Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Joby Warrick, libri i të cilit “Flamujt e Zinj – Rritja e ISIS-it”, ka fituar çmimin Pulitzer, çmimi më i lartë në gazetarinë amerikane, tregon se çfarë i ka nxitur qytetarët e rajonit të Ballkanit t’i bashkohen organizatës më famëkeqe terroriste.
“Disa prej tyre janë ndikuar nga propaganda në internet, disa nga radikalizmi i ngadalshëm, i cili ka zënë vend në këto rajone gjatë 10-15 vjetëve të fundit. Këto janë zona që s’kanë pasur ndonjë lëvizje islamike ose krah radikal të Islamit, derisa nuk kanë nisur luftërat civile në vitet 1990”, thotë Warrick.
Në muajin mars, Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se janë rreth 70 qytetarë nga Kosova, të cilët gjenden në vatrat e luftës në Siri dhe Irak.
Sipas shifrave zyrtare në Bosnje, 188 qytetarë të këtij vendi kanë shkuar për të luftuar në Siri – 50 prej tyre janë vrarë dhe 47 janë kthyer. Ngjashëm ka ndodhur edhe me dhjetëra qytetarë nga Maqedonia, Shqipëria dhe Serbia.
“Disa nga këta njerëz kthehen tani, pak të zhgënjyer, sepse nuk e kanë gjetur veten te Shteti Islamik. Megjithatë, ky është një problem, me të cilin Ballkani do të përballet për kohë të gjatë, sepse atje ka ndodhur një proces i radikalizmit, pjesërisht për shkak të Shtetit Islamik”, thotë Warrick, i cili flet edhe për origjinën e problemit në Kosovë dhe Shqipëri.
“Ka qenë ajo periudhë kohore në mes të viteve 1990, kur misionarë vahabi kanë shkuar në Shqipëri dhe në Kosovë për të ngritur xhami e medrese. Ata rekrutonin studentë të rinj dhe i dërgonin në Arabinë Saudite ose, në disa raste, në Turqi për trajnime fetare”.
“Disa nga këta individë janë kthyer në shtëpi dhe kanë ngritur xhamitë e tyre. Jam takuar me disa nga këta njerëz në burg në Shqipëri dhe ata janë në favor të ngritjes së mini-shteteve islamike në gjithë Ballkanin”, thotë Warrick.
Sipas tij, grupi militant Shteti Islamik, në formën që ka aktualisht, është rezultat i transformimit të një kryengritjeje të gjatë sunite, e cila ka pasuar pushtimin amerikan të Irakut në vitin 2003.
Warrick thotë se Shteti Islamik nuk daton nga viti 2014, kur ka nisur të pushtojë territore, porse farat e tij janë mbjellë më shumë se një dekadë më parë.
Warrick e lidh lindjen e tij me, siç thotë, gabimet që janë bërë kur SHBA ka ndërhyrë në Irak, “e papërgatitur për të menaxhuar një vend dhe e papërgatitur për të trajtuar konflikte etnike”.
Warrick thotë se në këtë mënyrë “është hapur dera për disa karaktere vërtet të këqija”, të cilat kanë nisur diçka që sot njihet si Shtet Islamik.
Grupit ekstremist, me kalimin e kohës, i janë bashkuar qindra shtetas të Azisë Qendrore dhe Rusisë dhe thuhet se rusishtja është gjuha më e folur nga militantët, pas arabishtes.
Warrick thotë se Shteti Islamik aktualisht numëron rreth 20,000 luftëtarë./rel
.