26,04,2024

Ramadan Ramadani, ikonë e muzikës ferizajase

Must Read

Dirigjenti Ramadan Ramadani dhe kori i fëmijëve të RTP-së
Dirigjenti Ramadan Ramadani sot mbushë plot 40 vite përvojë në drejtimin e koreve të fëmijëve. Kontributi i tij për muzikën artistike në Kosovë është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Karakteristikë e punës së tij me kor ishte kultivimi i tingullit të unifikuar dhe interpretimi me efektet e përjetimit, me anë të dinamikës që te publiku përcjelleshin me emocione të shumta. Dëshira e tij ishte që të interpretojë këngët e kompozitoreve tanë sa më bukur dhe të ndihmojë zhvillimin e veprimtarisë korale në Kosovë. Përveq tjerash, Ramadani kontribuoi edhe në fushën e kompozicionit për muzikën artistike kosovare, kështu duke kompozuar dhe përshtatur për fëmijë dhjetra këngë të bukura, prej tyre dy zëshe, tre zëshe dhe një zëshe për solist. Për herë të parë punën me kor e filloi në vitin 1974, në Ferizaj me korin e qytetit “Fëmijët e gezuar”. Pastaj vazhdoi me korin e shkollës fillore “25 Maji”, që tash e mbanë emrin “Gjon Serreqi”. Me këtë kor dirigjenti R. Ramadani arrin të jet fitues i trefishte i vendit të parë në festivalin e koreve të fëmijeve të Kosovës që mbahej në Prishtinë. Nga viti 1981, dirigjenti Ramadani pasi e kalon me sukses audicionin pranues para komisionit të përbërë nga kompozitorët Rexho Mulliqi, Rafet Rudi, Pranvera Badivuku dhe solo kengetarja Hermina Lekaj, ai punësohet në Radio Televizionin e Prishtines. Me korin “Rilindja”, dirigjenti R. Ramadani me datën 05.10.1990, në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, realizoi koncertin jubilar për shënimin e 80 vjetorit të lindjes së nobelistes shqiptare Nënës Terezë. Ky ishte koncerti i parë i organizuar nga shoqata e kompozitorëve të Kosovës kryesuar nga kompozitori Zeqirja Ballata që u mbajtë në kohën kur Kosova ishte në gjendje të rëndë okupuese. I ftuar nga ipeshkvi i Kosovës Nik Prela, dirigjenti R. Ramadani, me daten 05.10.1990, me korin Rilindja u prezantua edhe në tubimin gjithë popullor që iu kushtua Nënës Terezë në fshatin Bishtazhin. Poashtu me rastin e themelimit të shoqatës humanitare “Nëna Terezë”, në Preshevë me datën 20.10.1990, kori shfaqi një koncert në një ambient të hapur.
Ramadan Ramadani me korin e fëmijeve të RTP-së fillon punën në janar të vitit 1981. Anëtarët e këtij kori ishin fëmijë të talentuar që vinin nga shkolla e ulët e muzikës dhe nga shkollat e ndryshme fillore të Prishtinës. Ushtrimet me kor mbaheshin çdo ditë në lokalet e produksionit muzikor të RTP-së. Kori i fëmijëve të RTP-së ishte i obliguar të inqizonte këngë korale dhe këngë të ndryshme për nevojat e programeve muzikore për fëmijë të radios dhe televizionit të Prishtinës. Nga viti 1981 kori i fëmijëve të RTP-së i drejtuar nga R.Ramadani me shumë sukses prezantohet në festivalin e njohur të këngës për fëmijë “Akordet e Kosovës”, në festivalin “Skena Mizikore e Prishtinës” dhe në festivalin “Ditët e Muzikës Kosovare”. Në këtë festival të rëndësishëm që organizohej nga shoqata e kompozitoreve të Kosovës, kori i fëmijëve të RTP-së prezantohej me këngë shumë zërëshe korale të kompozitorve vendas si: Lorenc Antoni, Zeqirja Ballata, Vinçenc Gjini, Rauf Dhomi, Rafet Rudi, Ramadan Ramadani, Pranvera Badivuku, Musa Piperku, Tomor Berisha, Severin Kajtazi, Seniha Spahiu,Sevime Gjinali etj.
Ky kor kishte krijuar një tradite të mrekullueshme duke u prezantuar edhe në orën e madhe letrare të pionierit që organizohej nga shkrimtarët dhe poetët e Kosovës. Tradicionalisht prezantohej si mysafir edhe në festivalin e koreve të fëmijëve të Kosovës. Në vitin 1984 në këtë festival, kori i RTP-së prezantohet për herë të parë si garues dhe nga juria e festivalit shpërblehet me vendin e parë, ndërsa në festivalin e koreve të fëmijëve në Shabac kori i RTP-së shpërblehet me vendin e tretë. Në vazhdim, në festivalin e koreve të fëmijëve të Kosovës me kërkesën e organizatorëve të festivalit prezantohet vetëm si mysafir i festivalit. Kori i fëmijeve të RTP-së gjithashtu u prezantua edhe në manifestime të ndyshme kulturore në programe të përbashkëta me korin e njohur të kohës në fjalë “Colegium Cantorum” i cili drejtohej nga dirigjenti Mark Kaqinari dhe poashtu u prezantua edhe në programe të përbashkëta me korin profesional të RTP-së të drejtuar nga dirigjenti Rafet Rudi.
Kori i fëmijëve të RTP-së, i prëgaditur nga dirigjenti Ramadan Ramadani me korin profesional të RTP-së të pregaditur nga dirigjenti Baki Jashari me solo këngëtarët Xhelal Bakraqi, Merita Juniku, Ahmet Derguti, Hermina Lekaj, Rrustem Musliaj, Jasmina Omeragiq dhe Gani Miftari gjithashtu me recitatorën Safete Rugova dhe me Orkestren Sinfonike të RTP-së drejtuar nga dirigjenti Bajar Berisha, morën pjesë në realizimin e Operës “Dasma Arbereshe” të kompozitorit Rauf Dhomi. Kjo Operë për herë të parë u realizua në mënyrë brilante në formë koncertale në sallën e kuqe të Pallatit të rinisë në Prishtinë me datën 22 Qershor të vitit 1990.
Ky koncert i ansambleve të mrekullueshme vokale dhe instrumentale të RTP-së ishte i fundit, sepse me daten 05.07.1990, kori i fëmijëve të RTP-së, kori profesional i RTP-së dhe Orkestra Sinfonike e RTP-së nga sallat e ushtrimeve në lokalet e produksionit muzikor të RTP-së përjashtohen dhunshëm nga forcat e qeverisë sërbe.

Shkruan: Armend Xhoni

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img