23,04,2024

Xhihadisti shqiptar: Feja ime është e pastër, s’ka terrorizëm

Must Read

Gjatë një bisede, i akuzuari Verdi Morava ka sfiduar publikisht, qoftë organin e akuzës, qoftë trupin gjykues që dha vendimin për të, në një debat publik me parashtrim provash dhe arsyetim logjik, pasi ai pretendon se nuk ka asnjë provë që të vërtetojë fajësinë e tij. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda i dënoi 9 myslimanët me 126 vite burg në total, nga 152 që kërkoi organi i akuzës, por kjo e fundit duket se nuk ka qenë dakord me vendimin e gjykatës, duke e apeluar vendimin.

Morava, ju akuzoheni për dërgimin dhe rekrutimin e një personi 73- vjeçar shqiptar në Siri; si e gjykoni vendimin e gjykatës?

Për mua ishte befasi të dënohesha, pasi u dënova për një akuzë që nuk e kam bërë. Unë e deklaroj që ndjek vetëm fenë e pastër, duke kërkuar origjinën, rrënjët e kësaj feje të mrekullueshme nëpërmjet dijes që transmetojnë njohës të shumtë të fesë si dhe nëpërmjet literaturës, jo sipas hamendësimeve. Nuk kam pasur dhe as nuk kam mendësi ekstremiste, nëse kjo është arsyeja në të cilën ndodhem në këtë situatë të demolizuar nga institucionet juridike të këtij vendi. Për më tepër, ekstremizmi islam është i papranuar dhe i dënuar, dhe kjo është e padiskutueshme dhe e qartë si drita e diellit.

Gjatë seancave gjyqësore, disa nga të pandehurit kanë deklaruar se nuk i njohin ligjet e shtetit shqiptar; po ju?

Në fakt e prisja një pyetje të tillë. Unë i kam respektuar ligjet rregulluese të shoqërisë dhe kam qenë konform me to, si në Shqipëri, ashtu edhe atje ku kam jetuar për një kohë të gjatë, në Itali, dhe vazhdoj t’i respektoj edhe sot, edhe pse vazhdoj të ndodhem këtu, që pretendohet se kam shkelur ndonjë ligj. Absolutisht nuk është e vërtetë! Në fakt, përgjigjen dua ta filloj me një pyetje: Çfarë do të dëshironin të preferonin njerëzit në përgjithësi? Njerëzit, sigurisht duan më të mirën, më të drejtën, më të ndershmen, më të sigurtën dhe më humanen. Teorikisht, sado optimale dhe njerëzore të jenë ligjet e vendosura dhe sado të miraplikuara me drejtësi, janë gjithmonë ligje të vendosura nga krijesat, ku sigurisht ekziston dhe mosperfeksioni, sigurisht edhe gabimi. Të gjithë e dimë që njeriu, sado i drejtë të jetë, mbetet gjithmonë gabimtar. Gjithashtu dihet dhe thuhet nga të gjithë se vetëm Zoti është i pagabueshëm.

Ju jeni gjykuar si grup, por e keni mohuar se ka një grup mes jush; si është e vërteta?

Ne nuk jemi grup, edhe vetë kryeprokurori Adriatik Llalla ka deklaruar se ne nuk jemi grup. Nuk e kuptoj pse jemi hetuar si grup! Por gjatë gjykimit, edhe gjykata i sugjeroi prokurores nenin 25, që ishte të gjykohemi si grup. Për mua ishte një nga skandalet e këtij procesi. Nga ana tjetër, po të shohim, ka prova të pakontestueshme nga persona influentë në fushën politike e deri në qeveri, të dokumentuara edhe me video.

Cilët janë këta persona?

Nuk dua të përmend emra, pasi i di i gjithë populli ç’ka dalë për personat me influencë. Këto janë edhe të dokumentuara.

Si ka qenë momenti i arrestimit tuaj; ku dhe si u arrestuat?

Nuk jam arrestuar në Tiranë, nuk dua ta përmend se ku, po në rastin tim ka qenë normal, pasi të tjerët tregonin se punonjësit e policisë ishin sjellë keq. Por kur mora vesh se për çfarë isha arrestuar, u habita. Nuk e kisha idenë se për çfarë konkretisht u arrestova, nuk e imagjinoja dot. Dua të theksoj se, gjatë gjithë këtij procesi nuk doli asnjë provë e vetme kundër meje, nga përgjimet, dokumentacionet apo dëshmitarët, përkundrazi, dolën në favorin tim, duke vërtetuar dhe arsyetimet e mia.

Si do ta provoni pafajësinë?

Unë dua të sfidoj publikisht, qoftë organin e akuzës, qoftë trupin gjykues, që ky trup gjykues është shndërruar në një turp paragjykues. I ftoj këta në një debat publik, me parashtrim provash dhe arsyetim logjik e juridik për çështjen në fjalë, por e di që nuk kanë kurajë dhe aftësi, sepse aftësinë e pamë të paktën në këtë çështje, e pamë pasi nuk mund të japësh dënim për diçka kur nuk ka prova. Kam dyshimet e mia nëse vërtet janë kryer hetime.

A i njihnit ju të pandehurit e tjerë?

Dy prej tyre nuk i njihja fare, ndërsa të tjerët po. Dikë thjesht si fytyrë, dikë e njihja dhe prej vitesh. Marr shembullin e Bujarit; e njoh pasi ai ka pasur një agjenci udhëtimi që dërgonte njerëz në Haxh, dhe e kam njohur atëherë kur kam vajtur për haxh. Pastaj kur kam qenë në Arabi kam njohur edhe Genci Ballën, ndërsa të tjerët i kam njohur tani vonë, kur jam kthyer nga Italia. Fadil Myslimanin e kam njohur aty, edhe Orjon Reçit aty ia mësova emrin e vërtetë, se e kam njohur me emrin Ernest, në gjykatë ia kam mësuar emrin.

Çfarë mendimi keni për ISIS-in?

Si pyetje është pak tendencioze. Nuk më vjen mirë, natyrisht, se është tentuar të më përfshijnë në emërtime të cilat në opinionin e mediatizuar simbolizojnë të keqen e kohës së sotme. Por, a duhen parë gjërat vetëm brenda limitit të caktuar, nëpërmjet një përkufizimi të ngushtë të cilit i jepen vetëm ngjyra fetare?! Dua të jem i qartë me opinionin publik se asnjë emërtim, organizatë apo shtet nuk mund ta simbolizojë islamin apo ta përfaqësojë atë. Por, kushdo qoftë që pretendon se është pjesëtar i kësaj feje, duhet të jetë ndërkohë shumë i kujdesshëm dhe shumë i përgjegjshëm në mënyrën se si e koncepton, si e praktikon. Me sa di unë, ky emërtim do të thotë shteti islamik i Irakut dhe i Sirisë, pra një shtet i krijuar i nominuar me këtë emër. Personalisht deklaroj se nuk kam asnjë lloj lidhjeje me këtë shtet, sepse nuk kam pasur ndonjëherë asnjë lloj kontakti me njerëz atje apo me atë vend. Thuhet se është ngritur mbi baza terrori, pra si organizatë terroriste, thuhet se banorët atje janë të terrorizuar, dhe kjo nuk bën pjesë te parimet islame.

Në media janë transmetuar edhe persona shqipfolës, të cilët kanë lëshuar mesazhe kërcënuese për banorët e trevave shqiptare, deri dhe helmimin e ujit të pijshëm, që dëgjuam, dhe unë personalisht jam absolutisht kundër këtyre mesazheve. Me këto epitete, që unë do të thosha se është e qëllimshme, po tentohet të etiketohet një fe dhe një besim i madh. Kujt mund t’i shërbejë kjo propagandë?! A mund të ketë më absurditet, poshtërsi që të islamizosh lloj-lloj dukurish negative, duke përfshirë edhe vetë terrorizmin?! Kam dyshimet e mia të arsyeshme për të menduar se janë një lloj produkti i sponsorizuar me qarqe konspirative të karakterizuara nga synimet diabolike të nxitjes së luftërave fetare për interesat e tyre. Çdo lloj insinuate të mendimit të terrorit, u shërben në finalizimin e vet, terrorizmit dhe atyre qarqeve që e sponsorizojnë. Sado të mundohen keqdashësit, nuk do të mund ta shuajnë dritën e së vërtetës të islamit. Të jesh e qartë: islami nuk predikon terrorizëm apo luftë. Terrori është i huaj në islam dhe as nuk ka lidhje fare, dhe asnjë organizatë, cilado qoftë, që paraqitet me ngjyra të tilla, nuk mund ta përfaqësojë këtë fe të madhe. Terrorizmi jo vetëm që nuk ka baza në fe, por është i urryer, i dënuar, dhe kjo është e ditur dhe e qartë si drita e diellit. Aktet e terrorit kanë ekzistuar, ekzistojnë dhe do të ekzistojnë, por nuk mund të kenë lidhje me fenë islame dhe ta njollosin këtë fe.

Do ta vijoni betejën me gjyqësorin?

Sikur edhe një ditë të më lënë dënim, unë do kërkoj pafajësi deri në organizmat më të fundit ndërkombëtare. Këtë as nuk e diskutoj, sepse nuk mund ta pranoj një gjë të tillë. Më është ulur dinjiteti, jo vetëm i imi, por edhe i familjes. Por besoj të drejtën do ta gjej tek organizmat ndërkombëtarë nëse nuk do ta marr këtu në Shqipëri. /Gazeta Shqiptare/

The post Xhihadisti shqiptar: Feja ime është e pastër, s’ka terrorizëm appeared first on Lajminet.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gjen kuletën me 320 euro, qytetari nga Ferizaj e dorëzon në polici

Një qytetar nga Ferizaj ka gjetur një portofol me para dhe ka dorëzuar atë në polici. Policia njofton se në...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img