Uncategorized

Komandot shqiptare nisen me mision në Afganistan (FOTO)


Publikuar më:


Në ceremoninë e zhvilluar në mjediset e Batalionit të Forcave Speciale në Zall-Herr, ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ambasadori turk në Shqipëri, Hidayet Bayraktar, komandantët e forcave, familjarë të ushtarakëve që nisen në mision etj.

Në fjalën e saj, ministrja e Mbrojtjes tha se Shqipëria me politikat e saj gjithë këto vite ka treguar se di të jetë një fqinj i mirë dhe një aleat i denjë krah NATO-s.

Kodheli falënderoi ushtarakët për punën e tyre përgatitore dhe përgëzoi titullarët e tyre për transparencën e treguar në përzgjedhjen e ushtarakëve.

“Jo më kot Ministria e Mbrojtjes renditet e para në besimin që qytetarët shqiptarë kanë dhe në transparencën që Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura tregojnë”, tha ministrja Kodheli, e cila këtë herë zgjodhi një mënyrë të veçantë për të përshëndetur trupat pjesëmarrës në mision, duke i uruar personalisht të gjithë në emër.

Në fund të fjalës së saj, ministrja përshëndeti edhe familjarët e ushtarakëve që nisen në mision duke i siguruar ata se kanë në shtëpitë e tyre djemtë më të mirë që shoqëria shqiptare mund të ketë.

Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Hidayet Bayraktar, në fjalën e tij përshëndetëse tha se FA-të turke dhe FA-të shqiptare, kanë rritur performancën e tyre në fushën e mbrojtjes, duke treguar lidhjen e ngushtë mes popujve tanë, mbështetur në lidhjet vëllazërore në shekuj.

Ai  e vuri theksin tek rreth 6 mijë ushtarakët e FA shqiptare, të cilët gjatë kësaj periudhe janë trajnuar me afate të shkurtra apo të gjata në Turqi, ose në Shqipëri nga FA turke. Bayraktar shprehu bindjen e tij se kjo njësi e re që do të niset për Kabul, do t’i përmbushë më së miri detyrat e saj ashtu si edhe tre kontingjentet e mëparshme.

Kontingjenti i katërt paqeruajtës i FA shqiptare do të shërbejnë për një periudhë 6-mujore në Afganistan dhe do të veprojnë në përbërje dhe varësi të Komandës Rajonale turke në Kabul.

The post Komandot shqiptare nisen me mision në Afganistan (FOTO) appeared first on Lajminet.

Comments
To Top