19,03,2024

Një përpjekje për rikuperimin e humbjeve në procesin edukativo-arsimor

Must Read

Shkruan: Nehat Mustafa, ish-zëvendësministër i Arsimit

Arsimi dhe Pandemia COVID – 19

Organizimi i procesit edukativo – arsimor në kushte pandemie ka përfshirë 3 vite shkollore, në periudha dhe intervale kohore të ndryshme. Secili nga vitet shkollore është goditur në masë të ndryshme, ku sigurisht pasojat më të mëdha kanë qenë në vitin shkollor 2019/20 , respektivisht katër mujori i fundit ( mars – qershor 2020 ) , kjo edhe për faktin se bota dhe rrjedhimisht edhe Kosova u ballafaquan me një situatë të paparë deri atëherë.

Pandemia COVID – 19 ka goditur të gjitha fushat e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, por sigurisht që vendet me zhvillim më të vogël ekonomik sikurse që është vendi ynë, me më shumë vështirësi kanë menaxhuar situatat e krijuara , duke u detyruar që shpesh herë të improvizojnë aktivitete edukativo – arsimore.

Në rastin konkret, ne do ndalemi tek pasojat e mëdha që i janë shkaktuar procesit edukativo – arsimor dhe e themi me bindje të plotë që përkundër përpjekjeve prapëseprapë nuk janë arritur as përsëafërmi rezultatet të cilat jo vetëm kanë qenë të dëshirueshme, por edhe ato të cilat kanë qenë të mundshme. Nuk është momenti që tani të kërkojmë fajtorët apo përgjegjësit se pse nuk është bërë më shumë ? Por, është momenti I fundit që të bëhet një analizë e detajuar për gjithë këtë periudhë dhe me theks të veçantë për vitin e fundit shkollor 2021 / 22.

Është e logjikshme që rezultatet e pritura të përcaktuara edhe me Kornizën e Kurrikulit nuk janë përmbushur dhe kjo falë edhe improvizime të vazhdueshme ( e për këtë mësimdhënësit janë më së paku fajtor ). Por, është e palogjikshme që nuk kemi një analizë se deri në çfarë shkalle janë përmbushur apo nuk janë përmbushur rezultatet e pritura.

MASHTI duhet të jetë më i hapur për bashkëpunim me njohësit e arsimit ( e jo të kufizohet vetëm në disa emra të caktuar ) dhe mbase nga debatet apo konsultat me ta mund të nxjerrë ndonjë propozim i cili do të mund të shërbejë në rikuperimin sado pak të humbjeve që janë shkaktuar në procesin edukativo – arsimor në 3 vitet e fundit shkollore. MASHTI duhet ta kuptoj që kapacitetet e brendshme që ka janë të pamjaftueshme për ta menaxhuar vet gjendjen e krijuar si rezultat i pandemisë COVID – 19.

Kosova dhe PISA

Këtë vit Republika e Kosovës për herë të tretë i nënshtrohet Testit PISA dhe sigurisht që pritjet nuk janë të mira, e kjo, jo për fajin e nxënësve dhe mësimdhënësve, por më shumë për fajin e institucioneve qendrore e komunale të cilat është dashur të krijojnë kushte për organizimin e mësimit alternativ dhe monitorimin se deri në çfarë shkalle është duke u realizuar kjo formë e mësimit.

Gjatë vitit 2011 dhe 2012, në cilësinë e atëhershme të zëvendësministrit të Arsimit pata udhëhequr negociatat dhe grupin punues për aplikim dhe anëtarësim të Kosovës me të drejtë që t’i nënshtroheshim edhe ne Testit PISA. Po gjatë vitit 2012, kisha fatin të drejtoja Konferencën e Parë Ndërkombëtare “ KOSOVA NË PISA 2015″ .

Pra, që atëherë kishim diskutuar e debatuar për rezultatet që mund t’i prisnim në vlerësimin e vitit 2015 ( të them të drejtën nuk prisnim rezultate të dëshirueshme) dhe se çfarë duhet të bënim në të ardhmen. Fatkeqësisht, kjo formë e diskutimit dhe e debatimit me ekspertë vendor e ndërkombëtar nuk është vazhduar në ritmin e njëjtë, e ku mbi të gjitha do të analizoheshin rezultatet e vitit 2015 ( të publikuara më 2016) dhe çfarë duhet bërë për të lëvizur në përmirësimin e këtyre rezultateve . Çfarë është më e keqe, këto rezultate ishin temë e diskutimit publik vetëm për disa ditë dhe radhë, apo ndonjëherë tjetër edhe prej partive politike kur ato donin ta përdornin këtë për motive politike , e jo se si të ndikonin në ngritjen e cilësisë në arsim.

Gjatë këtyre tre viteve shkollore ( që nga paraqitja e rasteve të para të pandemisë ) është proklamuar organizimi i mësimit online, por në realitet mënyra se si është realizuar kjo formë e mësimit më së paku ka qenë online ( në fazën e parë aspak ). Mësimi online është ajo formë e mësimit ku nxënësit ndjekin mësimin në klasë virtuale, pra duke iu përmbajtur orarit të plotë, por duke i ndjekur ato nga shtëpia. Fatkeqësisht, kushtet në vendin tonë nuk kanë lejuar një formë të tillë mësimi, prandaj pjesa më e madhe është mjaftuar duke kontaktuar vetëm me email me nxënës , pa ndonjë komunikim apo konsultim të mirëfillt, apo duke përdorur emailin si postë për përcjelljen e detyrave dhe kthimin e tyre prapa. Pra, për një periudhë të gjatë nuk ka pasur një sistem të mirëfillt monitorimi i cili do të tregonte se sa secili mësimdhënës ka kontaktuar drejtpërdrejt nxënësit e prindërit dhe sa janë arritur objektivat e kërkuara. Prandaj, kjo formë e mësimit nuk duhet trajtuar asnjëherë si mësim online, por mësim në distance e tipi të mbyllur. Përkundër faktit që dy viteve të tjera janë shënuar përparime në këtë drejtim, prapëseprapë analizat tregojnë se jemi shumë larg të dëshirueshmes.

Cfarë duhet bërë ?
Praktikat e deritanishme kanë dëshmuar se përgjithësisht në vendin tonë mjaftohemi me konstatimet se si është gjendja reale në një fushë të caktuar. Shpesh herë këto konstatime nxirren nga dëshirat apo motivet dytësore, por ka raste kur deri te këto konstatime arrihet pas një pune hulumtuese shkencore. Gjatë kësaj periudhe gati 24 mujore kemi dëgjuar dhjetëra e qindra herë konstatime nga institucione publike ( qendrore e komunale ), institute, shkolla, OJQ, prindër, ekspertë, analistë e pseudo ekspert e pseudo analistë.

Por, fatkeqësisht shumë pak kemi dëgjuar propozime konkrete se çfarë duhet bërë që të përmirësojmë këtë gjendje dhe sado pak ta riparojmë gjendjen reale që kemi, e shoqëruar me shumë humbje në procesin edukativo – arsimor.

Situata në të cilën gjendemi e ka kthyer Kosovën pothuaj në gjendje emergjente sa i përket fushës së arsimit. Rrjedhimisht, shoqëritë e konsoliduara ndaj situatave emergjente reagojnë si tërësi , ku secila palë përmbushë obligimin e vet. Por, në të gjitha rastet, iniciativat dhe planet e veprimit duhet të udhëhiqen nga institucionet përkatëse, e në rastin konkret nga MASHTI dhe DKA-të.
Duke analizuar situatën e krijuar për gjithë periudhën pandemike dhe duke u mbështetur në disa hulumtime të kryera nga QAPA (Qendra për Avancimin e Performancës së Arsimit ), kemi ardhur në përfundim se tanimë jemi në momentet më kyçe kur duhet hartuar plane konkrete për ta përballuar sa më lehtë situatën në të cilën jemi . Prandaj, për mendimin tim janë tre veprime urgjente që duhet bërë dhe të cilat publikisht ia propozoj MASHTI – it për shqyrtim. Nga ana e jonë nuk hezitojmë të pranojmë çfarëdo obligimi që mund të na kërkohet dhe jam i bindur se një gatishmëri të tillë e kanë të gjithë ekspertët e arsimit, DKA-të, universitetet publike e kolegjet private, mësimdhënësit e prindërit:

1. Testi Vlerësues ( Periudha e realizimit : mars – prill 2022 )
MASHTI duhet të nxjerrë vendim i cili përcakton në formë të prerë organizimin e testit vlerësues për të gjithë nxënësit e klasave 1 – 12. Që në fillim duhet të sqarohemi se ky test vlerësues nuk do të jetë sanksionues, por më shumë do të luante rolin e vlerësimit të arritjeve të rezultateve të pritura në nivel klase e lënde dhe në nivel kompetence. Testi duhet të jetë i standardizuar dhe DKA e shkollat do të obligoheshin për ta administruar. Mbas përfundimit, secili mësimdhënës duhet të kontrolloj testin për secilin nxënës, duke përcaktuar se cilën shkallë të rezultateve kanë arritur sipas kriterit që e përcakton hartuesi i testit (MASHTI – DSMV). Varësisht prej rezultateve për secilin nxënës , mësimdhënësit dhe shkollat me ndihmën e DKA -ve organizojnë mësime plotësuese që nxënësit ti plotësojnë mangësitë e treguara nga testimi. Pra, kjo në shikim të parë duket një veprim i pamundur, por me një mobilizim të përgjithshëm dhe sigurisht edhe me mund të konsiderueshëm kjo mund të arrihet. Pra, qëllimi i këtij testi nuk është notimi i nxënësve, por identifikimi i mangësive që ata kanë në secilën lëndë.

Nëse përgatitjet fillojnë me kohë, atëherë organizimi i testit duhet të përfundojë deri më 15 prill 2022. DKA -të dhe drejtorët e shkollave duhet të kërkojnë përgjegjësi maksimale nga mësimdhënësit që të jenë korrekt në administrimin e testit, e jo që kjo të shndërrohet në garë mes mësimdhënësve e klasave se kush po del më i mirë e kush po lejon më shumë kopjim. Rezultatet do të jenë individuale e jo në nivel klase.

2. Formimi i Grupeve të Vullnetarëve të Mësimit Plotësues ( prill, maj dhe qershor 2022)

Pa dashur ti paragjykojmë rezultatet, jemi të bindur që ato nuk do jenë të dëshirueshmet. Por, kjo do të na ndihmojë jashtëzakonisht shumë, sepse do na ndihmon ta kemi një vlerësim real për nivelin e njohurive që kanë përvetësuar nxënësit. Varësisht rezultateve duhet planifikuar edhe mësimi plotësues individual apo grupor, varësisht rezultateve që kanë treguar. Jemi të vetëdijshëm që mësimdhënësit e rregullt do ta kenë të pamundur të organizojnë gjithë mësimin plotësues që do të jetë i nevojshëm, prandaj për këtë kërkohet formimi i Grupeve të Vullnetarëve.

Kush janë Grupet e Vullnetarëve dhe kush i formon ato ?

Në Grupet e Vullnetarëve do ë bënin pjesë të gjithë ata profesionist që kanë të përfunduara së paku studimet bachelor e të cilët janë të papunë. Duke ditur që mundësia e pagesës për ta është pothuaj e pamundur, atëherë duhet kërkuar prej tyre që angazhimi i punës me nxënës në mësimin plotësues të jetë vullnetarë. Me një vendim, MASHTI duhet të përcaktoj se kjo periudhë e punës vullnetare do të njihej si periudhë e punës provuese.

Formimi i Grupeve të Vullnetarëve duhet të jetë përgjegjësi e DKA-ve dhe në raste të caktuara edhe e shkollës. Secili vullnetarë duhet paraprakisht të nënshkruaj një kontratë zotimi ku përcaktohen obligimet dypalëshe. DKA do të obligohej që në të ardhmen të merrte parasysh secilin vullnetarë gjatë konkurseve të rregullta, duke u ndarë një numër pikësh që përcaktojnë periudhën e angazhimit të tyre vullnetarë në mësimin plotësues.

3. Këshilli i Prindërve për Arsim Plotësues (KAPA)

Një aktivitet kaq i gjerë dhe një ndryshim kaq i dëshirueshëm do të ishte pothuaj i pamundur pa ndihmën e prindërve. Fatmirësisht, tanimë shumica e prindërve kanë të mbaruara studimet bachelor dhe ata do të ishin një ndihmesë e madhe . Këshillat e Prindërve janë në çdo shkollë e çdo komunë, por roli i tyre deri më tani nuk ka qenë ai i përfshirjes së tyre në mënyrë të sistematizuar në mësimin plotësues.

Prandaj, DKA – të dhe shkollat së bashku me këshillat përkatëse do të themelonin Këshillin e Prindërve për Mësim Plotësues, i cili këshill do të mbante kontakte të vazhdueshme me mësimdhënësit , grupin e vullnetareve dhe prindërit e nxënësve të caktuar. Qëllimi kryesor i KAPA do të ishte vetëdijesimi i prindërve mbi rëndësinë e punës edukativo – arsimore që ata duhet ta bëjnë në shtëpi me fëmijët ë tyre. KAPA do të ishte një adresë ku prindërit e caktuar mund të drejtoheshin në rastet kur para tyre paraqiten vështirësi në punën me fëmijët e tyre , duke e bërë kështu më të lehtë kontaktin me Grupin e Vullnetarëve të lëndës përkatëse.

Jam i bindur që propozime kanë një shkallë të gjerë vështirësish deri në implementimin e plotë. Por, shoqëritë dhe institucionet që duan të bëjnë më të mirën duhet sfiduar vetën me veprime të cilat mbase nuk janë menduar asnjëherë në të kaluarën. Kjo është vetëm një ide prej nga dhe si mund të fillojmë këtë periudhë të vështirë ndryshimi, ide kjo e cila mund të plotësohet dhe përmirësohet deri në implementimin sa më të mirë.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Voziti me patentë të konfiskuar, gjobitet 25-vjeçari me 300 euro dhe i vazhdohet masa për 6 muaj të tjerë

Është gjobitur një 25-vjeçar në Ferizaj, i cili u zu nga policia duke vozitur kur atij iu kishte ndaluar...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img