02,05,2024

2017…muri…treni…Kosova…

Must Read

Faton MEHMETI

Viti 2016 u konsideruar dështim për Kosovën. Shumë procese të rëndësishme për Kosovën të pa përfunduara që prej viteve paraprake, nuk kanë mundur të përfundojnë as në vitin 2016. Për mos realizimin e këtyre proceseve për vite me radhë organet përgjegjëse fajësojnë njëra- tjetrën. Me të filluar 2017 Kosova u sfidua shumë nga Serbia. Rrjedhoja e murit vazhdoi me arrestimin e Ramushit dhe trenin me mbishkrime nacionaliste.
Kur të gjithe prisnim që fillim i këtij viti të rezultoi edhe me themelimin e Tribunalit Ndërkombëtar për Kosovën që do të merret me krimet e supozuara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe me vrasjet për motive politike pas luftës në Kosovë. Ky Tribunal i njohur si Gjykata Speciale nuk filloi punën vitin që shkoi edhe pse kjo ishte e pritur. Mirëpo, pasi Holanda e ka ratifikuar marrëveshjen për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Gjykatën Speciale, sipas një njoftimi në faqen zyrtare të kësaj gjykate kjo marrëveshje hyn në fuqi që nga 1 janari i këtij viti. Gjithsesi veprimet e para të kësaj gjykate pritet të jenë sfiduese për Kosovën pasi që janë përmendur shumë emra të udhëheqësve shtetëror ndaj të cilëve do të ngitet aktakuza nga kjo gjykatë.
Kosova edhe gjatë këtij viti do te ballafaqohet me Demarkacionin me Malin e Zi, ajo ende nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës pasi që nuk është arritur kuorumi. Kjo marrëveshje nuk është ratifikuar sepse deputetet që janë kundër këtij Demarkacioni thonë se me këtë marrëveshje Kosova humb territor. Përkundër faktit që për këtë çështje janë angazhuar disa komisione duke përfshirë këtu edhe komisione ndërkombëtare prapë nuk është arritur të ratifikohet kjo marrëveshje.Tani u formua një komision tjetër me në krye njeriun e afërt me Isa Mustafën, derisa demarkacioni është një nga kushtet për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Liberalizimi i Vizave që nuk u arrit në vitin që e lëmë pas edhe pse nga udhëheqësit e vendit u premtua aq shumë se 2016-ta do të jetë viti kur qytetaret do të mund të lëvizin pa viza në zonën Shengen. Në muajin maj 2016, Komisioni Evropian, përmes raportit të tij, propozoi liberalizimin e vizave për kosovarët me disa kritere. Ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, rezultate konkrete për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, janë kriteret e caktuara nga ky komision për liberalizim të vizave.Vështirë qe kriteret të përmbushen me këtë koalicion qeverisës.

Një tjetër sfidë me të cilën do të përballen institucionet e Kosovë në këtë vit është Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është. Marrëveshja për asociacion është nënshkruar që nga muaji gusht i vitit 2015 nga pala kosovare dhe ajo serbe në Bruksel mirëpo, ka kaluar edhe viti 2016 dhe ky asociacion nuk është formuar ende. Që në fillim të këtij viti, zyrtarët serb kanë deklaruar se nëse ky asociacion nuk formohet nga institucionet e Kosovës, atëherë do të formohet nga institucionet e Serbisë.
Paqartësitë me rolin e ri amerikan në Ballkan , respektivisht ne Kosove kanë krijuar huti dhe panik tek qytetarët. Prandaj, pas provokimit te Serbisë me trenin, janë shtuar zërat për formimin e ushtrisë së Republikës së Kosovës.
Faktikisht ishte menduar se vitit që e lamë do të jetë viti kur Forcat e Sigurisë së Kosovë (FSK) do të shndërrohen në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) mirëpo, edhe 2017-ta e gjeti Kosovën pa ushtri. Themelimi i FAK-ut do të jetë procesi tjetër sfidues për politikën e vendit i cili çdo vit po premtohet se do realizohet brenda atij viti.
Sfida që po e përcjell për disa vite me radhë Kosovën është Dialogu me Serbinë. Bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian e që mbahen në Bruksel filluan si bisedime teknike e më pas u transformuan në bisedime politike. Dialogu me Serbinë ka rezultuar me arritjen e disa marrëveshjeve të cilat pastaj krijuan paqartësi në vend pasi që asnjëherë nuk u bënë publike detaje të këtyre marrëveshjeve, dhe nuk po zbatohen asnjëherë. Edhe pse është ditur se bisedimet me Serbinë sdo të kishin asnjë efekt pozitiv qe Kosova dhe Serbia të jetojnë si fqinj të mirë, gjithsesi me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare ato filluan. Edhe përkundër qe u arritën disa marrëveshje ato nuk janë zbatuar, përkundrazi keqësimi i raportit me Serbinë arritën kulmin me insistimin për të sjellur trenin me mbishkrime nacionaliste, arrestimin e Ramushit dhe murin. Pas gjithë këtyre veprimeve është e pashpjegueshme dhe absolutisht non sens, që të vazhdohen bisedimet me një shtet që ka tendenca për të na zhbërë nga faqja e dheut. Vazhdimi i bisedimeve me Serbinë legjitimon synimet e saj për ta zhbërë shtetin e Kosovës, prandaj çdo vazhdim i bisedimeve pa ndryshuar qasjen Serbia është totalisht i kot dhe pa asnjë rezultat. Përkundrazi është Serbia ajo qe po përfiton nga këto bisedime , pasi po përfiton nga bashkësia ndërkombëtarë në proceset e integrimit. Kosova duhet të dal me një qëndrim karshi Serbisë, me një qëndrim nga të gjitha forcat politike dhe shoqëria, siç janë : njohja e Republikës së Kosovës, heqja nga synimet për luftë me Kosovën, të paguaj dëmet e luftës, të tregoj për fatin e të zhdukurve, të heq fletarrestet për ish pjesëtarët e UÇK-së etj. Realiteti po e dëshmon se bisedimet me Serbinë nuk i kanë sjellur asgjë pozitive vendit, prandaj ato duhet të rishikohen, përndryshe rrezikojmë të futemi në një pafundësi bisedimesh pa rezultat.
Viti 2017 nuk filloi mirë për Kosovën, thonë se dita e mirë shihet në mëngjes, por ne ditë të mira spo shohim asnjëherë…

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Policia rajonale e Ferizajt konfiskon motoçikleta dhe skuter pa dokumentacion të rregullt

Policët e Komunikacionit Rrugor dhe polcicët e stacionit të Ferizajt sot kanë zbatuar planin operativ " Motoçikleta dhe Trotineti...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img