Ferizaj – Reshjet e mëdha të shiut që kanë përfshirë rajonin e Ferizajt kanë shkaktuar vërshime të mëdha në fshatrat Dardani, Ramjan dhe Zllatar, duke bllokuar plotësisht qarkullimin në rrugën magjistrale Ferizaj–Gjilan, në segmentin që kalon nëpër fshatin Dardani.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, sasia e madhe e ujit ka bërë të pamundur kalimin e automjeteve në këtë aks rrugor, ndërsa bllokada do të mbetet në fuqi deri në një njoftim tjetër nga autoritetet kompetente.
Policia u bën thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të shmangin këtë segment dhe të përdorin rrugët alternative:
Nga drejtimi Ferizaj – Gjilan, të përdoret rruga përmes fshatit Zllatar.
Nga drejtimi Gjilan – Ferizaj, të përdoret rruga Dardani – Zllatar, përkatësisht rruga pranë kompanisë “Metali i Ri”.
Njësitë e Policisë së Kosovës ndodhen në vendin e ngjarjes, ku po menaxhojnë situatën dhe po orientojnë trafikun, me qëllim garantimin e sigurisë së pjesëmarrësve në komunikacion.
Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, të respektojnë udhëzimet e policisë dhe të mos tentojnë të kalojnë nëpër zonat e përmbytura, pasi kjo mund të rrezikojë jetën dhe sigurinë e tyre.
Policia njofton se do të informojë qytetarët me kohë për çdo ndryshim të situatës dhe për rihapjen e qarkullimit në këtë segment rrugor.




