29,04,2024

Nderimi i një figure emblematike si Ismail Kadare nderon vetë qytetarët dhe qytetin e Ferizajt

Must Read

Nderimi i një figure emblematike të Kombit tonë me një nga çmimet kryesore që jep Ferizaj, konsideroj, se një veprim i tillë, më shumë se Ismail Kadarenë, na nderon vetë neve, kuvendarëve, organet komunale, qytetarët tanë dhe Qytetin e Ferizajt.
Na nderon, sepse figura e shkrimtarit tonë të mirënjohur paraqet një vlerë kombëtare, e cila kaherë ka kaluar kufijtë e vendit dhe të kombit dhe është shndërruar në një vlerë mbarëbotërore, që në thelbin e saj reprezenton denjësisht kulturën, artin dhe traditën tonë shqiptare.
Ismail Kadare, me mjeshtërinë e tij të të shkruarit, para botës ka shpërfaqur esencën e qenies sonë kombëtare, duke u shndërruar në një nga ambasadorët tanë më të mirë të kulturës, artit, letërsisë dhe të vlerave tona kombëtare. Ai, ndër të tjera, botës i tregoi se kombi ynë ka pasur, ka dhe do të ketë njerëz, që kapërcejnë kohën e tyre dhe bëhen prijatarë të ndryshimeve në të mirë të vlerave, parimeve dhe koncepteve demokratike. Ai, në mënyrë të pashembullt, me mjeshtërinë e tij, me artin dhe me erudicionin e tij, arriti të bëhej qendër e krijimit artistik letrar, me vlera universale, në një kohë kur ky lloj i krijimit ishte thjesht në funksion të angazhimit politik të asaj kohe.
Ai, me veprat e tij, theu barrierat e socrealizmit, që partia në atë kohë kishte vënë për krijuesit dhe u tregoi, shqiptarëve në radhë të parë, por edhe gjithë botës pastaj, se kombi ynë ka një shpirt krijues, të ndërtuar ndër shekujt dhe mileniumet e ekzistencës së vet.
Ai, kombi ynë, pra, para së gjithash, në konceptin e tij nuk është në funksion të regjimeve që e qeverisin, por në funksion të idealeve dhe vlerave njerëzore që ka shpërfaqur dhe ka rrezatuar gjithmonë. Ismail Kadare arriti që në rininë e tij të ndërtonte personalitetin e krijuesit me një nga veprat monumentale sot në letërsinë shqiptare dhe botërore, siç është Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Edhe pse, në shikim të parë, dukej se kjo vepër i bënte elozhe një sistemi që kishte fituar luftën dhe përçmonte humbësit, shumë shpejt u pa se mbi këtë ide dhe, më shumë se kaq, kjo vepër, në diskursin tekstor e nëntekstor të saj, përmbante dramën e një populli, që, në të shumtën e historisë së tij, kishte qenë i pushtuar, derisa në brendësinë e vet kishte krijuar individin që njihte dhembjen, para se të njihte hakmarrjen. Me veprën e tij, e njohur si vepër e parë e tij, Përbindëshi, Kadare kishte arritur që në një mënyrë të përkryer ta shpërfaqte jo vetëm historinë tonë të lashtë kombëtare, por edhe forcën dhe mizorinë e pushtetit dhe regjimit autoritar. Ai shumë shpejt doli para kombit dhe botës me veprën e tij, Kështjella, nëpërmjet së cilës botës i tregoi se populli ynë ka një zemër të madhe dhe të guximshme, që i bën ballë çdo pushtuesi, sado i madh dhe i fuqishëm qoftë ai, sepse, më shumë se jetën, populli ynë çdoherë e deshi lirinë.
Ai nuk u ndal me kaq. Me penën e tij krijoi mrekullitë letrare-artistike, duke i demaskuar qeveritë autoritare, si në Dimrin e vetmisë së madhe, ku, me një perfeksion krijues, rrëfente për kotësinë e këtyre regjimeve, si te Pallati i ëndrrave. Me fuqinë e tij të një kolosi të letrave, ai ndikoi në përfundimin e këtij sistemi autoritar, duke emigruar në një vend të botës demokratike, veprim të cilin pothuajse hapur e kishte paralajmëruar te vepra e tij e fundit nën këtë sistem, Ftesë në studio.
Ai vazhdoi tutje, edhe larg atdheut, që në veprat e tij për subjekt trajtimi të kishte pikërisht qenësinë tonë kombëtare shqiptare. Ai i tregoi botës me diptikun e tij, Vajza e Agamenonit dhe Pasardhësi, se çfarë ndodhte brenda mureve të një regjimi autoritar, të mbyllura hermetikisht për publikun, ndërsa me veprën e tij Aktori, në një mënyrë të mrekullueshme, ai shpërfaqte dramën e individit përballë diktaturës, me tërë dhembjen dhe tragjedinë shpirtërore e personale që përmbante ajo.
Dhe, kjo nuk është e tëra.
Vepra e tij voluminoze përmban edhe shumë romane, drama, poezi e shkrime publicistike dhe eseistike, ku ai, me mjeshtërinë e tij gjeniale, u bënte karshillëk shkrimtarëve më të njohur të botës, si: Kafkës, Kunderës dhe shumë e shumë të tjerëve. Ai në këto vepra, duke pasur për subjekt gjithmonë qenien tonë kombëtare, na tregoi, neve dhe gjithë botës, se çfarë nënkuptonte të ishe njëkohësisht , sa afër, po aq dhe larg botës demokratike. Ai na tregoi se si ishte të ishe një shkrimtar nën diktaturë, ku nuk i lejoje vetes të të vinin kufij dhe ku çdoherë duhej të përpiqeshe t’i thyeje ata e të veje tutje. Ai, thjesht, neve dhe botës, na tregoi se çfarë ishte, çfarë është dhe çfarë do të thotë të jesh pjesëtar i një kombi dhe vendi, që, nga fqinjët dhe të tjerët, gjithmonë ishe konceptuar si vend dhe komb i cili duhej të privohej nga liria e tij, madje edhe deri nga e drejta për jetë.
Gazmend Bytyqi, këshillëtar në Asamblenë Komunale të Ferizajt

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gjendet i vdekur një person në Entin Special në Ferizaj

Një person ka vdekur në Entin Special në Ferizaj. Këtë e ka bërë të ditur Drejtoria Rajonale e Policisë...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img