Shëndetësi

Shqetësuese: Gratë kosovare akoma i lindin fëmijët në shtëpi


Publikuar më:


Epoka e lindjeve të foshnjave në shtëpi nuk ka përfunduar me luftën në Kosovë. Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë, ende ka gra kosovare që procesin e lindjes e kryejnë në shtëpi. Zyrtarë të MSH’së deklarojnë se gjithë kjo ndodh për shkak të lindjeve spontane dhe mungesës së kohës që shtatzënat t’u drejtohen spitaleve më të afërta. Derisa shtojnë se rastet e lindjeve në shtëpi janë më të shprehura në zonat rurale, shkruan Gazeta Express.

Nurija nga Podujeva është nënë e shtatë fëmijëve. Ndonëse kanë kaluar më shumë se 50’të vite që prej kur e kishte sjellë në jetë fëmijën e saj të parë, 75 vjeçarja nuk e ka harruar as edhe një detaj nga ajo ditë.

Gjithë procesin e lindjes, ajo tregon se e kishte kryer në shtëpi, e pothuajse e vetme, pasi që gjithë familjarët kishin qenë nëpër ara duke punuar tokën.

Në ndihmë i kishte dalë vetëm një grua e fshatit, e cila thotë se në atë kohë e kryente rolin e mamisë. Gjithë fëmijët e saj, ajo thotë se i kishte lindur në këtë mënyrë, dhe se asnjëherë nuk kishte marrë rrugën për në spital për të kryer lindje.

Por, Nurija nuk ishte e vetmja që kishte lindur fëmijët në shtëpi. Thotë se gjithë gratë e fshatit vepronin njëjtë në atë kohë.

Kur e kujton se tash të gjitha gratë shkojnë në spital për lindje, ndihet keq për veten.

“Në atë kohë të është dashtë me punu tanë ditën, edhe në mbramje ke lind qysh ke mujt, edhe s’ke guxoftë me ba za. Atëherë, kërkush nuk ka shku në spital. Veq me kanë smut fort rëndë, se për lindje, krejt i kanë kry në shpi. A tash krejt nëpër spitale private”, tregon Nurija për Express.

Por, ndonëse kanë kaluar shumë vite prej asaj kohe, ende nuk janë zhdukur gjithë rastet.

Në Kosovë ende ka gra, që fëmijët i lindin në shtëpi, ndonëse në raste të rralla.

Në Ministrinë e Shëndetësisë i kanë thënë Gazetës Express se ka edhe raste të lindjeve të kryera në shtëpi, ani pse thonë se janë raste shumë të rralla.

Gjithë kjo thonë se ndodh për shkak të lindjeve spontane dhe mungesës së kohës që shtatzënat tu drejtohen spitaleve më të afërta.

“Në mesin e lindjeve ka edhe raste të lindjeve të kryera në shtëpi, pro janë raste shumë të rralla, jo për mungesë të materniteteve, por për shkak se lindja si proces natyror, ndodh që ndonjëherë të kryhet spontanisht dhe shpejt dhe shtatzënës të mos i jap kohë që të shkojë në maternitetin apo spitalin më të afërt”, thuhet në përgjigjet e MSH’së drejtuar Gazetës Express.

Deklarojnë se në shtëpi ndodhin më pak se 1 për qind e lindjeve, derisa lindjet e tjera ndodhin në institucionet publike shëndetësore dhe në ato private.

Këto raste të lindjeve janë më të shprehura në zonat rurale dhe që gravitojnë më larg qendrave urbane dhe nuk bëjnë përjashtime te komunitetet.

“Sipas raporteve të fundit perinatal në Kosovë, në shtëpi ndodhin më pak se 1 për qind e lindjeve, përderisa 96 për qind e lindjeve ndodhin në institucionet publike shëndetësore dhe 3 për qind në institucionet private shëndetësore”, thonë në këtë ministri.

E sa u përket komplikimeve që mund të vijnë si pasojë e këtyre lindjeve, në MSH thonë se nuk kanë pasur ndonjë raportim të tillë.

Ndërkohë që sipas statistikave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Agjensionit të Statistikave të Kosovës, numri i lindjeve në Kosovë brenda një viti sillet rreth 30 000.

E prej më shumë se 23 mijë nënave sa kanë kryer lindjet gjatë vitit të kaluar, 15 prej tyre kanë sjellë në jetë fëmijën e nëntë.

Madje ka të tilla që kanë lindur edhe më shumë se nëntë fëmijë ndonëse numri i saktë i tyre nuk dihet.

Por, derisa shumë gra u bënë nëna për të nëntën herë, 161 të tjerave u vdiqën fëmijët ende pa lindur.

E gjithë kjo sipas “Vjetarit Statistikor të Republikës së Kosovës, 2018”, që ka publikuar ditë Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Në bazë të këtij raporti, nuk është i vogël as numri i nënave që lindën më shumë se katër fëmijë, ndonëse krahasuar me vitet e kaluara ky trend po shkon duke u ulur.

Derisa në vitin 1987, fëmijën e nëntë e kishin lindur 1 mijë e 309 nëna, në dekadën e fundit ky numër nuk shkon as në 50-të.

Në bazë të këtyre statistikave edhe numri i fëmijëve jashtëmartesor po del të jetë bukur i madh. Vetëm në vitin 2017, në vend kanë lindur 9 mijë e 800 fëmijë jashtëmartesor.

To Top