Uncategorized

Provat për “21 janarin”, kërcënohet djali i viktimës


Publikuar më:


Renato Myrtaj është djali i vetëm i mbetur i Faik Myrtajt. Ai pak kohë pas vrasjes së të atit në bulevard humbi edhe vëllanë e tij të vetëm, Bardhoshin. Ky i fundit i dha fund jetës duke u vetëvarur, ndërsa Renato dhe nëna e tij, Mamudeja bënë një padi, ku kallëzuan Gardën e Republikës për vrasjen dhe ndikimin në humbjen e jetës së vëllait dhe djalit.

Sërish shteti del i fituar në betejën me atë ngjarje të rëndë dhe të paprecedentë, ndërsa Renato doli publikisht kundër vendimeve të gjykatave dhe kundër atyre që ai i konsideron si vrasësit e të atit të tij. I kontaktuar nga “Shekulli” në lidhje me kërcënimin që i është bërë, djali i një prej të vrarëve, ka bërë me dije se e di se nga i vijnë ato kërcënime, ndërsa lëshon edhe apelin e fortë, që menaxheri i bandës së opozitës të mos prekë familjen e tij, por të merret me të.

Renato duket i frikësuar, ndërsa pranon se policia e Fierit ka reaguar menjëherë duke e marrë në mbrojtje atë dhe familjen e tij dhe madje duke i siguruar vëmendje të veçantë për shkak të deklaratave të forta që ka lëshuar ditëve të fundit. Renato Myrtaj bën publik nëpërmjet rrëfimit të tij faktin se ai nuk do ta lërë me kaq këtë histori, pasi do të luftojë për të zbardhur të vërtetën e vrasjes së të atit të tij, pasi ai ka prova dhe fakte që hedhin dritë mbi këtë akt. Policia Referuar të dhënave që vijnë nga Policia e Shtetit bëhet me dije se historia e kërcënimit të familjes së Faik Myrtajt është denoncuar dy ditë më parë në policinë e Fierit.

Janë marrë të gjitha masat për të mbajtur nën kontroll familjen, ndërsa bëhet me dije se është sekuestruar ditën e djeshme edhe letra që është gjendur pas derës së kësaj familjeje. Edhe pse sipas të dhënave ngjarja është mësuar që pasditen e së premtes nga ana e policisë, ditën e djeshme, letra dhe kurora me lule kanë qenë në duart e Renato Myrtajt, i cili edhe i ka treguar për mediat lokale si sendet që kanë qenë fakt i drejtpërdrejt dhe simbolik në lidhje me përmbajtjen e kërcënimit me jetën të tij. Ekspertë të policisë po kryejnë verifikimet e para në lidhje me këtë kërcënim, ndërsa pritet të merret në pyetje konkretisht Renato Myrtaj.

Letra do t’iu kalojë për këqyrje pikërisht ekspertëve të posaçëm, të cilët do të bëjnë të mundur edhe gjetjen e autenticitetit të atij shkrimi. Ende nuk bëhet me dije se si policia i ka lënë në duart e Renatos provat kryesore të atij kërcënimi serioz për jetën, pasi në to mund të siguroheshin edhe shenja që mund të ishin të vlefshme për hetimin.

The post Provat për “21 janarin”, kërcënohet djali i viktimës appeared first on Lajminet.

Comments
To Top