Uncategorized

“Vëllazëria Sllave” nis në shtator, Serbia e Rusia me dy ushtrime ushtarake


Publikuar më:


“Ushtria e Serbisë do të zhvillojë dy ushtrime ushtarake me forcat e armatosura ruse- “Vëllazëria Sllave” që do të fillojë në shtator dhe “BARS 2016” në tetor,” i tha BIRN-it Ministria e Mbrojtjes së Serbisë.

“Ne e theksojmë që qëllimet kryesore të ushtrimeve ushtarake dhe trajnimeve të përbashkëta me anëtarë të forcave të jashtme të armatosura janë mbi të gjitha përmirësimi i kapaciteteve operative dhe funksionale të Ushtrisë së Serbisë,” tha ministria.

“Vëllazëria Sllave 2016” do të zhvillohet në Serbi dhe do të vazhdojë deri në tetor, ndërsa në të pritet të përfshihen edhe edhe trupat nga Bellorusia.

“Në ushtrimet e përbashkëta në Serbi do të përfshihen njësitë e inteligjencës dhe stërvitjet me pajisje,” i tha gjeneral-majori rus Alexander Vyaznikov agjencisë së lajmeve RIA.

“Momentalisht çështja e pjesëmarrjes së një pale të tretë-Republikës së Bellorusisë ende duhet të vendoset. Ushtrimet do të jenë një vazhdimësi e ‘Vëllazërisë Sllave’ të cilat u zhvilluan vitin e kaluar në Novorossiysk me të vetmin ndryshim që vitin e kaluar në stërvitje morën pjesë njësi të kombinuara ushtarake, derisa në Serbi do të përfshihen njësi të inteligjencës,” shtoi Vyaznikov.

Ushtrimet e quajtura “Vëllazëria Sllave” qenë themeluar në vitin 2014 kur Rusia dhe Serbia organizuan stërvitje të përbashkët antiterroriste të koduar me emrin “SREM”, afër qytetit verior serb Ruma.

Në vitin 2015 ushtrimet përfshinë forcat ruse, belloruse e serbe dhe u mbajtën në rajonin Krasnodar të Rusisë, kur më shumë se 700 ushtarë nga Divizioni Sulmues i Gardës 7 Ajrore e Rusisë, një kompani e trupave ajrore serbe, dy kompani të Bellorusisë për detyra speciale dhe 20 aeroplanë morën pjesë

Ushtrimet e quajtura  BARS (Vëllazëria e Aviatorëve të Rusisë e Serbisë)do të zhvilohen në tokën dhe qiellin e Serbisë në tetor.

Sipas Ministrisë së Mbrotjes, datat e sakta të ushtrimit BARS do të varen nga kushtet e motit.

Ato do të mbahen në Batajnicë dhe Aeroportin e Nishit, ku pilotët rusë e serbë do të fluturojnë me ekuipazhe të përziera më së shpeshti me aeroplanë ushtarakë MIG 29 dhe helikopterë Mi-17 që Serbia i bleu tash së voni nga Rusia.

Vitin e kaluar forcat e Serbisë zhvilluan 24 ushtrime ushtarake me partnerë të jashtëm, dy nga to me forcat e armatosura ruse.

Raportet e afërta të Serbisë me Rusinë janë çështje e ndjeshme në procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE, sepse Serbia refuzoi t’u bashkohet sanksioneve të BE-së të vendosura ndaj Rusisë në lidhje me rolin e saj në konfliktin e Ukrainës.

Zyrtarët serbë në shumë raste theksuan që integrimi i vendit në BE është për ta prioritet strategjik, por gjithashtu duan të mbajnë raporte të ngrohta me Rusinë, një aleat tradicional.

Serbia shpalli doktrinën e neutralitetit ushtarak në dhjetor 2007 dhe qeveria aktuale e Aleksandar Vuçiqit ka njoftuar se nuk ka plane për të ndryshuar atë.

Sidoqoftë, vendi është i lidhur me NATO-n me anë të Partneritetit për Paqe. Në mars të vitit 2015 Serbia hartoi një plan-veprimi individual të partneritetit me NATO-n që kondsiderohet një bashkëpunim i nivelit më të lartë për një vend joanëtar të aleancës.

Eksperti ushtarak Aleksandar Radiq i tha BIRN-it që Serbisë i mungon një politikë e jashtme koherente dhe merr pjesë në secilin ushtrim ushtarak që ftohet.

“Serbia vetëm po shkon bashkë me rrymën,” tha Radiq.

“Nëse e shikoni se si shumica e ushtrimeve ushtarake ndodhin, mund ta vëreni që Serbia është ftuar të shkojë dhe natyrisht gjithmonë pranon ftesat,” shtoi Radiq.

Ai tha se më 25 gusht do të fillojë një ushtrim i përbashkët me Forcat e Armatosura të ShBA-së për Evropën në të cilin Serbia gjithashtu do të marrë pjesë, por Ministria e Mbrojtjes i tha BIRN-it se aktualisht nuk mund ta konfirmojë këtë informatë.

Bashkëpunimi më i rëndësishëm ushtarak i Serbisë është me Amerikën. Në vitin 2016 Serbia planifikoi 127 aktivitete ushtarake të përbashkëta me këtë shtet.

Comments
To Top