Pas ndërhyrjes së shërbimeve emergjente dhe përmirësimit të kushteve atmosferike, është rikthyer normaliteti në qarkullimin rrugor në segmentin Ferizaj–Gjilan, në fshatin Dardani.
Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se, pas pakësimit të reshjeve të shiut dhe largimit të ujit nga rruga, magjistralja është liruar plotësisht për qarkullimin e automjeteve.
Aktualisht, trafiku po zhvillohet normalisht në të dy drejtimet, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje shoferëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes, pasi sipërfaqja e rrugës mbetet e lagësht.
Policia Rajonale e Ferizajt ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë menaxhimit të situatës së krijuar nga vërshimet, duke theksuar se angazhimi i institucioneve bëri të mundur rikthimin e qarkullimit në një kohë të shkurtër.




