28,03,2024

Si funksionon prostitucioni virtual në Shqipëri

Must Read

Në Shqipëri janë duke funksionuar disa studio që punësojnë vajza, të cilat nëpërmjet çatit flasin në internet me klientë të huaj që u kërkojnë favore me sfond erotik. Gjithçka  kryhet nëpërmjet monitorit të kompjuterit. Janë vajza të cilat për të fituar diçka më shumë, bëjnë këtë punë të pazakontë që paguhet mirë.

Këto studio punojnë në fshehtësi, nëpër apartamente në lagje të ndryshme të Tiranës. Nuk kanë emër, nuk janë të regjistruara. Shpeshherë pronarët u japin nga një laptop vajzave të punësuara për të punuar në shtëpi, e në këtë mënyrë u shmangen kontrolleve të policisë në banesa. Mjafton një kompjuter dhe një linjë interneti, dhe mund të fillosh punë. Vajzat paguhen me kredite, domethënë sa më shumë të mbajnë klientin në linjë aq më shumë paguhen.

“Fiks Fare” solli sot rastin e tri studiove të tilla që punojnë në kryeqytet. Gazetarët e “Fiksit” u nisën nga ankesat e banorëve të një pallati pranë Ambulancës së Specialiteteve në kryeqytet. Ata ankoheshin se vazhdimisht dëgjojnë zhurma të pazakonta nga një apartament ku shohin që të hyjnë vetëm vajza.

Gazetarja e “Fiks Fare” u paraqit në këtë studio për të kërkuar punë në një “call center”. Pronarja e studios nervozohet dhe kërkon me këmbëngulje të dijë se kush është personi që e ka adresuar në atë shtëpi gazetaren e prezantuar si studente që kërkonte punë. Megjithatë, në fund të bisedës i merr numrin e telefonit gazetares.

Pasi gazetarja largohet nga studioja, në telefon i mbërrin një mesazh nga një vajzë, e cila i bën një ofertë punë në emër të një studioje tjetër çati. Menaxherja vjen dhe prezantohet me gazetaren në një lokal në zonën e “21 Dhjetorit”. Ajo tregon se numrin e telefonit ia ka dhënë pronarja e studios së parë ku qe prezantuar gazetarja. Ajo tregon se është një studio që ka të punësuara me turne shtatë vajza, të cilat bëjnë këtë punë – prostitucionin virtual. Menaxherja i thotë gazetares se është duke rekrutuar vajza që duan të punojnë në këtë lloj çati.

Sipas saj, që të punësohesh pranë këtyre studiove duhet të kesh njohuri të gjuhës angleze, pasi kompania mëmë me të cilën janë të lidhua ndodhet në Angli. Madje pranon se janë të paregjistruar në Shqipëri; punojnë në mënyrë të paligjshme, pasi sipas saj, taksat i paguajnë në Angli.

“Është një lloj çati me klientë të huaj, biseda në anglisht. Në bazë të krediteve që fiton, paguhesh. Domethënë sa më shumë minuta ta mbash klientin në linjën tënde, aq më shumë paguhesh”, thotë menaxherja.

Ambienti ku ato punojnë është një garsonierë e marrë me qira në një kompleks të ri pallatesh pranë Qytetit Studenti në Tiranë.

Nëse arrin të punësohesh, paguhesh me kredite – merr 25 për qind të krediteve, ku çdo kredit është i barabartë me një minutë në linjë dhe çdo minutë paguhet. Ka vajza që arrijnë të fitojnë deri në 18 mijë lekë në natë, madje edhe 200 mijë lekë, varet sa gjatë e mban klientin në linjë. Menaxherja e siguron gazetaren se paga e saj mujore mund të shkojë 80 mijë lekë në muaj.

Pas këtij takimi në kafene, gazetarja shkon të shikojë vendin e punës. Në këtë studio, në momentin kur gazetarja ka hyrë, mungonte lidhja e internetit. Menaxherja, e cila gjithashtu punon në studion e saj, ka pseudonimin “Megi”.

I tregon mjetet e punës, të cilat janë disa lodra seksuale dhe veshje të brendshme. Ajo e njeh gazetaren me programin që përdorin në kompjuter dhe pohon se është prostitucion virtual dhe se askush nuk i kap kur punojnë nëpër këto shtëpi të marra me qira.

Studioja e tretë ndodhet në një apartament në zonën e njohur si “Astiri”, në Unazën e Re. Edhe në këtë studio takojmë menaxheren. Është një vajzë 20-vjeçare që e ka filluar këtë punë që në moshën 18 vjeç.

Na tregon studion, e cila ka pesë kompjuterë me ueb-kamera, si dhe të brendshme femrash. Sipas saj, pronari i kësaj qendre ka një dyqan kompjuterësh, ka tetë vjet që bën këtë punë dhe është personi i dytë në Shqipëri që ka hapur një studio të tillë.

Menaxherja i rekomandon gazetares së prezantuar si vajzë që kërkonte punë, që të mos jepte identitetin e vërtetë, pasaportën, në momentin kur kërkon punë në këto studio, pasi më pas, kur mund të duash të largohesh, pronarët e studiove nuk të lejojnë, duke të bërë shantazh.

Gjatë rrëfimit të saj tregon se kishte rënë në depresion për një periudhë tremujore gjatë këtyre dy vjetëve, madje kishte tentuar edhe të vriste veten.

Shqetësimi i përhershëm i vajzave që punojnë në këto studio është si të largohen nga kjo lloj pune. Në momentin që do të largohesh nga një studio, pronarët të shantazhojnë, pasi dinë gjithçka për ty dhe ekziston mundësia e hedhjes së filmimeve në “YouTube”.

Menaxherja e kësaj studioje tregon përvojën e saj në disa studio të tjera. Studioja e Dafnit, siç e quan ajo njërën prej pronareve, u mëson shtëpitë vajzave që punëson, ka disa djem që u bëjnë presion vajzave që punojnë në mënyrë që të mos shkëputen nga studioja.

Një tjetër studio, tregon vajza, ndodhet te “Komuna e Parisit”, të cilën ajo e quan “studio ndëshkimi”. Aty vajzat që punojnë i detyrojnë të kryejnë veprime perverse dhe të dhimbshme.

The post Si funksionon prostitucioni virtual në Shqipëri appeared first on Lajminet.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img