25,11,2024

Shënohet përvjetori i 18-të i themelimit të kazermës së parë të UÇK-së në Shtime

Must Read

Shtime, 6 maj 2016 – Me rastin e përvjetorit të 18-të të themelimit të Kazermës së Parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dje në fshatin Pjetërshticë, u shënua kjo ditë historike për trevën e Shtimes e më gjerë. Fjalën hyrëse në këtë manifestim e mbajti, kryetari i Nëndegës së Veteranëve të UÇK-së së fshatit Pjetërshticë, z. Agim Dugolli, i cili fillimisht përshëndeti të gjithë të pranishmit. “Sot është festë për të gjithë, prandaj ne jemi bashkuar këtu të gjithë, sepse kjo kazermë ishte e gjithë neve dhe kontributi i luftëtarëve të lirisë ishte për lirinë e të gjithë qytetarëve. Në këtë shtëpi të vëllezërve Amrushi ishte kazerma e parë e Batalionit “Ruzhdi Salihu”, komandanti i së cilës ishte Ramiz Qeriqi – komandant Luani. Kjo shtëpi gjatë gjithë luftës, që nga fillimi e deri në përfundimin e saj ishte kazermë dhe në funksion të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Dugolli

Ndërkaq, z. Latif Musolli, ish-kryetar i OVL-së në Pjetërshticë, foli për historikun e kazermës së UÇK-së në fshatin Pjetërshticë, i cili tha se: “Kjo shtëpi e pronarit Osman Amrushi, që nga vitet e 90-ta ishte bazë e grupit gueril. Sot, po bëhen 18 vite në Pjetërshticë që nga Njësiti i UÇK-së të udhëhequr nga Ramiz Qeriqi, komandant Luani, i cili me bashkëluftëtarët e tij themeloi kazermën e parë ushtarake të Batalionit të Dytë “Ruzhdi Salihu” dhe i doli përballë forcave ushtarake dhe policore serbe më 14 qershor me aksionet e para nga ushtarët e këtij njësiti. Aksionet e para u morën në Grykën e Carralevës. Merita të mëdha kishte komandant Luani me njësitin e përgatitur, ku ju shkaktoi dëme të mëdha forcave të armikut. Në këtë kazermë, çdo mëngjes ngrihej flamuri kombëtar, këtu u dha betimi, këtu ishte qendra stërvitore e pjesës rezervë të UÇK-së, në shkollë ishte spitali ushtarak pastaj kaloi në Grykën e Krojmirit dhe një skuadër në Pjetërshticë. Në kuadër të Batalionit të Dytë, funksiononte edhe sektori i logjistikës, ishin të aktivizuar dy mullinj në Grykën e Pjetërshticës dhe të Krojmirit. Batalioni ynë në fillim nuk kishte emër. Ishte marrë vendim që ushtari i parë që bie dëshmor të pagëzohet me emrin e tij. Dëshmori i parë në komunën e Shtimes është Ruzhdi Salihu, atëherë pas rënies së tij batalioni ynë merr emrin e dëshmorit Ruzhdi Salihu. Për vendosjen e kësaj pllake, ku nuk jemi tubuar rastësisht, iniciativa e parë ishte nga Ramiz Qeriqi, komandant Luani dhe Latif Musolli, pastaj është themeluar Këshilli Organizativ dhe është bërë vendosja e pllakës. Gjatë kësaj periudhe kohore, Kryesia e OVL-së në Pjetërshticë ka ngritur dy pllaka, për dëshmorin Azem Kastrati dhe Besim Sopaj. Nga ky batalion shumë djem u rreshtuan për t’u armatosur dhe shkuan në Shqipëri. Me 14 dhjetor të vitit 1998 gjatë rikthimit, bie në pritë nga forcat serbe, në kufirin më të rrezikshëm Kosovë-Shqipëri, ku ranë 42 dëshmorë, ndërsa prej batalionit “Ruzhdi Salihu” ishin 12. Po ashtu themelues i kësaj kazerme ishte edhe dëshmori i UÇK-së Rrahman Tafa”, tha Latif Musolli
Në vazhdim fjalën e mori kryetari I komunës së Shtimes, z. Naim Ismajli, i cili pasi përshëndeti të pranishmit tha: “Jemi këtu bashkërisht të përkujtojmë një ditë të rëndësishme, Ditën e Shtabit të UÇK-së në Pjetërshticë, i cili u formua më 5 maj të vitit 1998 dhe deri në mbarim të luftës, ishte një ndër pikat më të fuqishme, më të konsoliduara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E them këtë duke pas parasysh se ky shtab nuk ishte i vetmuar dhe nuk ishte i braktisur nga qytetarët, secila shtëpi ishte në mbështetje të fuqishme dhe inkurajim dhe nuk kursenin asgjë, edhe pse ishim afër dhe shpesh atakoheshim nga granatat. E them i konsoliduar sepse në këtë pikë kishte rend ushtarak, ishin dhomat që ju përkisnin ushtarëve, ishte kuzhina në funksion të tyre, ishte pjesa e furrës së bukës që gatuante jo vetëm për ushtarët, por edhe për Shtabin Përgjithshëm e më shumë. Prandaj edhe është si pikë e veçantë. Për këtë janë meritorë në radhë të parë ushtarët, në krye me komandantin Ramiz Qeriqi-Luani, por njëkohësisht janë shumë me vlerë dhe kontribut qytetarët e Pjetërshticës. Kemi ndjenja dhembje për dëshmorët e rënë të UÇK-se, por krenar që përjetuam Luftën e UÇK-së, luftë kjo që përfundoi me çlirimin e popullit dhe shtetit të Republikës së Kosovës, i cili po ndërtohet mbi bazën e gjakut të Dëshmorëve të UÇK-së dhe qëndresa e shtetit të Kosovës do të jetë e forte”, tha kryetari Ismajli. Në fund kryetari Ismajli para të pranishmëve tha se në bashkëpunim me Shoqatat e Dalura nga Lufta e UÇK-së kanë marrë vendim që dy pikat simbolike, dy shtabet muze të UÇK-së, në Pjetërshticë dhe Rancë do të jenë të shpallura me vendim të veçantë, në fund të muajit maj të këtij viti. Ai përgëzoi të pranishmit për organizimin.
Nesret Salihaj, kryetar i OVL-së në Shtime përshëndeti të pranishmit dhe tha: “Sot është një ditë feste, një ditë lavdije, para 18 vjet pikërisht në këtë shtëpi që tani duket e vogël, por atëherë e madhe, e cila ishte bërë një adresë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në të cilën adresë janë tubuar shumë vullnetarë, shumë dashamirës të lirisë, pasi lufta në Drenicë kishte filluar. Shtabet kishin filluar të legalizoheshin, pra sot 18 vite më parë i kishte ardhur radha edhe Shtabit të Pjetërshticës që të legalizohet ku filloi me shumë pak njerëz, ku printe Ramiz Qeriqi-Luani me disa ushtarë, ku shumë shpejt e rriti numrin. E ka vlerën e vet se ishte një adresë e saktë e UÇK-së dhe për atë arsye kjo ditë duhet të jetë ditë feste sepse kemi pas shumë vuajtje shumë dëshmorë që kanë ra, kemi ditë të dhimbshme dhe meritojmë të kemi ditë festave. Falënderoi kryetarin e Komunës, i cili zyrtarizoi këtë pikë dhe pikën e Rancës dhe shpresoj që shumë shpejt të bëhen e investime, tha kryetari i Degës së OVL-së së Shtimes, z. Salihaj
Ndërsa, z. Ramiz Qeriqi, i njohur në popull me pseodonimin “Luani” në këtë manifestim tha: “Ju përshëndes dhe ju falënderoi për organizimin që po bëni për nder të 5 Majit, Ditës së Kazermës dhe po i ftoni të gjithë ata që ishin pjesë e kësaj kazerme. Ju jam mirënjohës që po shënoni këtë ditë historike për ju dhe për Batalionin e II-të “Ruzhdi Salihu”. Ky batalion u lind në Krojmir, u rrit në Pjetërshticë, mësoi në Carralevë, tregoi në Koshare me thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar. Shpesh herë e kemi përmendur se kjo shtëpi-kazermë ishte e jona nga vitet e 90-ta, atëherë ishte ëndërr për ne, mirëpo u bë realitet edhe pse kishim pengesa që nga fillimi edhe gjatë përgatitjeve për luftë guerile prapë ia arritëm qëllimit, erdhëm, u vendosëm dhe filluam luftën frontale. Kjo kazermë ushqeu ushtarë të suksesshëm, dëshmorë dhe komandantë të sinqertë, luftëtarë besnikë që luftuan për çlirim dhe bashkim kombëtar, për një flamur, për një liri për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Edhe sot jemi krenarë që ishim pjesë e kësaj kazerme. Ju kujtohet juve, ata që vinin në këtë kazermë me qëllime të këqija iknin shpejt. Këtu hilexhitë nuk kishin vend, iknin me kokë ulur e dini ju se kush ikte. Ishim krenarë atëherë dhe jemi sot. Askush nuk na bënë me gisht për të keqe. Jemi krenarë sepse dhamë për luftën dhe nuk u pasuruam në emër të luftës. Jemi krenarë sepse ashtu siç ishim të bashkuar atëherë jemi të bashkuar edhe sot. Ju e dini se gjatë luftimeve kishim shumë beteja, të cilat i fituam duke qenë të bashkuar, ndërsa betejën më të madhe e fituam në këtë vit, duke mbrojtur punën dhe vlerat tuaja. Ata që bënin sehir gjatë luftës, deshin të bënë sehir prapë, por mbeten të turpëruar. Mos të flasim për të mjerë, të cilët siç ishin të mjerë gjatë luftës, janë të mjerë edhe sot. Ne si komandë arritëm t’i mbrojmë vlerat e Batalionit të II-të “Ruzhdi Salihu” duke nxjerrë historiatin nga arkivat e batalionit, për t’i mos mbetur borxh askujt dhe nënshkruam dokumentin historik, ndërsa nënshkrues të këtij materiali historik ishin: Ramiz Qeriqi, Murtez Sylejmani, Halil Olluri, Ramadan Behluli, Latif Musolli, Shaban Mustafa, Shaban Zeqiri, Elvir Mehmeti, Dalip Durmishi, Selman Idrizi, Alush Amrushi, Aziz Amrushi, Fazli Ismajli, Shyqeri Iballi, Mehdi Zeqiri, Bekim Limani, Ismet Balaj. Ky batalion kishte një numër të madh të luftëtarëve, ishin 19 dëshmorë që ranë në beteja e prita të ndryshme. Në operativ ishin mbi 250 ushtarë, në logjistikë 98 duke përfshi, mjekësinë, furnizuesit, kuzhinierët, automekanikët etj., 115 ishin pjesë rezervë e batalionit kryesisht ishin të rinj, të cilët u përgatitën fizikisht, faktikisht psikikisht, por në mungesë të armatimit shërbenin me armë të huazuara dhe zbatonin çdo urdhër që vinte komanda a batalionit. 15 ishin shtab civil, të cilët i shërbenin komandës së batalionit, 21 ishin pjesëtarë, herë herë ndihmonin furnizuesit, 31 janë kontribut-dhënës shumica janë gra, vajza të cilat kontribuan me punë të ndryshme me ushqim, pastrimin e rrobave etj. Ne jemi munduar të vlerësojmë të gjithë ata që kontribuan në luftën tonë çlirimtare kundër pushtuesit serb. Shpresoj të mos i kemi mbetur borxh askujt. Faleminderit ju përshëndes të gjithëve”, përfundoi ish-komandanti i UÇK-së, Ramiz Qeriqi – Luani.
Organizatorët e këtij aktiviteti ndanë edhe mirënjohje për themeluesit dhe ushtarët e parë të kësaj kazerme. Me mirënjohje u shpërblyen: Ramiz Qeriqi, Ali Gashi, Sejdi Spahiu, Ramadan Behluli, Alush Amrushi, Flurim Bllaca, Gani Kastrati, Daut Mziu dhe dëshmori Rrahman Tafa (Post-mortum). Në fund të manifestimit u shfaq një program i pasur kulturo-artistik.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Verona Kryeziu, shpallet fituese e Festivalit “Kosovarja Këndon” 2024

Festat e Nëntorit nisëm me Festën e Këngës Popullore - edicionin e 52-të të Festivalit "Kosovarja Këndon" Me këngë shpirti,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img