24,04,2024

Fshatrat e xhihadit: Si u rekrutuan të rinjtë shqiptarë për të luftuar në Siri

Must Read
ISIS, Ilustrim

I pari, bir i një gërmuesi pusesh emigroi herët në Greqi, ndërsa shoku i tij i fëmijërisë iku bashkë me familjen në Itali.

Më 28 janar 2013, dy djemtë rreth të 25-ave u takuan në Tiranë dhe vendosën të bëheshin ushtarë të Kalifatit pa lajmëruar askënd. Emrat e Ervis Alinj dhe Bledar Hamzës gjenden sot në listën e xhihadistëve shqiptarë, të cilët dyshohet se u vranë në Siri.

Tre vjet më pas, Hamdi Alinj- burrë i kërrusur, por me duar të fuqishme refuzon të mendojë se i biri ka vdekur. Që prej kohës së zhdukjes së Ervisit, ai ka dëgjuar aq shumë versione, sa në fund e ka ndarë mendjen të besojë se kushedi për ç’hall, i biri ka vendosur të qëndrojë në hije, larg familjes.

“Kam vite që nuk e kam parë, por shpirti ma thotë se është ende gjallë,” pohon ai, ndërsa sytë i shndrijnë nga një fije shprese që s’di ku të kapet.

Zhdukja në moshën 25 vjeçare e Ervis Alinj ndodhi pas një transformimi 3-vjeçar në frymëzimin e një linje të re të islamit, të cilën prindërit e tij nuk e kuptojnë. Hamdi Alinj i tha BIRN se i biri ishte një djalë i qetë, jetonte mes Shqipërisë dhe Greqisë, shkonte shpesh në xhami dhe refuzonte të hante mish të blerë në dyqan. Por nuk rriti mjekër.

Ervis Alinj u largua nga shtëpia pa i thënë askujt se ç’kishte në plan të bënte. Gjatë hetimit të saj, Prokuroria ka zbuluar se ai udhëtoi nga Tirana në Stamboll së bashku me Bledar Hamzën dhe tre djem të tjerë.

Në shtëpinë e ndërtuar prej tij në Leshnicë, prindërit kujtojnë se ai i mori tre herë në telefon gjatë shkurtit dhe marsit 2013 dhe më pas u zhduk pa gjurmë. Thoshte se ishte në Gjermani-por prindërit dyshonin Sirinë si destinacionin e tij.

Derisa një telefonatë anonime i lajmëroi se kishte vdekur.

Fshati Leshnicë, rreth 15 kilometra larg qytetit të Pogradecit është njëra prej tre vatrave të mëdha të rekrutimit të xhihadistëve të rinj në Shqipëri. Bashkë me dy fshatrat fqinje-Rrëmenj dhe Zagorçan, ai ka eksportuar drejt Sirisë 24 banorë të saj, mes të cilëve gra dhe fëmijë.

Xhamia e Leshnicës- godina më e lartë në zonë me minarenë që dallon nga çdo pikë e fshatit është shënjestruar për radikalizimin e të rinjve të fshatit dhe për frymëzimin e tyre për të shkuar në Siri. Megjithatë, tre vjet pas vales së madhe të largimeve, banorët nuk kanë ende një përgjigje se si feja u kthye në një lojë të rrezikshme për fatin e tyre, duke mpleksur një fshat të harruar si Leshnica me konfliktin më të madh global, që vazhdon prej katër vitesh të shkaktojë qindra-mijëra viktima.

Lajmërime vdekjesh pas radikalizimit

Fshatrat Leshnicë, Zargoçan dhe Rrëmenj, të cilët shtrihen në formën e një trekëndeshi përgjatë rrugës Pogradec-Korçë në juglindje të vendit kanë një nivel të lartë papunësie, ndërkohë që burrat dhe djemtë mbajnë tradicionalisht familjet përmes punës së vështirë sezonale në Greqi.

Por Hamdi Alinj refuzon ta lidhë largimin e të birit drejt Sirisë me varfërinë. Ai drejton gishtin ndaj Almir Dacit-imamit të xhamisë së fshatit të tyre dhe miqve të tij në Tiranë, për të cilët pretendon se e kanë mashtruar të birin.

Një mendim i ngjashëm ka zënë rrënjë në të tre fshatrat e prekura, ku gjatë tre viteve të fundit kanë mbërritur tre lajmërime vdekjesh. I katërti dyshohet se është Almir Daci, ish-imami i xhamisë së Leshnicës, i cili u raportua i vdekur nga familjarët e tij të dielën e 3 prillit.

Ai akuzohet gjithashtu, sipas një procedimi penal të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për radikalizimin e dhjetra të rinjve të zonës dhe rekrutimin e tyre për llogari të ISIS, si dhe për pjesmarrje në konflikte të armatosura.

Prindërit e Dacit, të cilët kanë hapur së fundi dyert e mortit i thanë BIRN në fund të marsit se djali i tyre “nuk ishte ndryshe nga të tjerët”.

“Është i varfër, njësoj si të tjerët këtu,” tha nëna e tij e imët dhe me fytyrë të zbehtë.

Familjarët e Almir Dacit, i cili po gjykohej në mungesë në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë thanë për mediat se i kishte telefonuar gruaja e Dacit nga Siria për t’u dhënë lajmin e keq.

Lajmërime të tilla kanë marrë disa banorë të fshatrave-njëri prej të cilëve ka hapur mort dhe e ka mbyllur sërish.

Lajmet kontradiktore që vijnë nga Siria kanë shkaktuar ankth edhe në familjen e Mariglen Dervishllarit.

“Nusja e djalit na mori në telefon dhe na tha se Marigleni vdiq i sëmurë. Në televizor dëgjuam se e kishin vrarë. Nuk dimë ç’të besojmë” thotë Fatmira, e mbështetur pas një porte druri në shtëpinë e saj ende të papërfunduar në Rrëmenj.

Njësoj si Hamdi Alinj, edhe Fatmira nuk e kupton transformimin e të birit dhe vendimin e tij për t’u larguar drejt një vendi të largët. Para vitit 2010, Marigleni ndihmonte të atin në ndërtimin e shtëpive në zonë. Më pas, ai u martua dhe nuk bëri asnjë punë.

Fatmira kujton ditën e martesës së të birit, nusja-vetëm 14 vjeç e gjysmë ishte e mbuluar kokë e këmbë me hijab, ndërsa burrë e grua u munduan të rregullonin letrat për shkak të moshës së saj të mitur.

Pas ikjes së Mariglenit, më 12 maj 2013, edhe bashkëshortja e tij me djalin e mitur u larguan pa i thënë askujt. Në Siri, çifti lindi edhe një djalë të dytë, të cilin gjyshja në Rrëmenj nuk e ka parë kurrë.

Fatmira tregon se në telefonatat e rralla me të, i ka kërkuar të kthehet në Shqipëri bashkë me nipërit e vegjël.

“Nuk kthehem kurrë më atje, e kam amanet t’i rris fëmijët këtu,” është përgjigjur prerë ajo.

Lënia në harresë

Almir Daci, një ish-imam nga Pogradeci, besohet se aktualisht lufton me ISIS-in në Siri.

Tre vjet pas largimeve drejt Sirisë, banorët e tre fshatrave të Pogradecit po përballen të vetëm me pasojat. Familjarët e të zhdukurve kërkojnë një rrugë për të gjetur trupat, ndërsa të tjerët shqetësohen për nipërit dhe mbesat që gjenden në Siri.

Megjithatë, askush nuk pret një dorë të shtrirë nga shteti.

Në Tiranë, autoritetet flasin për strategji në integrimin e të rinjve të radikalizuar dhe projekte sociale për lehtësimin e pasojave. Por familjarët e intervistuar i thanë BIRN se askush nuk ka trokitur në shtëpitë e tyre për t’i pyetur se çfarë problemesh kanë.

Integrimi i xhamive të rebeluara brenda strukturës së Komunitetit Mysliman është një tjetër çështje që shqetëson autoritetet në Tiranë. Por në Leshnicë dhe Zagorçan, ideologjitë radikale vazhdojnë të mbahen gjallë prej një grupi të izoluar djemsh, dikur rreth i ngushtë i Almir Dacit.

Në xhamitë e Leshnicës dhe të Zagorçanit, Komuniteti Mysliman ka emëruar dy imamë të saj, të cilët shfaqen aty vetëm gjatë faljes së të premtes. Ditët e tjera, xhamitë frekuentohen nga grupet e djemve të radikalizuar, mes të cilëve edhe një ish-luftëtar i plagosur, i kthyer nga Siria.

Hamdi Alinj i tha BIRN se është munduar shpeshherë të sqarojë rrethanat e zhdukjes së të birit me ta, por “ndërrojnë rrugë”.

“U bënë gati të iknin, por i kthyen mbrapsht,” thotë ai.

Në Pogradec, imami Edison Kuqo pohon se historia e Sirisë u ka shkaktuar shumë dëme, të cilat ata po përpiqen t’i adresojnë me vështirësi. Paragjykimet janë rritur, ndërsa prindërit po tërheqin fëmijët e tyre nga xhamitë.

Ai e përshkruan grupin e ndjekësve të Almir Dacit si “dele të ndara nga tufa”, ndërsa tregon se vetë ai u ka kthyer mendjen disa të rinjve që donin të iknin në Siri.

Sipas imamit, gjithë sa ndodhi shpjegohet edhe me edukimin e varfër apo formimin e cekët fetar të të rinjve, të cilët më pas mund të manipulohen lehtë.

“Jemi përpjekur shumë për t’i ndaluar ikjet në Siri. Kemi dalë me qëndrim të qartë kundër në xhami, por tani po vuajmë pasojat,” përfundon Kuqo. /reporter.al/

The post Fshatrat e xhihadit: Si u rekrutuan të rinjtë shqiptarë për të luftuar në Siri appeared first on Lajminet.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohet ish-zyrtari i gjendjes civile në Ferizaj, regjistroi shtetasin turk pa i plotësuar kriteret

Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Ferizaj, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore për një periudhë kohore,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img