18,04,2024

Philby agjenti që ndihmoi Enver Hoxhën, e që përmes Shqipërisë e parandaloi Luftën e Tretë Botërore

Must Read
Kim Philby

Philby ishte përjashtuar vite më parë nga shërbimi i zbulimit britanik MI6 pasi ai dyshohej si spiun e tradhtar. Në rrezik për t’u arrestuar, Philby kërkoi ndihmën e qendrës në Moskë. Në janar 1963, ndërsa punonte si gazetar për Observer dhe Economist dhe ndodhej në Bejrut të Libanit, Philby i hipi një anije ruse me destinacion Odesën. Larg nga të priturit si hero, Philby u mënjanua nga KGB-ja sovjetike, e cila frikësohej se ai mund të ishte agjent afatgjatë i dyfishtë i Perëndimit.

I vetmuar, Philby gjeti shishen si ngushëllim duke u dhënë pas pijes. Por, në aspekte të tjera, ai u trajtua mjaft mirë, thonë biografët, madje më mirë sesa qeveria sovjetike trajtonte popullin e vet. Atij iu dha një makinë, një vilë e mobiluar, furnizime të rregullta me ushqime të përzgjedhura – edhe nga jashtë shtetit – e madje edhe një grua. Philby atje u martua me gruan e tij të katërt, Rufina Pukhova, e cila në kujtimet e saj shkruan se ai kurrë nuk shprehu keqardhje që u arratis, por mbeti i zhgënjyer, i tronditur kur pa njerëz të varfër e të rreckosur. Ai gjithashtu tentoi vetëvrasje, por kurrë nuk foli për t’u kthyer në Angli.

Harold Adrian Russell “Kim” Philby vdiq në Moskë në vitin 1988, në moshën 76 vjeçare. Ai është cilësuar si një prej spiunëve më dinakë të shekullit XX.

Philby ishte në krye të seksionit të shërbimit sekret anglez. Për çudi, ky seksion merrej me luftën kundër spiunëve të Moskës.

Ai lindi në Indi, kur ishte koloni e Anglisë. Ishte djalë kurajoz, pak rebel, mendohej gjatë para se t’i futej një problemi, por mund të përmbyste edhe malet për ta realizuar atë. Nuk ndërronte mendje kollaj dhe qëndrimin e vet e kishte deklaruar: “Urrej fashizmin deri në vdekje dhe varrin e dua në Rusi”.

Më 1929 në Angli erdhën në fuqi laburistët, vit që shënoi edhe vendosjen e marrëdhënieve mes Bashkimit Sovjetik dhe Anglisë. Ky vit shënoi edhe fillimet e një simpatie te anglezët ndaj revolucionit rus. Modeli sovjetik po simpatizohej deri aty sa shumë të rinj intelektualë, përfaqësues të shtresave të pasura, kishin nisur të përbuznin jetën e tyre mondane e të shfaqnin shenja rebelimi ndaj klasave të pasura. I tillë ishte edhe Kim Philby që, duke u ndjerë afër ideve të komunizmit, u bë anëtar i një shoqërie tepër sekrete, ku aderonin mjaftë të rinj të tjerë – disa prej të cilëve hynë në listat e KGB-së.

Philby studioi për histori e ekonomi, vendosi lidhje me simpatizantë të tjerë, madje edhe në Francë e Gjermani, me një qëllim të madh: luftë kundër nazistëve gjermanë. Por, u vu nën shërbimin sovjetik, gjithnjë i vëmendshëm e besnik për çështjen e revolucionit botëror. Në Austri, ku gjermanët ishin ulur këmbëkryq, ai pa me sytë e veta ç’masakra bënin nazistët, imazhi i të cilave la gjurmë të thella në shpirtin e djaloshit. Mjaftë i vëmendshëm e kurajoz, ai ndiqte përparimin e nazizmit nëpër Evropë.

Në Austri u njoh me Litzin, një vajzë hebreje me të cilën u dashurua dhe ndikimi i saj anti-Hitler ka qenë jo i paktë te agjenti i ri, shpirti i të cilit ishte përmbytur nga idetë komuniste. Për gjashtë vjet rresht, çifti i ri energjitë i vuri në shërbim të luftës kundër fashizmit, kësaj murtaje që s’po përmbahej. Kur Litzi ishte në listat e atyre që do të arrestoheshin, ajo iku në Angli, ku mori edhe nënshtetësinë angleze. Aty ajo u vu në kontakt me partinë komuniste angleze, duke e vënë përfundimisht të shoqin në shërbim të komunizmit sovjetik.

Rekrutit të ri plot talent iu besua detyra e ngritjes së një rrjeti më të gjerë që do të viheshin nën shërbimin rus. Këtu del Guy Burgess, takimi me të cilin u krye në një klub të Londrës e ku u fol të gjendeshin elemente fashistë mes radhëve të komunistëve britanikë.

Duke shfrytëzuar diplomat që zotëronte, aftësitë e tij si gazetar, njohjet dhe lidhjet e babait me njerëz të sferave të larta, arriti të krijojë lidhje në shoqatën anglo-gjermane, deri te Goebbelsi, atëherë ministër i Propagandës në Gjermani. Kështu, iu propozua të punonte në Berlin.

Vajtja në Gjermani sigurisht solli njohje të mëdha, duke rritur kështu besueshmërinë e rusëve ndaj emrit të tij. Ai mundi të sigurojë disa emra, prapa të cilëve ishin elementë nazistë që operonin në klasën politike dhe administratën e lartë britanike. Po,r Philby pati synime më të larta: zbuloi se së shpejti në Spanjën e Frankos do të plaste Lufta Civile. Më pas atij iu besua Spanja, duke e infiltruar kështu në rrethin e ngushtë rreth Frankos. Sërish ai vuri në shërbim njohjet e babait, i cili tashmë pati menduar se i biri e kishte braktisur komunizmin dhe i interesonte vetëm gazetaria.

Atje u plagos në një aksident, ndërsa si gazetar në një front lufte u dekorua nga Frabko. Ai po depërtonte në rrethin e ngushtë të Frankos e prania aty i siguronte jo pak të dhëna për Moskën. Këtu, siç del më pas nga dokumentet e KGB-së, Philby ka propozuar vrasjen e Frankos, por që s’kishte gjetur miratim në qendrën e vet në Moskë.

Të njëjtën kohë, gruaja e një baroni anglez, një femër me rëndësi në sferat e larta të shoqërisë, u bë e dashura e re e Philbyt. Kjo marrëdhënie rriti mjaft vlerat e tij si agjent, por prishi familjen. Litzi tashmë i kishte kuptuar marrëdhëniet. Ata nuk u grindën, por mbetën miq të mirë.

Qendra sovjetike tash sërish kërkonte të tjera prova nga Philby. Atij i duhej të hynte në shkollën e kodeve e të shifrave, ku iu besua detyra e instruktorit, e ku shpalosi vlerat e një profesionisti pasi intuita ishte në shkallën më të lartë.

Ai fliste shumë gjuhë, njihte mirë shtetet e Evropës që bënin politikën e madhe, ishte inteligjent e profesionist. Ndërsa, lidhja e re martesore i siguroi të drejtën që ai t’i hidhte një sy dosjes së shumë agjentëve që luani i deteve – Anglia – kishte kudo nëpër botë. Kur lista u shfaq në zyrat e KGB-së, shumëkush nuk u besoi syve. Po ashtu, lëvizjet e tij nëpër Spanjë u sollën agjentëve gjermanë.

Para rënies së Gjermanisë, raportet sekrete shkruanin se BRSS, pas fitores, do të triumfonte duke kërkuar hegjemonizmin saj nëpër Evropë. Për të penguar këtë përhapje, britanikët duhej të ndërmerrnin hapa konkretë deri te ngritja e një seksioni përkatës. Zyrat e KGB-së i kërkonin Philbyt të hidhte në dorë dokumentet e këtij seksioni. Shumëkush s’kishte besim, por ai ia arriti. Sigurisht jo gjithçka rrëshqiste mirë. Një nëpunës i Ambasadës sovjetike në Ankara, në këmbim të një arratisjeje dhe ca të hollave, u dha përfaqësuesve të Anglisë në Turqi emrat e tre spiunëve anglezë që punonin për llogari të sovjetikëve. Ata ishin: Philby, Burgess dhe Donald Maclean, por që për fat të treshes, posta ra në duart e Philbyt i cili njoftoi qendrën. Punonjësi sovjetik “u paralizua” dhe më vonë vdiq.

Gjithçka u mbyll qetësisht dhe tashmë Philby ishte truri i spiunazhit evropian. Aleanca Atlantike e pa qartë se Hitleri po thyhej e duhej sabotuar komunizmi në Bashkimin Sovjetik. Agjentë të shumtë zbarkuan, por shumica binin në duart e trupave te kuqe. Ishte e qartë: spiunët rusë lajmëronin gjithçka.

Ishte viti 1951, kur Kim Philby ”mësoi” për për arratisjen e Macleanit (ai kishte ndihmuar në atë arratisje) dhe që aty ai e kishte fare të qartë se shërbimit të tij po i vinte fundi. Hapi sirtarët e kujtesës së tij duke kërkuar të sistemojë aty gjithçka. Shumë dokumente i dogji në oxhakun e shtëpisë së tij, e të nesërmen edhe aparatet që i kishin shërbyer për fotografimin e dokumenteve.

Ai u mor në pyetje, por ishte i përgatitur për gjithçka, ndaj u mbrojt mjaft mirë. Amerikanët kishin kërkuar që ai të shkonte në gjyq shumë më herët, por anglezët kanë hezituar, ndaj e mbanin nën survejim. Por, Philby arriti të bindte Qeverinë britanike se ata s’kishin asnjë fakt që të vërtetonte se ai kishte qenë agjent i sovjetikëve.

Kështu, shkoi në Bejrut si gazetar dhe që andej, më 1963, u vendos në Moskë, ku vitet e fundit i kaloi i vetmuar, por kurrsesi pasiv. Atje përgatiti biografitë e plota për shumë agjentë sekretë, ndërsa merrej me problemet më specifike të shërbimeve sekrete.

I rrethuar nga miqtë e tij të shumtë, më 10 maj të vitit 1988, heroi më emblematik i spiunazhit sovjetik, gjenerali më i famshëm i kundërzbulimit, intelektuali i rangut të lartë, aspiruesi më i devotshëm i idealeve komuniste… vdiq. Varrimi i tij ish madhështor, siç ishte edhe vepra e emri i tij për Rusinë.

Këtë vit BBC transmetoi për herë të parë pamjet filmike të një fjalimi të ish-spiunit Kim Philby. Videoja është gjetur në arkivat e ish-shërbimit sekret gjermano-lindor, Stasit, dhe në to ai flet për jetën e tij si agjent i dyfishtë. Në të ai shfaqet duke folur në një seminar me agjentët gjermano-lindorë, të cilëve u mëson se si të jenë të suksesshëm në spiunazh.

Gjatë fjalimit, Philby përmend edhe një episod për të ilustruar kostot njerëzore të tradhtisë së tij.

Në kohën kur ishte me detyrë në Washington si ndërmjetës mes shërbimeve sekrete britanike dhe atyre amerikane, Philby tradhtoi operacionin sekret të dërgimit të mijëra shqiptarëve të arratisur në vendin e tyre për të përmbysur regjimin komunist të Enver Hoxhës. Philby tregon se informacionet për kohën dhe vendndodhjen e të ashtuquajturve diversantë ia kalonte KGB-së sovjetike, dhe kjo e fundit më pas Sigurimit të Shtetit në Tiranë, i cili asgjësoi shumë prej tyre.

Në leksionin e tij Philby pretendon se ka ndihmuar për parandalimin e Luftës së Tretë Botërore. Ai pretendon se nëse nuk do të kishte kompromentuar operacionin dhe nëse ai do të kishte patur sukses, CIA dhe shërbimi sekret britanik do të tentonin sërish të njëjtën gjë në vende të tjera komuniste si Bullgaria. Sipas tij, kjo do të çonte në ndërhyrjen e ish-Bashkimit Sovjetik, duke çuar në një luftë të vërtetë. /Tirana Observer/

The post Philby agjenti që ndihmoi Enver Hoxhën, e që përmes Shqipërisë e parandaloi Luftën e Tretë Botërore appeared first on Lajminet.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në Zhvillimin Rajonal

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe ministri i Ministrisë të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img