Uncategorized

Presidenti Nishani bëhet i gjallë, përgëzon dakordimin për reformën në drejtësi


Publikuar më:


Bujar Nishani

Në një deklaratë për mediat, pasditen e së mërkurës, presidenti Nishani vlerëson dhe përgëzon, aktorët dhe faktorët e përfshirë dhe klasën politike shqiptare në përgjithësi, mbi konsensusin e arritur përmes kompromisit që ofruan në këtë proces. Ky proces dhe të gjitha përpjekjet e bëra me persistencë treguan rëndësinë e padiskutueshme që reforma në drejtësi ka mbi të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë.

“Që t’u shërbejë më së miri interesave të qytetarëve shqiptarë, është thelbësore që kjo reformë të finalizohet me sukses, duke ruajtur standardet më të larta profesionale dhe parimet e shenjta demokratike duke siguruar dhe garantuar së pari dhe mbi të gjitha liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Konsensusi dhe kompromisi garantojnë që reforma në drejtësi ose më saktë, ndryshimet kushtetuese do të arrijnë qëllimin aq shumë të dëshiruar e të mirëpritur nga të gjithë qytetarët shqiptarë, si dhe nga partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë për një drejtësi vërtet profesionale, efiçente dhe të pavarur”, shprehet në deklaratë Nishani.

Në vijim të deklaratës thuhet se “Presidenti i Republikës, duke pasur parasysh dhe nënvizuar edhe njëherë rëndësinë jetike që përmban reforma në sistemin e drejtësisë jo vetëm për të tashmen dhe të ardhmen e vendit, por edhe për integrimin evropian me meritë të Shqipërisë, i uron punë të mbarë Kuvendit të Shqipërisë ditën e nesërme në votimin e projektit konsensual të arritur”.

.

Comments
To Top