27,04,2024

Mbahet mesha në kishën ‘’Engjëlli i Rojës”, bëhet thirrje për paqe

Must Read

Ferizaj. 25.12.2017. Mesha për Ditën e Krishtlindjes është mbajtur sot edhe në kishën katolike “Engjëlli i Rojës” në Ferizaj, ku u tha se duhet dëgjuar fjala e Zotit, pasi është fjalë jete, dashurie, falje, afrimi dhe bashkimi me Zotin dhe me njëri-tjetrin.
Mesha filloi me leximin e pjesës së ungjillit sipas Xhonit, ndërsa pas saj, famullitari i kishës katolike “Engjëlli i Rojës” Don Viktor Sopi, bëri thirrje për paqe duke u lutur për të gjithë njerëzit nga të gjitha besimet.
“Të mundohemi dhuratën e paqes ta përjetojmë e ta mbjellim në raportet e në zemrat tonë, që me paqe e dashuri të shikojmë, të jetojmë, paqja nuk arrihet për një moment, ajo nuk arrihet pa flijim e sakrificë, sakrifikojmë edhe atë më të dhimbshmen që të krijojmë raporte paqeje, mirësie e dashurie me njerëzit që i takojmë dhe ndajmë përditshmërinë tonë në rrugëtim drejt amshimit që na premton Zoti krijues, krejt qytetit tonë, familjeve tona. vendit tonë. ju dëshiroj paqen e Zotit, ditën e Krishtlindjes që kjo paqe të rritet e dëshmoj se jemi popull, familje, njerëz të paqes që e dëshmojmë edhe në jetën e përditshme”,tha Sopi.
Sopi duke dërguar mesazhe paqeje dhe dashurie për njerëzit, kërkoi që të jenë të bashkuar dhe të falin njëri tjetrin.
“Dita e Krishtlindjes nuk është diçka që më parë nuk ka ekzistuar në forma të ndryshme, prania e Zotit në shoqërim në rrugëtim të njeriut, por në kohën e duhur dashuria aq e madhe që ka Zoti për krijesën e vet njeriun, bëri që ai të vie në jetën e njeriut në mënyrë të poshtme, që njerëzit ta shohin shëlbimin dhe shëlbuesin dhe nëpërmjet forcës që çdo gjë para Zotit është e mundur ai merr natyrën e njeriut për ta shoqëruar njeriun, prandaj këtë dhuratë të paqes ta përjetojmë e ta mbjellim në zemrat tona”, tha Sopi.
Festa e Krishtlindjes është një nga kremtet më të rëndësishme në kalendarin e festave të krishtera. Ajo kremtohet çdo 25 dhjetor dhe në të kujtohet lindja e Jezu Krishtit. Pas Pashkëve është festa më e rëndësishme për besimtarët e krishterë.

Gjatë mesditës  shumë qytetarë vizituan përfaqësuesit e kishës katolike në Ferizaj, për t’iu uruar Krishtlindjen. E derisa delegacionet vinin rend me rend, motrat e nderit kujdeseshin që tryezën mos ta linin asnjëherë thatë. Ndërkaq, famullitari i kishës “Engjëlli i Rojës”, përcillte mysafirët e fjalë të mira e me buzëqeshje. Këtu nuk munguan as politikanët lokal e qendror. I pari që erdhi ishte kryetari i komunës Agim Aliu, bashkë me përfaqësues të tjerë të qeverisë lokale dhe bashkëpartiakë të tij. E dollitë u ngritën shumë herë.

“Uroj që këto festa të na gjejnë të bashkuar, të na gjejnë me më shumë paqe, me më shumë dashuri dhe mbi të gjitha të na gjejnë me më shumë mirëqenie. Angazhimi jonë i përbashkët edhe me komunitetet fetare do të jetë pikërisht në një proces dhe në një udhëtim të përbashkët drejt këtij synimi që sa më shumë të ketë paqe, harmoni dhe mirëqenie”, tha Aliu.

E, pas Aliut, don Viktor Sopi priti edhe delegacionin tjetër në krye me Muharrem Svarqën. Edhe këtu nuk munguan urimet, batuat e të qeshurat.

“Një moment i tillë është një domosdoshmëri edhe e reflektimit të ndjenjës së sinqertë për urime. Sepse zakonisht ne kur kemi gëzime janë ndjenjat më të mira se sa në gjendje të mira dhe në këtë gjendje natyrisht që kërkohet edhe një mobilizim nga të gjithë që të kemi një marrëdhënie reciproke edhe të solidaritetit por edhe të shfaqjes së ndjenjës së dashurisë e cila shpeshherë neve na mungon”, tha Svarqa.

E bashkë me LDK-në kishin ardhë edhe përfaqësuesit e Këshillit të Bashkësisë Islame në Ferizaj. Drejtues të komunitetit mysliman uruan për këtë festë komunitetin katolik, duke shpresuar që Ferizajn ta përcjell traditën e tolerancës fetare.
“Urojmë duke dëshiruar që mes nesh të mbretëroj paqja, dashuria dhe lumturia, sepse edhe pse kemi besime të ndryshime, neve kemi për obligim që bashkërisht të ndërtojmë të ardhmen tonë”, tha kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Ferizaj, Bujar Hasani.

Radhës së mysafirëve nuk i munguan as përfaqësuesit e Vetëvendosjes në Ferizaj.

“Uroj që kjo festë të na gjejë gjithmonë të bashkuar, e sidomos vendin tonë qytetin tonë ta gjejë me më shumë prosperitet, zhvillim dhe dashuri e mirëkuptim mes njerëzve”, tha Ali Halimi nga VV.

Ndërkaq, në mesin e mysafirëve të shumtë, për t’i uruar besimtarët katolik, në kishë kishin ardhë edhe eprorët e policisë së këtushme. Kësaj radhe të gjithë ishin pa uniformë.

“Uroj që kjo festë të kaloj me qetësi, urojmë që në popullin tonë të ketë më shumë dashuri dhe mirësi”, tha Gazmend Hoxha.
Kësisoj vizitat vazhduan për disa orë rresht, ndërkaq nikoqiri i tyre Don Viktor Sopi, u lut që kështu të ndodhë gjithmonë.
“Kur gëzimi ndahet bëhet më i madh. Në emër të kishës katolike unë falënderoj të gjithë ata që erdhën këtu. Ne ndihemi të gëzuar me prezencën e të gjitha kategorive që sot ishin të pranishëm”, tha Sopi.

Pas kësaj pritje në kishë, drejtues të kishës katolike ‘’Engjëlli i Rojës’’ urimet për këtë festë vazhduan t’i bëjnë nëpër shtëpitë e tyre, në drekën e përbashkët me familje.

transmeton Televizioni Tema.

 

 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha mban punëtori në Universitetin e Vjenës

Pas një periudhe intensive të hulumtimit dhe bashkëpunimit me akterët nga qeveria, akademia dhe industria në Austri, Prof. Asoc....

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img