Uncategorized

Zbulohet motivi i seks-skandalit


Publikuar më:


 

Në gjithë këtë skandal, duket se tashmë edhe policia dhe prokuroria pritet të kenë rolin e tyre, pasi nga të dhënat e para mësohet se vajza me familjen e saj janë marrë në mbrojtje. E ndërkohë që familja e denoncueses së rastit skandaloz janë marrë në mbrojtje, ende nuk dihet se si e ka pritur familja e ish-kryebashkiakut atë video, ndërsa Shukriu është babai i dy djemve dhe i një vajze. Burimet policore saktësojnë se mbrojtja dhe vëzhgimi për familjen A, ka nisur që mbrëmjen e së premtes, ndërkohë që pritet një vendim gjykate në lidhje me mbrojtjen konkrete të vajzës dhe të familjes së saj; dy prindërve, motrës dhe vëllait, pasi Anisa është edhe fëmija i vogël i familjes A.

Mbrojtja

Me kërkesë të prokurorisë, policia ka marrë masa mbrojtëse për vajzën e videoskandalit seksual të ish-kreut të Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili. Ndërkohë përgjatë dy ditëve të fundit në rrjete të ndryshme sociale janë publikuar fotot e vajzës, komente kërcënuese e fyese ndaj saj, fakt ky që ka bërë policinë të marrë edhe masat paraprake mbrojtëse për të dhe pjesën tjetër të familjes. Burimet e policisë tregojnë se është mbajtur nën mbikëqyrje dhe do të mbahet edhe në vazhdim, me një numër të caktuar punonjësish policie, shtëpia në të cilën banon familja A, ndërkohë që ende nuk bëhet me dije se kush janë kërcënuesit e vajzës dhe të familjes së saj. Kështu burimet e prokurorisë së Peshkopisë bëjnë të ditur se vajza e videoskandalit të kryetarit të shkarkuar, Shukri Xhelili, ndër të tjera është marrë sërish në pyetje, duke qëndruar korrekt pretendimeve të saj që në fillim në lidhje me motivin e publikimit të videos. Do të jetë gjykata që do të vendos mbi fatin e mbrojtjes së 21-vjeçares, Anisa, ndërsa Krimet e Rënda pritet të marrin nën hetim pikërisht dy akuzat për të cilat do të hetohet Shukriu, personi më i përfolur në tri ditët e fundit në vendin tonë.

Hetimet

Pavarësisht se pretendohet se ka qenë nëna që ka punuar dhe është pushuar nga puna nga Shukri Xhelili, sipas të dhënave që vijnë nga Dibra, edhe i ati i vajzës, ka qenë në punë po në strukturat e pushtetit vendor. I ati i Anisës mësohet se ka punuar si roje në llixhat e Peshkopisë, punë që vijon ta bëjë, ndërsa nëna Flutra, ka qenë sanitare në një drejtori lokale dhe më pas saktësohet se ka kërkuar të kalojë në të njëjtin pozicion pune po në llixha, pasi kryetari ka vendosur ta zëvendësojë me një person të afërt të tijin. Dyshohet se ka qenë ky momenti i zemërimit të 21-vjeçares që ka marrë përsipër të bëhet edhe pjesë e një prej videove më skandal të ndodhura me persona publik në vendin tonë, edhe pse jo shumë kohë më parë, ishte një ministër protagonist i një tjetër sipërmarrjeje të tillë. Prokuroria do ta hetojë Shukri Xhelilin për tri akuza, atë të “marrëdhënie seksuale duke shpërdoruar detyrën e mbetur në tentativë”, “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Gjithashtu bëhet me dije se priten dëshmitë e pjesës tjetër të familjes së vajzës për të parë se cili ka qenë roli i tyre në njohjen mes Xhelilit dhe vajzës së tyre, ndërkohë që të dhënat tregojnë se edhe gjendja në familjen e ish-kryebashkiakut është e tensionuar. Këto ditë pritet që dosja të kalojë për kompetencë pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila pas administrimit të provave do të vendosë, nëse është i nevojshëm caktimi i ndonjë masë sigurie apo Shukri Xhelili do të vazhdojë të hetohet në gjendje të lirë për akuzat e ngritura.

Video-skandali për një vend pune

Disa javë më parë, me urdhër të kryebashkiakut të Peshkopisë, Shukri Xhelili mësohet se është larguar nga puna nëna e 21-vjeçares që realizoi video-skandalin, Flutra A. Kjo dyshohet se mund të jetë një nga arsyet pse vajza ka filmuar të gjithë veprimet e Xhelilit, teksa i kërkonte favore seksuale në këmbim të punës. Gruaja, e cila është rreth të 60- ve, është pushuar nga puna teksa i ka kërkuar kryebashkiakut të saj, që ishte i njohur për të dhe familjen e saj, që ta kalonte në të njëjtin vend pune, por te llixhat, por as kjo nuk ka funksionuar, pasi në vendin e saj sipas burimeve, është vendosur një person i afërt me Xhelilin. Këtë fakt Xhelili e ka mohuar para hetuesve, por prokuroria e ka ngritur ndaj tij edhe akuzën e shpërdorimit të detyrës. Tashmë pritet të hidhet dritë mbi të gjitha lëvizjet e që kanë ndodhur në atë bashki për të hetuar në tërësi punën që ka kryer Xhelili në më pak se një vit në krye të bashkisë së Peshkopisë.

Vajza: Nuk jam detyruar të kryej marrëdhënie

Anisa A, ka treguar sërish në prokurori gjithë njohjen me 56-vjeçarin, burrin që gjendej në krye të Bashkisë së Peshkopisë dhe që kishte mundur të punësonte vajzën në Pallatin e Kulturës. Ajo ka rrëfyer me detaje në prokurori gjithçka ka ndodhur mes tyre, ndërsa për asnjë moment mësohet se nuk ka pranuar të jetë detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me të, por madje ka qenë pikërisht dëshirë e saja. Mirëpo në një deklarim të dhënë për mediet lokale, Xhelili ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke pretenduar se ka qenë një kurth i ngritur kundër tij. Anisa A., në rrëfimin e saj mësohet se ka mohuar të jetë shtyrë nga ndonjë person apo ndonjë individ i caktuar politik për të publikuar materialin që kishte regjistruar, ndërsa sipas të dhënave paraprake që vijnë nga prokuroria e Peshkopisë bëhet me dije se vajza ka thënë se e kishte hedhur në internet vetëm për qejfin e vet, video që më pas edhe u publikua në media, duke zbuluar kështu një prej skandaleve më të mëdha të ndodhura në vend kohëve të fundit. Anisa A, mësohet se e ka lënë punën që ditën që ka bërë publike videon me kryetarin e Bashkisë së Peshkopisë, ndërsa po atë ditë as Shukri Xhelili, mësohet se nuk e ka shkelur më atë derë në të cilën kishte shkelur si titullar. Megjithatë, pa u dokumentuar gjithë aktiviteti i ish-kryebashkiakut, nuk dihet ende se çfarë ka ndodhur vërtet në sipërmarrjen e vajzës së re. Ajo së fundmi ka qenë në rolin e menaxheres në pallatin e Kulturës, ndërsa mësohet se e ka pranuar edhe para hetuesve të çështjes se ka qenë pikërisht Xhelili personi që ka negociuar që ajo të punësohej aty, edhe pse lidhja e tyre nuk dihet saktë se kur ka nisur.

Shkarkimi i Shukri Xhelilit, PS-PD nisin takimet në Dibër

Partitë politike kanë nisur takimet në Dibër, vetëm një ditë pasi qeveria shkarkoi nga detyra kryetarin e bashkisë, Shukri Xhelili. Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, zhvilloi dje një takim me strukturat lokale të Partisë Socialiste në Dibër, në cilësinë e koordinatorit të PS-së për qarkun Dibër, pas videoskandalit ku ish-kreu i bashkisë, Shukri Xhelili, i kërkonte marrëdhënie seksuale një vajze në këmbim të vendit të punës. “Njëzëri distancohen nga veprimet e kryetarit të Bashkisë Dibër, tashmë të shkarkuar nga detyra prej qeverisë. Janë veprime që nuk përfaqësojnë moralin e Partisë Socialiste. PS-ja është e fortë dhe patjetër do ta kalojë edhe këtë ngjarje. Është shumë me rëndësi të ndahet çështja e individit Shukri nga Partia Socialiste, ajo parti e cila e fitoi bashkinë për shkak të mbështetjes së të gjithë dibranëve. Qeveria shqiptare do t’i qëndrojë pranë dibranëve për të gjitha projektet e rëndësishme që ne kemi filluar”, u shpreh Gjiknuri. Ai i bëri thirrje prokurorisë t’i shkojë ngjarjes nga fillimi në fund. “Qytetarëve të Dibrës ju kërkojmë ndjesë, por njëkohësisht ju bëjmë thirrje që të ndajnë Partinë Socialiste nga sjelljet e individit që nuk përfaqësojnë moralin e kësaj partie”, theksoi ai. Gjithashtu, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, ishte dje në Dibër, ku foli për videoskandalin, me në qendër ish-kreun e bashkisë, Shukri Xhelili. Paloka tha se zgjedhjet e reja që pritet të mbahen në Dibër do të jenë një test për mazhorancën, nëse do të ketë ose jo vullnet për zgjedhje të ndershme. “Fati e deshi që Dibra të provojë këtë mazhorancë, sesa e gatshme është të bëjë zgjedhje të ndershme”, tha Paloka. Deputeti demokrat kërkoi që qytetarët dibranë të braktisin Rilindjen dhe të kthehen drejt demokracisë dhe progresit. “Doli që Rilindja nuk ishte drejtimi i duhur dhe dibranët për kaq kohë duhet ta kenë kuptuar se duhet të rikthehen nga fillimi drejt demokracisë dhe progresit”, u shpreh ai. Qeveria shkarkoi dy ditë më parë kryetarin e bashkisë së Dibrës, në bazë të Kushtetutës, ku përcaktohet se “organi i zgjedhur drejtpërdrejt i njësisë qeverisëse vendore mund të shpërndahet ose të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve”. “Organi i shpërndarë ose i shkarkuar mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve, dhe në këtë rast vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet”, thuhet në nenin 115 të Ligjit Themeltar. Aty përcaktohet se, “në rastin e mosushtrimit të së drejtës së ankimit brenda 15 ditëve, ose në rastin e lënies në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nga Gjykata Kushtetuese, Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve në njësinë vendore përkatëse”./shekulli

The post Zbulohet motivi i seks-skandalit appeared first on Lajminet.

Comments
To Top