Lajme

Qeveria: Haradinaj konfirmoi se pronat në Bjelluhë dhe Çakorr kanë qenë dhe janë në Mal të Zi


Publikuar më:


Në shkrimin i cili pretendonte të sillte fakte të reja sipas të cilave “Mali i Zi, Çakorrin e konsideron si kufi në mes dy shteteve”, deputeti Daut Haradinaj në fakt ka ofruar argumente që e mbështesin punën e komisionit shtetëror, i cili si i tillë mbështetet edhe nga institucionet shtetërore, ekspertët vendorë e ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera mike të BE-së.

Deputeti Haradinaj, duke dashur t’i bind “të gjithë ata skeptikë të Demarkacionit se si vet Mali i Zi e konsideron Çakorrin kufi ndërmjet dy shteteve”, në faqen e parafundit dhe të fundit të materialit të skanuar nga ai jep argumente për të kundërtën. Sipas materialit që ai servon, vërtetohet se Bjelluha dhe Çakorri janë në territorin e zonës kadastrale Velika, Komuna e Plavës në Mal të Zi.

Nga përshkrimi në librin e Branka Jokica për Veliken që është pjesë e Komunës së Plavës në Mal të Zi, në një titull të librit që është bashkangjitur në shkrimin e z. D.Haradinaj shkruan:

2 KUSH JANË PRONARËT NË BJELLUHE (KO SU VLASNICI IMOVINE U BJELUHI).

Pas këtij titulli, shkrimi vazhdon: “Sipas të dhënave nga Drejtoria për pronën në Plavë, Shqiptarët nga Kosova, pronarë të  pronave në Velikë dhe Bjelluhë janë”: Lista me 34 pronarë me emra dhe mbiemra kryesisht të shqiptarëve nga Kosova me pronë në Mal të Zi.

Këta 34 pronarë në listë janë qytetarëve të Kosovës por pronat e tyre i kishin dhe i kanë në Mal të Zi.

Pastaj, në shkrimin e z. Haradinaj vazhdon lista tjetër në fletën e fundit të skanuar të tij me 14 emra dhe mbiemra. Kjo listë sigurisht vazhdon me emra të pronarëve të cilët janë nga Velika në Komunën e Plavës, por siç shkruan në materialin e z. Haradinaj, ata janë shpërngulur e prona e tyre është e regjistruar në Plavë.

Listën e banorëve nga Komuna e Deçanit dhe Pejës për pronat e tyre në Bjelluhë mund t’i gjeni në ueb faqe të kryeministrisë, por mund të gjeni edhe shkrimin në media të datës 21 Gusht 2016 me titull: “Pronarët e brezit kufitar me kërkesat e tyre konfirmojnë shënimin e vijës kufitare Kosovë-Mal i Zi”:  http://kryeministri-ks.net/?page=1,9,6087 ”. Në këtë dokumentacion, të ofruar kohë më parë për publikun, është Lista e pronarëve nga Komuna e Deçanit dhe Pejës me dokumentacionin personal e zyrtar. Pronarët janë me mbiemrat: Dautaj, Demukaj, Loshaj, Zekaj, Mazrekaj, Ukëhaxhaj, Balaj,  Lokaj, Binakaj, Qorraj.

Kjo mund të vërtetohet duke kontaktuar posaçërisht me kryetarin e Komunës së Deçanit dhe të Pejës, sepse kjo listë është në Deçan për këto prona në Bjelluhë- Plavë, Mal i Zi.

Pra, Bjelluha dhe Çakorri janë në territorin e zonës kadastrale Velika, Komuna e Plavës në Mal të Zi, siç u konfirmua nga z. Haradinaj. Për këto prona, pronarët i kanë kryer trashëgimitë dhe i kanë dorëzuar në Plavë.

Prandaj, z. Haradinaj me këtë shkrim të ofruar për lexuesin, ka kontribuar dhe ka vërtetuar edhe vet, sikurse edhe pronarët e pronave mbiemrat e të cilëve janë në listë, se Bjelluha dhe Çakorri kanë qenë dhe janë në territorin e Malit të Zi., thuhet në fund të njoftimit të lëshuar nga qeveria.

Comments
To Top