UShAF kundërshton vendimin e ministrit Çeku: “Zgjedhja e ushtruesit të detyrës së rektorit është kompetencë ekskluzive e Këshillit Drejtues

Share

”Ferizaj, 16 nëntor 2026 – Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka reaguar përmes një njoftimi publik ndaj vendimit të ministrit të Arsimit, Hajrulla Çeku, për caktimin e Prof. Afrim Lokut si person të autorizuar për ushtrimin e përkohshëm të detyrës së rektorit, duke e cilësuar këtë veprim si ndërhyrje në autonominë dhe kompetencat e organeve drejtuese të Universitetit.

Në reagimin e publikuar, UShAF thekson se Prof. Asoc. Dr. Fakije Zejnullahu është zgjedhur ushtruese e detyrës së rektorit më 5 nëntor 2026, me vendim të Këshillit Drejtues, në përputhje me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Statutin e Universitetit.Sipas njoftimit, zgjedhja e rektorit dhe e ushtruesit të detyrës së rektorit është kompetencë ekskluzive e Këshillit Drejtues, ndërsa caktimi i një drejtuesi nga ministri konsiderohet veprim jashtë kompetencave të tij ligjore.

“Caktimi i Prof. Afrim Lokut nga ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, si person i autorizuar për ushtrimin e përkohshëm të detyrës së rektorit, është jashtë kompetencave të ministrit”, thuhet në reagimin e UShAF-it.Universiteti argumenton se nocioni “person i autorizuar për ushtrimin e përkohshëm të detyrës së rektorit” nuk parashihet në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe as në Statutin e tij.

Në mbështetje të këtij qëndrimi, UShAF i referohet nenit 31, paragrafi 6, të Statutit, sipas të cilit, në rast të mbetjes vakante të pozitës së rektorit, Këshilli Drejtues zgjedh ushtruesin e detyrës deri në përfundimin e procedurave për zgjedhjen e rektorit.

Po ashtu, në reagim theksohet se Këshilli Drejtues përbëhet nga shtatë anëtarë me të drejtë vote dhe se për marrjen e vendimeve kërkohen së paku katër vota.UShAF: Ministria nuk mund të ndërhyjë pa përmbushjen e kushteve ligjoreDuke iu referuar nenit 23, paragrafi 4, të Ligjit për Arsimin e Lartë, UShAF thekson se ndërhyrja e Ministrisë në qeverisjen e universiteteve publike mund të bëhet vetëm në rrethana të përcaktuara ligjërisht, të mbështetura në raportet përfundimtare dhe rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm.Sipas Universitetit, raporti përfundimtar i auditimit nuk përmban gjetje që konstatojnë keqpërdorime financiare, keqadministrim apo moszbatim të Statutit.

Në reagim rikujtohet gjithashtu se ndërhyrjet e parashikuara nga dispozita përkatëse ligjore kërkojnë konsultim me Agjencinë e Kosovës për Akreditim dhe institucionin përkatës, ndërsa veprimet e tilla duhet të ratifikohen nga Kuvendi i Kosovës brenda 60 ditësh.

UShAF vlerëson se krijimi i strukturave paralele të udhëheqjes përmes vendimeve të njëanshme përbën cenim të autonomisë universitare, ligjshmërisë dhe stabilitetit institucional.

Thirrje për qetësi dhe vazhdimësi të procesit mësimor

Pavarësisht mosmarrëveshjeve të krijuara rreth drejtimit të Universitetit, UShAF u ka bërë thirrje stafit akademik, administrativ dhe studentëve që të ruajnë qetësinë, profesionalizmin dhe respektin e ndërsjellë.

Universiteti ka theksuar se situata aktuale nuk duhet të ndikojë në zhvillimin e procesit mësimor, organizimin e provimeve dhe realizimin e aktiviteteve akademike e shkencore.

“Interesi ynë i përbashkët është studenti. Pavarësisht situatës së krijuar, duhet të kujdesemi që mësimi të vazhdojë rregullisht, provimet të mbahen me kohë dhe të gjitha aktivitetet akademike dhe shkencore të zhvillohen pa pengesa”, thuhet në përfundim të reagimit.

UShAF ka ritheksuar përkushtimin për mbrojtjen e autonomisë universitare, respektimin e vendimeve të organeve drejtuese dhe ruajtjen e funksionimit normal të institucionit.

Të ngjashme: