19,12,2024

“Ishte Dashuria!”… Leandro, Djaloshi Shqiptar që Mposhti Autizmin

Must Read

Leandro Toçi është kthyer tashmë në një motivim të fortë për të gjithë fëmijët që si ai, trajtohen në qendrën e Autizmit. Historia e 7-vjeçarit dëshmon se autizmi mund të mposhtet.

Dhe mund të mposhtet vetëm me dashuri.

Familja e vogëlushit është përballur me shumë sakrifica, por të gjitha ia kanë vlejtur. E ëma tregon mes lotësh sesi nga një fëmijë që nuk fliste dhe nuk të shikonte në sy, sot ai flet si gjithë fëmijët e tjerë dhe të zgjat faqen për t’ia puthur, duke buzëqeshur. “Falënderoj Zotin çdo ditë, madje edhe vetë Leandro bashkë me mua, i thotë: Faleminderit që më ke shëruar. Shëro, të lutem, edhe fëmijët e tjerë”, dhe ua përmend emrat një e nga një”. Mes historive gri të autizmit, ajo e Leandros jep shpresë për qindra familje në Shqipëri.

Nga e hëna në të premte, një orë në ditë, Leandro i nënshtrohet terapisë me Iris Cengon, psikologe zhvillimi, që tashmë është kthyer në pikën e tij të orientimit. Ajo tregon se, në fillim, Leandro i ka pasur të gjitha shenjat e autizmit. Ndërsa sot ai ka përparuar mjaft.

“Nuk fliste, nuk kuptonte, nuk të shikonte në sy. Bashkë kemi hyrë në marrëdhënie falë një loje, duke përsëritur fjalët. Aty filloi që të ndryshonte, filloi të krijonte besimin që i mungonte, pasi kishte shumë frikë nga fëmijët, të rriturit, ambienti, gjithçka. Një hollësi që më bëri të mendoj se Leandro do të përparonte, ishte aftësia e tij për të zgjidhur një problem. Ndërsa luante me kuba, dhe unë nuk isha me të, kuptoi vetë se kubi i madh duhej para të voglit. Kjo aftësi më bëri të mendoj se ai vërtet do të përmirësohej”.

Irisi tregon se pas 4 vjetësh terapi, Leandro ka përparuar mjaft dhe vitin e ardhshëm do të fillojë shkollën.


“Ai ka një aftësi të madhe për të dashur shumë të tjerët. Kjo është e veçanta e tij. Tani që po flasim, vogëlushi bën veprime logjike, ka filluar të shkruajë, vizaton. E ka shumë të zhvilluar komunikimin, flet shumë mirë, siç mund ta dëgjoni edhe vetë. Është një fëmijë shembullor”.

Një familje që përballet me autizmin përjeton një dramë që e shkund të gjithën dhe Flora Toçi, nëna e Leandros, e di shumë mirë këtë. Ajo dhe fëmijët e tjerë lanë një jetë të tërë të ndërtuar në Greqi, për të ardhur në Shqipëri, për kurimin e Leandros. Bashkëshorti vazhdon të punojë në Selanik.

“Leandro ishte një fëmijë i shëndetshëm, pa asnjë lloj problemi, deri afër moshës 2-vjeçare. Gjithçka ndodhi brenda një jave dhe nuk arrita të kuptoj asgjë, si dhe pse ndodhi ajo që ndodhi. Ne ishim shumë të rregullt me vizitat te mjeku”.

Pas ndryshimit të beftë të djalit, mjeku tha se duhet të presim moshën 3 vjeç për të përcaktuar situatën.

Vendosëm të kthehemi në Shqipëri dhe në Tiranë u përcaktua që Leandro i përkiste spektrit të autizmit. Atëherë vendosëm familjarisht që unë me djalin e vajzat të qëndrojmë këtu, pasi në Greqi, për shkak të gjuhës, do të ishte shumë e vështirë për Leandron.

Unë në fillim i kisha humbur shpresat. As nuk e mendoja që do të bëhej kështu. Djali thjesht përsëriste fjalët, pa i kuptuar fare, acarohej, frikësohej dhe nuk komunikonte me njeri. E sollëm në qendër dhe jam shumë e kënaqur, pasi qysh në fillim psikologia më tha se Leandro do të përmirësohej.

Sot jam shumë e lumtur dhe nuk kam fjalë për ta përshkruar”.

Flora tregon se, veç terapisë, nuk ka përdorur asnjë lloj medikamenti për djalin e saj. Ndërkohë Irisi thotë se medikamentet që përdoren për autizmin kanë rol në hiperaktivitet, në problemet gastrointestinale dhe ndihmojnë në terapinë kryesore, por nuk kanë ndikim tek autizmi vetë, si çrregullim.

A nuk është Dashuria, dhurata më e çmuar që kemi nga Zoti?

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img