Uncategorized

Gjirokastra, qyteti që kërkon të fluturojë


Publikuar më:


Gjirokastra

Në një cep të Muzeut të qytetit të Gjirokastrës ruhen ende mbetjet e avionit të Dinos. Askush nuk di të thotë sesi lindi kjo dëshirë e tij, e megjithatë historia e aeroplanit mbeti, duke venitur në një mënyrë edhe bëmat e tij kombëtare. Ndoshta gjithçka lindi duke parë aeroplanët e të huajve, që uleshin e ngriheshin që në Gjirokastrën e viteve ’29, pikërisht në atë vend ku ashtu si dje, edhe sot bien sytë e shtëpive të qytetit.

“Deri dje, emri i Dino Çiços është përmendur si një element me pak humor brenda, por megjithatë zgjon një fantazi të qytetarëve të Gjirokastrës. Në fund të fundit tregon që ky qytet ka dashur të fluturojë tërë kohën. Ndoshta ngaqë e sheh qytetin nga sipër, ndoshta ngaqë është pjesë e fantazisë. Ndoshta nganjëherë kjo fantazi, edhe pa kufi, shpesh herë të bën që të thërrasësh në ndihmë atë që duhet, e në rastin konkret është aeroporti”, thotë Llambi Margariti.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=Po0RSGjEx1k?feature=oembed&w=640&h=360]

Ky aeroport, edhe pse sot pak ka formën e atyre tradicionalë që jemi mësuar të shohim, kishte një linjë të rregullt Tiranë-Gjirokastër-Tiranë. Në vitet ’30-’40 ka pasur funksion ushtarak dhe civil, e në të qëndronin mbi 30 aeroplanë. Menaxhimi i tij kaloi përmes gjermanëve, e më pas italianëve, të cilët krijuan linja edhe me Vlorën, Korçën e sigurisht Tiranën, por edhe me Italinë, ku fluturonin “charter”-a të posaçëm. Për gjirokastritët, ky transport ishte mëse normal, ashtu si aeroplanët që iknin e vinin me intensitet të lartë, deri në fund të Luftës së Dytë Botërore.

“Unë kam xhelozi për të parët e mi, të cilët nga mesi i pazarit apo nga qafa e pazarit kanë parë avionët e tij të uleshin, ndërsa unë, stërnipi i tyre, pas një shekulli nuk i shikoj më këta avionë”, thotë Blerim Kora, gazetar.

Sigurisht ky lloj transporti, gjatë kohës së komunizmit u ndërpre, duke u përdorur vetëm për qëllime ushtarake. U ringjall disi në vitet ’90 nga nje kompani amerikane, që kërkoi të riaktivizonte linjat e vjetra, por shkoi drejt shkatërrimit të plotë në vitin e mbrapshtë 1997, kur që nga kulla e vrojtimit, aparaturat e gjithçka tjetër dolën jashtë funksioni. E megjithatë, edhe në ato kohë fluturimet nuk do të ndalonin. Në këtë aeroport zbritën edhe Romano Prodi, Vranicki, Nano e Fino. Më pas gjithçka u la thuajse në harresë, veç pushtetit lokal që në mënyrë të vazhdueshme ka ndërmarrë nisma për ruajtjen e tij, siç është rasti i vendimit të bashkisë në vitin 2003 dhe qarkut në 2008-n, për ta shpallur zonë të mbrojtur aeroportuale. E kjo sigurisht i ka dhënë asaj frymëmarrje.

“Ka 1.300 metra pistë në gjatësi, 100 metra në gjerësi, ka rreth 100 mijë metra katrorë sipërfaqe piste, mbi 20 mijë metra katrorë të sipërfaqes së rakordimit, mbi 20 mijë metra katrorë sipërfaqe për parking dhe ambiente të tjera shfrytëzimi. Të fillojmë nga avionët sportivë, ‘charter’, pas një ndërhyrjeje shumë të vogël, sidomos një rulim dhe prerje barërash, pra një sistemim deri në 30 vendesh”, thotë Bexhet Çobani, inxhinier.

Sot degradimi është i madh, sidomos në pistë, e cila dukshëm ka nevojë për ndërhyrje për shkak të hyrjes së automjeteve të ndryshme. Kanalet e drenazhimit janë thuajse jashtë çdo funksioni, e po ashtu rrethimi që ka dëmtime jo të pakta. Dora e fundit e shtetit duket se ka qenë te vendosja e blloqeve të betonit, që mbinë mbi pista në të gjithë vendin pas alarmit të transportit të drogës përmes ajrit.

Godina kryesore ka një pamje më të mirë, pas restaurimit të bërë nga italianët vite më parë. Megjithatë, gjirokastritët e mbajnë mend që 80 vite më parë. Është e njëjta godinë, që qëndron si dëshmitare e kohës kur aeroporti nuk ishte i boshatisur. Sot është një ëndërr për të gjithë qytetin.

“Unë mendoj se do të shërbejë edhe për lidhje ndërmjet aeroporteve lokale funksionalë, megjithatë le t’i kalojmë edhe kufijtë e Shqipërisë, të themi rajonale më tepër. Për shembull mund të kemi fluturime Janinë-Gjirokastër-Tiranë, pse jo edhe Gjirokastër-Kukës-Prishtinë, pra do të jenë me lidhje të sensit rajonal. Njëkohësisht do të doja të theksoja se, do t’i bashkëngjitet të gjitha formave të tjera të transportit që kemi të zhvilluara këtu në Jug të Shqipërisë, siç është transporti rrugor apo ai detar në Sarandë, e do të shërbente si një portë hyrëse shtesë”, thotë Genti Ruspi, pedagog.

Projekti i qeverisë për të ndërtuar apo riaktivizuar aeroporte të tjera, veç atij “Nënë Tereza” në Tiranë, ka bashkuar intelektualët gjirokastritë, të cilët e shohin këtë si një mundësi të jashtëzakonshme zhvillimi. E kjo mbështetur jo thjesht në faktorin historik, por edhe në nivelin e përmbajtur të kostove. Sipas një studimi të kryer nga ekspertë italianë, kostoja për t’i dhënë Aeroportit të Gjirokastrës standardet e kërkuara me norma ndërkombëtare, nuk i kalon 5 milionë eurot. E kjo për atë që ofron Gjirokastra, sipas tyre do t’ia vlente.

“Të vizitosh Gjirokastrën nuk do të thotë ta vizitosh atë për disa orë. Të vizitosh Gjirokastrën do të thotë të kalosh një periudhë ndoshta disaditore, për të arritur të kuptosh se çfarë Gjirokastra ofron nga e shkuara e saj dhe nga ditët aktuale”, thotë Luis Seiti, guidë turistike.

Sot Gjirokastra është një nga qytetet më të frekuentuara nga turistët, një qytet me vlera të mëdha historike dhe kulturore, që sigurisht ka mundësi të ofrojë gjithmonë e më shumë. Përtej thjesht qytetit, e gjithë krahina ka mundësi të jashtëzakonshme, që ende nuk janë shfrytëzuar siç duhet. Nga historia e shkuar tek e sotmja ka mjaftueshëm gjurmë. Mbetjet e avionit të Dinos janë një pjesë, ashtu siç janë edhe ato që flenë me avionin e famshëm amerikan, që qëndron në kala si trofe i komunizmit. Këto janë tregues të dy periudhave, tashmë Gjirokastra pret të tretën: atë aktualen, me shpresën që të mos mbetet më vetëm në muze.

Riaktivizimi i aeroportit me histori mbi 80-vjeçare është kthyer sot në një ëndërr për të gjithë qytetin e Gjirokastrës, një ëndërr që gjirokastritët shpresojnë të mos përfundojë si aeroplani i drunjtë i Dino Çiços, që nuk mundi kurrë të fluturonte. /top-channel

The post Gjirokastra, qyteti që kërkon të fluturojë appeared first on Lajminet.

Comments
To Top