi Skana.

“Ishte shumë i nevojshëm dhe i domosdoshëm moratoriumi i pyjeve, gjë që ka ndikuar menjëherë. Me këtë moratorium do të ecë puna shumë mirë, pasi nuk ka prerje dhe nuk mund të ketë më prerje”, thotë Imer Mena.

Në ato pjesë ku situata është më e vështirë, ripyllëzimi është ndihmuar edhe me fidanë të rinj. Procesi, në mbështetje të atij tërësisht natyror, parashikon mbjelljen e mëse dy milionë të tillëve në zona të ndryshme të Parkut Kombëtar.

“Shteti shqiptar ka investuar në këtë drejtim. Ky është projekti i parë, teksa është investuar në një sipërfaqe prej 20.6 hektarësh me lloje të ndryshme halorësh, siç është pisha e zezë, ardeni, hartina, që janë mbjellur. Kemi mbjellë 45.860 fidanë gjithsej”, thotë Mehdi Shtrezi, specialist i zonës së mbrojtur.

Sigurisht që është herët të flasësh për rikthimin e Lurës në gjendjen fillestare, sepse për 25 vite janë prerë pemë me moshë qindravjeçare. Megjithatë, specialistët mendojnë se në stadin aktual, duke e ndihmuar parkun në forma të ndryshme, gjërat mund të ndryshojnë, edhe pse ndryshimi do të ndihet pas shumë kohësh.

“Për ta ndihmuar pak filezerinë, ne si specialistë mendojmë që në vendet ku ka shumë mbeturina, ato duhet të hiqen dhe ndoshta një gërvishtje duke hedhur farë. Kjo sepse, krahasuar me pyllëzimin me fidanë, pyllëzimi me farë është më i leverdisshëm. Normalisht kjo është e mbuluar me halorë dhe një i tillë për të arritur në moshën madhore i duhen rreth 100 vite. Por instalimi i filezerisë mund të bëhet në një periudhë më të shpejtë 20-30 vjeçare dhe me qëllimin për zonat e mbrojtura. Pra për krijimin e një imazhi besojmë se, për 20-30 vite, Lura krijon tamam pamjen e një parku të vërtetë”, thotë Shkëlqim Hasa, shef i monitorimit në zonat e mbrojtura, Dibër.

Lura është një mundësi jo thjesht për rreth 1.500 banorët që jetojnë gjatë gjithë vitit në këtë fshat të vjetër, por edhe për të gjithë ekonominë e zonës përreth, e më gjerë. Ka mjaftueshëm vende historike e arkeologjike, kulturore e tradicionale, sa të konsiderohet si një nga perlat e Ballkanit, siç e cilësonte Edith Durham, por dhe rilindasit tanë.

“Kush do të shikojë Shqipërinë, duhet të vijë të shikojë Lurën”, thoshte dikur At Gjergj Fishta, duke e lidhur me bukuritë që kishte ky vend. E në fakt, fati i Lurës ka ecur gjithmonë paralel me atë të Shqipërisë. Edhe sot, të dyja po kërkojnë të ringrihen. /TopChannel

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=UJ2Bin7bDWw?feature=oembed&w=640&h=360]

The post Parku i Lurës, perla që kërkon të rilindë (Video) appeared first on Lajminet.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img