25,04,2024

Rasti i Bushit kundër Gorit dhe Hashim Thaçi

Must Read

Hashim Thaçi duhet të betohet tek varri i Komandantit legjendar Adem Jashari

Në zgjedhjet Presidenciale të SHBA-së në vitin 2000, kishte ndodhur një rast i paprecedentë: Gjykata Supreme e SHBA-së kishte hedhur poshtë dhe si antikushtetuese vendimin e Gjykatës Supreme të Shtetit të Floridas lidhur me ri-numërimin e votave të kandidatëve presidencial Bush dhe Gore. Anipse ende ka mospajtime të thella, lidhur me verdiktin e Gjykatës Supreme amerikane e cila indirekt i dha fitoren Presidentit të ardhshëm të SHBA-së, George W. Bush, prapë se prapë, demokratët e pranuan verdiktin dhe Bushin si President. Ata respektuan organin e tyre më të lartë të sistemit gjyqësor: Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky gjykim kishte treguar edhe një gjë: brishtësinë e demokracisë më të fortë në botë, ku mendohet se ka pasë mundësi që për shkak të proviniencës politike të gjyqtarëve, të ketë pasë mundësi që të marrin vendime politikisht të motivuara. Ndoshta edhe në Amerikë kjo ka mund të ndodhë.

Ne në Kosovë e Ballkan në përgjithësi, anipse jemi origjina e demokracisë antike, në kohën moderne çalojmë shumë në demokraci. Sigurisht se shembulli Bush kundër Gore nuk mund të merret si argument për rastet tona, por në disa aspekte po. Anipse në Kosovë nuk e kemi sistemin zgjedhor presidencial apo të kombinuar, ku do të mund të zgjidhej presidenti i vendit me votën direkte të qytetarëve tanë, prapë se prapë një zgjedhje është bërë edhe në rastin e kandidatit Hashim Thaçi dhe i cili, në raundin e tretë kishte marrë 71 vota, që ishin të mjaftueshme të plotësohej kushti i ligjshmërisë bashkë me të qenit të pranishëm të më së paku 80 deputetëve. Opozita bëri gjithë lojën opozitare që i takon (mbase edhe më tepër) dhe nuk arriti që të dështonte zgjedhjen e Presidentit të ri. Pamë imazhe të cilat nuk na pëlqyen askujt dhe sigurisht nuk do t’ia dëshiroja askujt. Gjithsesi demokracia i ka edhe këto mangësi në emër të votës së lirë të përfaqësuesve të zgjedhur. Tutje, opozita bëri atë që pritej – e dërgoi aktin në Gjykatën Kushtetuese, prej nga u morr vendimi për refuzimin e ankesës dhe rrjedhimisht u pranua zgjedhja e President të ri. Kësisoi, opozita në ditën e inaugurimit të President të ri, mund të protestojë si e drejtë demokratike, por asesi të na sjellë imazhe të gazit lotsjellës dhe molotovit. Asesi!

Arsyeja pse e zgjodha rastin Bush kundër Gore, me ç’rast shpreh respektin e madh që kam për të dy dhe për kontributin e madh që kanë dhënë sidomos për Kosovën dhe çështjen shqiptare, qëndron në një fakt dhe shkollë që duhet të marrim edhe në si në shumë raste. Siç e dimë, jo të gjithë ishin pajtuar me vendimin e tillë, bilez të paktën gjysma e qytetarëve amerikan jo, porse prapë se prapë ata pranuan verdiktin e Gjykatës Supreme, e pranuan Presidentin e ardhshëm George W. Bush. Dhe kalimi i pushtetit u bë si zakonisht me të gjitha procedurat demokratike, duke qenë një akt mbi të gjitha solemn dhe historik në historinë amerikane.

Ndërsa edhe tek ne, duhet të mësohemi t’i respektojmë intitucionet të cilat i kemi formuar me mund, djersë e gjak të madh, anipse ende nuk janë këto institucione as për së afërmi aty ku do të duhej të ishin.

Unë e pranoj se në rrethanat e krijuara po t’isha deputet i Kuvendit të Kosovës nuk do ta votoja Hashimin për President. Por, pavarësisht nga të gjitha, nga momenti i betimit të Presidentit, do ta pranoja si President të Republikës së Kosovës. Dhe nga momenti i betimit, do ta pranoj si President i Republikës së Kosovës. Qytetarët tanë, e sidomos pjesa intelektuale, duhet të punojë dhe ndikojë në emancipimin e shoqërisë sonë drejt demokracive perendimore, aty ku respektohet ligji dhe të drejtat dhe liritë njerëzore. Ne duhet me çdo çmim ta forcojmë shtetin tonë.

Për fund, kujt i kujtohet debatet publike që ishin organizuar nëpër komuna për ndryshimet Kushtetuese dhe për zgjedhjen e presidentit me votë direkte nga qytetarët, kisha dhënë një propozim të cilit dua t’i qëndroj besnik edhe tash: që Presidenti i zgjedhur të bëjë betimin në Varrezat e Jasharajve në Prekaz, tek varri i Komandantit legjendar Adem Jashari. Do të ishte mirë që Presidenti i ardhshëm, Hashim Thaçi, për hir edhe të respektimit të origjinës së tij politike si udhëheqës politik i UÇK-së, ta vendosë këtë rregull dhe model edhe për Presidentët që do të vijnë pas tij dhe të betohet tek këto varre të shenjta të popullit shqiptar, tek vendi i kthesës së madhe.

Bashkim Fazliu Migjeni, Autor
5 prill 2016

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img