06,05,2024

Debati për arsim në parlamentin e Kosovës i ngjashëm në aspektin deklarativ me platformën politike për Kosovën në vitin 1981

Must Read

Në vitet 90-ta një bashkatdhetar nga Deçani me vendqëndrim në Gjermani, në një bashkëbisedim me ambasadorin e Shqipërisë, i kishte thënë këtij të fundit se në odën prej 30 burrash ndejën mund ta prishin vetëm dy vetë. Dhe kur ambasadori e pyeti se cilët janë ata ai shkurt u përgjigj: I mençuri dhe budallai . Kur ai pyeti se pse pikërisht këta dy, Deçanasi u përgjigj: I mençuri duhet të flas e udhëzoj, ai hesht, e budallai që duhet të dëgjoj dhe hesht, ai flet dhe udhëzon pa u ndal.
Edhe në rastin konkret te ne në vend se sistemin arsimor ta procesoj dhe orientoj akademia e arteve dhe shkencave të Kosovës, atë po e ofendon dhe kryqëzon skajshmërisht parlamenti i Kosovës. Mekanizëm ky i cili tash e dy vite sallën e tij të punës po e mban në tym dhe ofendime nga më banalet në mes të grupeve pozitare dhe opozitare.
Kur dëgjon ligjërime argumentime dhe rënkime për gjoja cilësinë e ulët në arsim, se këto ose ato janë defektet e sistemit arsimor, mandej se këta ose ata individ kanë përgjegjësi e deri te thirrjet e analistëve për të mos i dërguar fëmijët në shkollë se ata bëhen kriminel, të kujton vitin 1981 kur menjëherë pas demonstratave të Marsit dhe Prillit, kreu i Jugosllavisë, i dirigjuar nga Lazar Kolishevski propozoi dhe nxori platformën politike për diferencimin ideopolitik fillimisht në universitet e mandej në tërë sistemin arsimor të Kosovës.
E si mund të kuptohet ndryshe deklarata e shpërfaqur në parlament ku kërkohet të miratohet një ligj për pensionimin e parakohshëm të punëtorëve arsimor. Përkujtojmë këtu që një ligj tërësisht të njëjtë e kishte përgatitur Serbia në vitin 1989 për pensionimin e parakohshëm të punëtorëve arsimor shqiptarë. Një nga kërkesat e grevave të minatorëve dhe gjithë punonjësve në Kosovë në Shkurt të vitit 1989 ishte përpos mos ndryshimit të kushtetutës edhe për pezullimin e atij ligji.
Sociologu gjerman Marks Veber kishte konstatua se asnjëherë nuk do të kemi njohje të plotë dhe të sigurt të fenomenit nëse atë nuk e studiojmë në tërësi.
Edhe në rastin konkret trupi arsimor nuk mund të shfajësohet nëse rezultati në mësim është i ulët por gjithashtu zgjidhje të problemit nuk do të ketë nëse ai ngarkohen me përgjegjësi të cilën realisht nuk i meritojnë.
Dikur shkencëtarët që merreshin me studimin e njeriut kishin konstatuar se formimin e personalitetit të njeriut e përbëjnë tre faktorë 1. Trashëgimi, 2. Ambienti, 3. Aktiviteti . Tani shkencëtarët e parlamentit dhe ekspertët llaskuc të politikës e kanë kërrusur këtë formulë duke i dhënë gjithashtu karakter triadik: prind nxënës dhe arsimtarë dhe për çudi vetëm ky faktori i fundit qenka fajtor për mossukses. Kurse prindërit dhe nxënësi nuk kanë kurrfarë përgjegjësie qoftë edhe kur nxënësi shkon në shkollë me kallashnikov dhe i merr jetën një njeriu tjetër siç ndodhi para pak ditësh në komunën e Mitrovicës,mandej edhe kur konsumon dhe shpërndan substanca narkotike.

E pse mos të bëjë nxënësi një veprim të tillë kur shef fyerje, gazin lotsjellës shprehin në kupolën e shtetit që është parlamenti e të tjera veprime të pista antinjerëzore.

Ndoshta do të ishte e ndershme që parlamenti të vepronte me dyer të mbyllura në mënyrë që të mos shpërfaqeshin turpi dhe dhuna as në opinionin e brendshëm dhe as në atë ndërkombëtarë.
Për hir të së vërtetës pavarësisht spekulimeve në parlament dhe gjithandej ku ka fjalë pa përgjegjësi. Kosova ka nxënës të shkëlqyer në fushën e dijes, por atyre ua vënë prangat politika.
Në qoftë se jemi aq të dobët në sistemin arsimorë, atëherë pse ndodhë që në çdo klinikë gjermane të ketë së paku një operator shqiptarë. Apo ndoshta këta të suksesshmit vetë kanë lindur të ditur e për ata që nuk zotërojnë dije të mjaftueshme, fajtor është sistemi arsimor.
Sipas bindjes sonë motivin për të mësuar në Kosovë e vrasin dy faktorë shumë të fuqishëm. Në njërën anë anatemimi dhe injorimi i njerëzve me kualitete të larta të dijes dhe në anën tjetër diferencat ekstreme në rrafshin social në mes nxënësve. Si mund ta bind një nxënës 16-17 vjeçar trupi arsimor për të mësuar dhe për të ndjekur shembullin e mësimdhënësit. Në rrethanat kur prindi i nxënësit duke qenë një biznesmen që i eksploaton në mënyrë skllavëruese punëtorët e tij, vetëm për ditëlindje apo ndonjë ceremoni tjetër fëmiut të tij mund ti dhuroj një veturë ose ndonjë dhuratë tjetër në shifrën qindra mijëra euro, aq sa ai do të fitonte për një periudhë pune të mësimdhënësit të tij prej fillimit të punës deri në pension e çfarë motivi mund të ketë ky dhe të tjerët si ky për të nxeh kokën për të fituar dituri.
Sipas bindjes sonë në reformim mund të shkohet vetëm në rastet kur një proces ose sistem futet në kaos të plotë. Reformat në sistemin arsimor tek ne në Kosovë të pranuara në mënyrë iracionale që nga vitet 75 kanë sjell dështime të njëpasnjëshme. Në fillim u shkatërrua shkolla teknike e cila mblidhte trurin kombëtarë mandej shkolla normale që përgatiste mësues të shkëlqyer e për të vazhduar me degradime deri në ditët e sotme.
Megjithatë në këtë proces gjoja të reformimit arsimor edhe pse nuk përfiton as nxënësi, as arsimtari, as prindi dhe as Kosova, megjithatë ka një përfitues gjigant. Fjala është për kompanitë e trajnimit që bëjnë shpërlarje parash dhe fituan dhe do të fitojnë miliona e miliona eurosh. Këtu natyrshëm lind një pyetje racionale pse atëherë duhet universiteti kur ai nuk i përgadit njerëzit mjaftueshëm për punë.
Reformatorët që pranojnë porosi qorre nga çdo skaj i botës nga doktorë me tituj honoris kauza dhe që e injorojnë akademinë e shkencave të vendit të tyre nuk duhet të harrojnë që në reforma u ngulit siç është më së keqi edhe udhëheqësi i një super fuqie botërore siç ishte Mihajl Gërbaqov. As një reformë në rrethana normale dhe me reformator të përgjegjshëm nuk do të duhej të futet në veprim pa i dhënë dritën jeshile akademikë si tru suprem i inteligjencës së këtij vendi në të kundërtën përgjegjësitë do ti adresohen njëri tjetrit, dënimi do tu ngarkohet më të dobëtëve kurse dështimi do të jetë i sigurt.
Remzi Hasani

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aid Sahiti fitues i turneut Memorial “Agim Ramadani” në garën e peshkimit

Kurse ekipi “Agora” nga Ferizaj zuri vendit e tretë Peshkatari ferizajas Aid Sahit nga klubi i peshkimit “Agora” në garën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img