29,03,2024

Serbia i premton BE-së të intensifikojë ndjekjet penale të kohës së luftës

Must Read

Serbia ka premtuar në një plan të ri veprimi të reformojë sektorin e saj të drejtësisë gjatë bisedimeve për anëtarësim në BE, duke u zotuar të bëjë më shumë për t’u marrë me krimet e luftës që janë ende pa u ndjekur penalisht dhe se do të rrisë luftën kundër krimit të organizuar.

Plani i veprimit prej 415 faqesh, i publikuar së fundmi nga qeveria serbe, për Kapitullin 23 të legjislacionit të BE-së që Serbia duhet të miratojë për të fituar anëtarësimin – kapitullit që fokusohet në sundimin e ligjit – parashtron premtimet që Beogradi ka bërë në Bruksel mbi reformën gjyqësore.

“Republika e Serbisë është plotësisht e angazhuar në procesin e integrimit evropian dhe është e vetëdijshme se ky proces kërkon ndryshime thelbësore dhe themelore në sistemin gjyqësor, sistemin e anti-korrupsionit dhe në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, si në nivel normativ ashtu edhe në nivel zbatimi,” thotë plani i veprimit nga ana e qeverisë.

Në dokument, të cilin qeveria e miratoi më 27 prill dhe që Ministria e Drejtësisë e publikoi të premten, Serbia për herë të parë detajoi planin e saj për t’u përputhur me standardet e BE-së.

Në seksionin dedikuar krimeve të luftës, ai thotë se “do të sigurohet që të gjitha akuzat për krimet e luftës në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1990 të hetohen dhe më pas të ndiqen penalisht dhe gjykohen”.

Plani liston veprimet që autoritetet synojnë të ndërmarrin gjatë bisedimeve për anëtarësim, por nuk zotohet të ndryshojë Ligjin mbi Organizimin dhe Juridiksionin e Autoriteteve Qeveritare në Procedurat Penale të Krimeve të Luftës, i cili Kroacia thotë se është një çështje kyçe që Serbia duhet ta trajtojë para se të hapë Kapitullin e saj 23 të bisedimeve me Brukselin.

Zagrebi dëshiron që Beogradi ta ndryshojë ligjin sepse ai i jep gjykatave serbe juridiksion për të ndjekur penalisht krimet e luftës të kryera kudo në ish-Jugosllavi gjatë luftërave të viteve 1990, i cili ajo druhet se mund të përdoret për të shënjestruar kroatët.

Si rezultat, qeveria kroate në disa raste e ka penguar Serbinë të hapë bisedimet e saj për Kapitullin 23.

Kjo pengesë ka shkaktuar zemërim në Beograd. Presidenti serb Tomislav Nikoliç të dielën këmbënguli se qeveria “i ka përmbushur të gjitha kushtet për hapjen e Kapitullit 23 të bisedimeve” dhe i bëri thirrje Kroacisë të heqë dorë nga kundërshtimet e saj.

Ministria serbe e Drejtësisë tha për BIRN se shumë vende brenda BE-së kanë juridiksion universal mbi krimet e luftës, kështu që Brukseli nuk mund të kërkojë që Beogradi të ndryshojë ligjin e tij “vetëm për arsye politike”.

BE-ja i tha qeverisë kroate muajin e kaluar se Zagrebi duhet të zgjidhë mosmarrëveshjet e tij me Beogradin mbi legjislacionin për krimet e luftës nëpërmjet bisedimeve dypalëshe, në vend që të bllokojmë negociatat serbe.

Në seksionin e planit të tij të veprimit që trajton krimet e luftës, Serbia zotohet “se do të sigurohet që të gjitha akuzat të hetohen si duhet dhe më pas të ndiqen penalisht dhe të gjykohen”.

Ajo synon ta bëjë këtë “duke forcuar gradualisht kapacitetet e Prokurorisë së Krimeve të Luftës”.

Zyra aktualisht ka tetë prokurorë dhe burime të kufizuara. Prokurorët shpesh janë ankuar për mungesë mbështetjeje dhe për presionin politik mbi punën e tyre.

Në përpjekjet e saj për të përmbushur standardet e BE-së, në shkurt të këtij viti, Serbia miratoi strategjinë e saj të parë për krimet e luftës.

Plani i ri i veprimit parashikon gjithashtu edhe miratimin e një strategjie për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës në Serbi.

Strategjia e re, e cila do të zhvillohet gjatë këtij viti, ka për qëllim të vendosë kritere për të përcaktuar se cilat çështje duhen nisur të parat, por edhe do të specifikojë përfundimisht mënyrat për të ndjekur penalisht zyrtarët e lartë të dyshuar për krime lufte.

Një total prej 435 personash janë dënuar për krime të luftës deri më tani në Serbi, por asnjë nga të dënuarit nuk ka qenë pjesë gjeneralëve apo zyrtarëve të lartë të ushtrisë apo policisë.

Dokumenti qeveritar gjithashtu thotë se Serbia kërkon qasje të plotë në arkivat e Gjykatës Penale Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) dhe Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare (MICT) në lidhje me krimet e luftës në të gjithë ish-Jugosllavinë, përfshirë dokumentet jo vetëm nga Serbia, por edhe nga Bosnja dhe Kroacia.

Deri më tani, sipas qeverisë serbe, është lejuar qasja vetëm për disa dokumente dhe dëshmi të gjykatës së OKB-së.

“Në mënyrë të veçantë, deklaratat e dëshmitarëve dhënë hetuesve të ICTY janë transferuar, por zbulimi i identitetit të 22 dëshmitarëve në Zyrën e Prokurorit të Krimeve të Luftës të Serbisë mungon. Aktualisht, Prokuroria për krime lufte merr një numër të kufizuar deklaratash mbi një bazë rast pas rasti, por ende mungojnë ato që mund të identifikojnë autorët e krimit”, thotë plani i veprimit.

“Deklaratat e atyre dëshmitarëve do të mund të hapnin disa çështje për krime lufte kundër anëtarëve të formacioneve paraushtarake dhe disa prej zyrtarëve të lartë dhe zgjidhja e këtij problemi do të jetë stimuli kryesor për çështjet kundër autorëve të nivelit të lartë”, shton plani.

Gjatë periudhës së anëtarësimit në BE, plani i veprimit gjithashtu parashikon përgatitjen e një raporti nga Zyra e Prokurorit për krime lufte, ku do të thuhet se çfarë është bërë për të gjitha ndjekjet penale që nga viti 2005 dhe duke përcaktuar “nëse të gjitha akuzat për krime lufte janë hetuar në mënyrë të përshtatshme”.

Qeveria më tej premton të reformojë njësitë e saj policore që merren me krimet e luftës, Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Njësia për Mbrojtjen e Dëshmitarëve për krimet e luftës.

Të dy janë kritikuar nga organizatat ndërkombëtare dhe vendore të drejtave të njeriut për shkak se disa prej anëtarëve të tyre dikur kanë qenë pjesë e njësive të cilat dyshohet se janë përfshirë në krime lufte në ish-Jugosllavi.

Plani i veprimit thotë se do të shqyrtojë “nëse procesi i punësimit të stafit duhet të përmirësohet (dhe nëse pjesëmarrja e mundshme e mëparshme e kandidatëve në konfliktin e armatosur të ish-Jugosllavisë duhet të jetë një pengesë në procesin e përzgjedhjes)”.

Ai premton t’i japë dy njësive më shumë burime dhe “të rrisë sigurinë e dëshmitarëve dhe informatorëve si dhe të përmirësojë shërbimet e informatorit e dëshmitarëve”.

Në rastin e vonesave të perceptuara, pengesave ose problemeve të tjera në zbatimin e planit të veprimit, përveç raporteve të saj të rregullta, Këshilli i BE-së mund të lëshojë një paralajmërim i cili do të shkojë në krye të ekipit të negociatave për anëtarësim.

Komisioni Europian ka shprehur kënaqësinë me planin e veprimit dhe përpjekjet e qeverisë serbe për t’u përputhur me standardet e BE-së.

“Ne jemi të kënaqur me progresin e bërë nga Serbia në këtë fushë deri më tani dhe ne jemi në kërkim të mënyrave për të hapur kapitujt 23 dhe 24 në të ardhmen e afërt”, ka thënë një zëdhënës i Komisionit Europian për BIRN në kushte anonimiteti.

Pavarësisht kundërshtimeve të Kroacisë, Serbia ende shpreson të hapë dy kapitujt në muajin e ardhshëm. /reporter.al

The post Serbia i premton BE-së të intensifikojë ndjekjet penale të kohës së luftës appeared first on Lajminet.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Kuvendi i Komunës së Ferizajt diskuton për raportin e punës për vitin 2023

Këtë të premte është mbajtur mbledhja e rregullt e Kuvendit të Komunës së Ferizaj e kryesuar nga kryesuesi Xhavit...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img