Kolegji Universum avancon transformimin digjital përmes Inteligjencës Artificiale

Share

Kolegji Universum vazhdon të konsolidojë pozitën e tij si një nga institucionet lider në transformimin digjital të arsimit të lartë në Kosovë, duke ndërmarrë hapa konkretë drejt integrimit të Inteligjencës Artificiale (AI) në proceset akademike dhe administrative.

Në kuadër të projektit EDUFAIR – Advancing Quality Higher Education through Artificial Intelligence, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian përmes programit Erasmus+, Kolegji Universum ka themeluar Grupin Institucional të Punës për hartimin dhe zbatimin e Politikës Institucionale për Inteligjencën Artificiale.

Ky grup ka udhëhequr procesin e zhvillimit të dokumenteve strategjike që përcaktojnë vizionin, standardet dhe drejtimin institucional për përdorimin etik, të përgjegjshëm dhe inovativ të AI në arsimin e lartë.

Si rezultat i këtij procesi është hartuar Plani Strategjik për Integrimin e Inteligjencës Artificiale në Universum International College, një dokument gjithëpërfshirës që përcakton rrugën e transformimit të institucionit në fushat e administratës, mësimdhënies dhe të nxënit, kërkimit shkencor, mbështetjes së studentëve, zhvillimit të karrierës dhe angazhimit me alumnit.

Dokumenti paraqet një plan të strukturuar të implementimit, të ndërtuar mbi standardet ndërkombëtare, rekomandimet e UNESCO-s dhe objektivat e projektit EDUFAIR.

Përveç zhvillimit të politikave institucionale, Kolegji Universum ka investuar në fuqizimin e kapaciteteve njerëzore përmes organizimit të një serie trajnimesh për stafin akademik, stafin administrativ dhe studentët. Këto aktivitete kanë synuar rritjen e kompetencave në përdorimin efektiv dhe etik të mjeteve të Inteligjencës Artificiale, duke promovuar një kulturë të re të inovacionit dhe transformimit digjital në arsimin e lartë.Universum e sheh Inteligjencën Artificiale jo vetëm si një teknologji të re, por si një katalizator për modernizimin e proceseve institucionale, përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, zhvillimin e kërkimit shkencor dhe përgatitjen e studentëve me kompetenca të kërkuara nga tregu i së ardhmes.

Në fazat e ardhshme, Kolegji Universum do të vazhdojë organizimin e punëtorive, sesioneve praktike dhe aktiviteteve të ndërtimit të kapaciteteve për stafin dhe studentët, duke krijuar një ekosistem të qëndrueshëm të inovacionit dhe përdorimit të përgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale. Këto iniciativa do të kontribuojnë në avancimin e vazhdueshëm të cilësisë së arsimit, modernizimin institucional dhe forcimin e rolit të Universumit si një institucion lider në transformimin digjital të arsimit të lartë në Kosovë dhe rajon.

Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit EDUFAIR – Advancing Quality Higher Education through Artificial Intelligence, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian përmes programit Erasmus+.

Të ngjashme: