Uncategorized

Hasani nga Kosova që ka lidhur jetën me plazhin e Darëzezës


Publikuar më:


Kur fusha e Hoxharës, – që shtrihet nga bregu i lumit Seman në veri, deri në lumin Vjosë në jug dhe nga deti Adriatik në perëndim, deri në kodrat e Apolonisë në lindje, iu nënshtrua procesit të tharjes së kënetave, askush nuk e dinte që do të ndërtoheshin dy qendra të reja banimi, Hoxhara e Re dhe Darëzeza.

Nëse fshati i parë do të popullohej në të shumtën e vet nga banorë që ishin “syri i keq” i regjimit, pra të internuarit, fshati i dytë do të popullonte buzën e detit në vitin 1988. Të parët u zgjodhën nga listat famëkeqe të njerëzve me sjellje jo të mirë të regjimit. Të dytët u sollën nga shpërngulja prej trojeve të tyre shekullore, nga Darëzeza e Dushkut në Gramsh.

Ndërtimi i Hidrocentralit të Banjës e përmbyti fshatin e tyre. Me vendim të qeverisë së asaj kohe, banorët filluan një jetë të re buzë rërës së pastër dhe masivit me pyje pishe të mbjella në afërsi të detit Adriatik. Për të mos e harruar fshatin ku u rritën prej brezash gjysh pas gjyshi, ata i vendosën fshatit të ri, emrin e vjetër, Darëzezë.

Dhe plazhi që shtrihet tashmë në këtë zonë quhet Plazhi i Darëzezës. Në këtë plazh prej vitesh vijnë të pushojnë plazhistë nga Fieri, Berati, Gramshi, etj. Por vijnë edhe banorët e Hoxharës, të internuarit e djeshëm. Plazhi ka vend për të gjithë. Ai ka rërën kurative që duhet mirëmbajtur dhe pastruar, por edhe ujin e detit, i cili ndër vite ka vuajtur pasojat e ndotjes nga hidrokarburet që derdh sektori i naftës.

Ky vend ka mjaft resurse turistike, që nga ato që ofron natyra e Darëzezës, siç janë masivi pyjor dhe pishat shumëvjeçare, apo monumentet e kulturës (fare afër kësaj zone, ndodhet Apolonia e lashtë). Megjithatë strukturat e pushtetit vendor në qarkun e Fierit, si dhe operatorët turistikë duket se edhe për këtë vit janë gjetur të papërgatitur.

Të gjithë ata që duan të operojnë në fushën e turizmit nuk kanë mundur t’i japin vlerë, të përfitojnë nga shërbimet e turizmit, punësimi apo nxitja e zhvillimit të biznesit. Darëzeza mbetet një fushë e madhe e paanë, një zonë ku turizmi nuk shfrytë- zohet. Për të shkuar në Darëzezë, rruga nga Fieri deri në Dërmenas është në gjendje të shkatërruar, shkruan shekulli.

Ndërsa pjesa tjetër ofron mundësi për të kaluar dhe udhëtuar disi më qetë. Bregdeti, i veshur me pyje e shkurre, është një tjetër mrekulli e ofruar nga natyra. Dhe të imagjinohet që në këtë plazh, me rërë kurative të kërkuar, por jo të mirëpastruar, numri i pushuesve në sezonin që kaloi shkoi më shumë se 45 000 mijë.

Turizmi, kosovari që nuk e tradhton Darëzezën, biznes dhe pushime në plazh

Ibish Hasani, 58 vjeç, është nga Ramnishti, komuna e Vitisë, Kosovë. Prej gjashtë vjetësh viziton Plazhin e Darëzezës. Dhe nuk tërhiqet. Ka ndërtuar një lokal të vogël ku rri së bashku me bashkëshorten e vet. Vjen nga Kosova në mes të muajit maj dhe largohet në fund të muajit gusht.

“Jam mrekulluar dhe dashuruar me këtë bregdet. Nuk e ndërroj me asnjë bregdet në botë. E them me bindje këtë fjalë. Kjo rërë më ka bërë shumë mirë. Vuaja jashtëzakonisht nga reumatizma. Kam qarë nga dhimbjet e eshtrave. Darëzeza më ka kthyer buzëqeshjen. Po, po. Kur kam ardhur për herë të parë, jam futur në rërë dhe kam qëndruar çdo ditë i zhytur në këtë rërë. Shkoja deri në një orë i mbuluar tërësisht. Fillimisht më iku dhimbja e kokës. Pastaj dhimbja e eshtrave. Shërimin tim e kam gjetur këtu, në këtë plazh, që duket se është i zhveshur, por të vesh me jetë. Pastaj erdha çdo vit”, deklaron Hasani.

Ai thotë se ka ndërtuar lokalin me dërrasa sipas ligjeve në fuqi, ku shërben vetëm kafe dhe qëndron me gruan.

“Pushoj mes rërës dhe detit. Kam investuar 15 mijë euro. Këtu ka mjaft probleme. Unë e punoj vetë rërën, pastroj vetë plazhin dhe mbi të gjitha, kam blerë gjenerator. Edhe pse s’kam energji elektrike nuk mund të rri në terr. Është krim që të mos investohet këtu. Dua të marr pasaportën shqiptare. Po pres. Por sërish jam shqiptar, sepse jetën e kam të mbrojtur në këtë plazh dhe ky plazh më ka shëruar”, përfundon Ibish Hasani.

The post Hasani nga Kosova që ka lidhur jetën me plazhin e Darëzezës appeared first on Lajminet.

Comments
To Top