Ferizaj, 21 tetor 2026 – Ferizaj po synon të fitojë titullin “Qytet Evropian i Sportit 2027”.
Në kuadër të këtij procesi, kryetari i Komunës, Agim Aliu, ka pritur të mërkurën në Ferizaj një delegacion të organizatës evropiane ACES.
Në delegacion morën pjesë presidenti dhe themeluesi i ACES, G. F. Lupattelli, sekretari i përgjithshëm Hugo Alonso, përfaqësuesi për Evropën Juglindore, Berislav Čižmek, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, si dhe përfaqësuesi i ACES në Kosovë, Granit Rugova.
Kryetari Aliu ka bërë të ditur se kandidatura e Ferizajt për këtë titull mbështetet në vizionin, investimet, përkrahjen institucionale dhe zhvillimin e infrastrukturës sportive në qytet.
Sipas tij, marrja e këtij titulli do të ishte një mundësi e rëndësishme për promovimin e Ferizajt në nivel evropian, duke nxjerrë në pah edhe potencialin turistik të qytetit.



