Pusi i kontrollit ka një hyrje të vogël, të ndërtuar jo paqëllim të tillë, ndoshta për ta mbajtur të maskuar, duke qenë se edhe në kohët e hershme ujësjellësit konsideroheshin vepra të rëndësisë së veçantë. Shkallët e gurta të zbresin në fund të tij, ku veç pjesës kryesore të pusit, nëntokë vazhdon edhe një tunel i gjatë rreth 100 metra i veshur me gurë.
Ujësjellësi mendohet se është ndërtuar në shekullin e VI gjatë kohës së Perandorisë Bizantine, ndoshta gjatë mbretërimit të Justinianit të parë.
[youtube https://www.youtube.com/watch?v=TXK0ggzIbes?feature=oembed&w=640&h=360]
Sot ky monument është lënë në mëshirë të fatit. Jo vetëm punimet restauruese mungojnë, por as një tabelë e thjeshtë nuk tregon për këtë vend të rrallë. Në fakt, përtej elementeve historike, Gurra e Domgjonit lidhet edhe me jetën e përditshme të banorëve. Ujësjellësi i ngritur në vitin 1967 për të furnizuar me ujë të pijshëm dhe vaditës fshatin nuk ofron zgjidhje, e po kështu ka ndodhur me atë të nisur plot tre herë, e po aq herë të humbur rrugës në post vitet 2000.
“Shteti prurë fonde në 2001, 2003, 2005 dhe të tre herët na janë vjedhur. Janë me shkresa, janë me video. U kemi kasetën e punimeve, dmth këtu janë vjedhur lekët dhe askush s‘na jep llogari fare. Prokuroria thotë ka vjedhje të bollshme por ka pushuar çështjen“, thotë Nikollë Mark Kolaj.
E realitet është se kjo zonë, pavarësisht ecejakeve, vuan jo veç për ujë, por edhe nga harresa ndaj asaj që dikur ka qenë krenaria e këtyre anëve. Gurra padyshim shërbente për qytezën, siç e quajnë banorët një vendbanim të vjetër pranë fshatit. Edhe këtu jo vetëm nuk ka mirëmbajtje, por as nuk janë bërë kurrë gërmime arkologjike. Gjithçka ose është mbytur nga erozioni, ose është shkatërruar nga koha.
“Mos ta dije kush o burrë! Kush është kujdesur për këtë?! Askujt nuk i ka rënë në mend. Këtu Domgjoni ka nxjerrë njerëz që kanë themeluar gjuhën shqipe. S‘është kujdes asnjë njeri fare“, thotë Preng Lleshi, banor.
Ajo që është interesante e që lidh në mënyrë të pashmangshme historinë me aktualen është sërish Gurra. Nëse ajo u ngrit dikur për t‘i shërbyer qytezës, ajo shërben edhe sot për të garantuar furnizim për banorët e Domgjonit. Mesa duket paaradhësit e tyre menduan që në lashtësi për kohën kur Shqipëria do të ishte një vend çudirash, e ku fondet do të mund të përpiheshin në mënyrë të vazhdueshme e askush të mos vihej ballë përgjegjësisë.
„Në rast se nuk investohet i humb vlera fshatit. Do rrezikojmë ujin, nuk do të kemi perspektivë si fshat. Këtu mund të bëhet turizëm dhe të ketë jetë fshati“, shprehet Zef Laska, banor.
Të njëjtin fat pati edhe rruga e Domgjonit, që edhe pse kanë kaluar mëse 9 vjet nga fillimi i punimeve për ta lidhur fshatin përmes një aksi normal me Rrugën e Kombit, ende nuk ka përfunduar, ose më mirë gjithçka ka mbetur në vendnumëro. Ura qëndron si një karakatinë, kurse banorët duhet të kalojnë në atë të dikurshme, që gjatë dimrit jo pak herë bllokohet nga lumi.
“Ka mungesë infrastrukture. Rrugën e ka mbajt fshati vetë, banorët e fshatit, çdo vit, bile para nja katër-pesë ditësh, ose një javë a më shumë mos të gënjej, janë vënë gjithë shoferët që kanë makina, kanë shtruar fshatin rrugën prej gropave”, thotë Ndue Kolaj, banor.
Banorët kanë bërë mjaft investime me buxhetet e tyre, siç është një urë në brendësi të fshatit e ndërtuar me punën vullnetare dhe fondet e një emigranti dhe dy banorëve të zonës, kanë rikonstruktua kabinën elektrike e shumëçka tjetër që tregon lidhjen e tyre me këtë vend. Shumë letra u kanë dërguar edhe pushtetarëve për t‘u dhënë së paku një dorë ndihmë, por asnjë përgjigjie nuk ka mbërritur në këto anë.
Domgjoni i Fanit ka patur rreth 2500 banorë dikur, sot ata janë rreth 500. Si e gjithë krahina kanë pasuri natyrore të jashtëzakonshme, monumente të shumta, kanë traditën e kulturën e mbartur brez pas brezi si e gjithë Mirdita.
Mjafton të përmendësh faktin se familja e Gjergj Fishtës mendohet se është shpërngulur nga ky vend për t’u vendosur më pas në Fishte, ku edhe lindi ai që sot e quajmë edhe Homeri shqiptar. E megjithatë deri më sot këto resurse nuk kanë mundur t’i shfrytëzojnë.
E në këtë rast, historia përfundon aty ku filloi…tek Gurra e famshme. Ajo është treguesi sesi një punë e bërë mirë dhe pa korrupsion mund të mbijetojë edhe për shekuj me radhë duke qenë një vlerë e patjetërsueshme. Në të kundërt qëndrojnë investimet e kryera shpesh në tranzicionin e gjatë shqiptarë, që jo vetëm nuk mbijetojnë, por zhduken ende pa ardhur. /TopChannel
The post Shqipëri, ujësjellësi antik rrezikon të shembet (Video) appeared first on Lajminet.