Uncategorized

Nostalgjikët e Titos në ish Jugosllavi, ende ia festojnë ditëlindjen


Publikuar më:


Admirues të Titos pozojnë pranë statujës së tij në Kumrovec. Foto- BIRN

Admiruesit e Titos në disa vende të ish-Jugosllavisë organizuan festime të ndryshme ditën e enjte për të shënuar 25 majin, “Ditën e Rinisë”, e cila u festua në Jugosllavinë socialiste si ditëlindja e ish-presidentit të përjetshëm.

Në Kumrovec, fshat në veri të Kroacisë ku Tito lindi në vitin 1892, ditëlindja e tij shënohet çdo vit nga Aleanca e Shoqatave “Josip Broz Tito” e Kroacisë.

Admirues të ish-liderit nga e gjithë ish-Jugosllavia do të mblidhen për të fetuar në fshat të shtunën, të veshur uniforma të luftëtarëve të tij partizanë dhe lëvizjes rinore pioniere dhe do të këndojnë këngë për Titon, Jugosllavinë dhe antifashizmin.

Por përpara festimeve të këtij viti, një parti e vogël e krahut të djathtë e quajtur Në Emër të Familjes – Projekti Atdheu, e lidhur me një OJQ të quajtur Në Emër të Familjes e cila bëri një peticion kundër martesave mes homoseksualëve në vitin 2013, tha se përdorimi i yjeve të kuqe dhe simboleve të Jugosllavisë socialiste dhe partizanëve duhej të ndalohej.

“Është e papranueshme që në Kroacinë demokratikë të organizohet një festë për ditëlindjen e diktatorit komunist Tito,” tha partia të martën.

Një protestë e përvitshme për të ndryshuar emrin e Sheshit Marshalli Tito në qendër të Zagrebit u zhvillua edhe në fillim të këtij muaji, ku organizatorët i bënë thirrje autoriteteve për të miratuar një ligj që do ta bënte “të paligjshme dhe të dënueshme emërtimin e shesheve dhe rrugëve në Zagreb dhe në Kroaci pas çdo personi që i përket çdo sistemi totalitar”.

Në Beograd, me mijëra njerëz vizitojnë muzeun dhe mauzoleun e Titos më 25 maj të çdo viti për të shënuar ditëlindjen e tij.

“Çdo vit në ditëlindjen e Titos ka një numër në rritje vizitash në muze. Vetëm këtë mëngjes kemi pasur vizita nga 1400 persona,” tha për BIRN një zëdhënës shtypi për Muzeu i 25 Majit.

Festimi i ditëlindjes së Titos në Tivat, Mal i Zi, në 2015

Ditëlindja e Titos festohet edhe në bare dhe taverna tematike në Beograd si Korcagin dhe RSFJ (Republika Socialiste Federale e Jugosllavisë), të cilat dekorohen me flamuj të vjetër jugosllavë, fotografi dhe relike të tjera nga ato që klientët e tyre i konsiderojnë si “një epokë e artë”.

Në kryeqytetin boshnjak të mërkurën, rreth 100 admirues vendosën lule në memorialin e Titos në kampusin e Universitetit të Sarajevës, ndër ta kishte edhe përfaqësues të organizatave antifashiste dhe Partisë Social Demokratike.

Vehid Sehiç, një ish-gjyqtar dhe ekspert i drejtësisë tranzicionale në Bosnje dhe Hercegovinë, tha se Tito meriton të nderohet çdo vit, sepse ai mbajti unitet etnik në Jugosllavi.

“Ai duhet të festohet si një nga antifashistët më të mëdhenj që kanë jetuar ndonjëherë. Ai arriti të vinte nën kontroll retorikën nacionaliste që shpërtheu në vitet 1990,” tha Sehiç.

Megjithatë, në Mal të Zi ka pak interes për të shënuar ditëlindjen e Titos, përveç se në festat tematike në disa kafene në të gjithë vendin.

Në kryeqytetin Podgoricë, e cila deri në vitin 1991 quhej Titograd për nder të ish-presidentit jugosllav, nuk ka pasur organizime festimesh për më shumë se dy dekada.

Por qyteti bregdetar i Tivat, një grup që e quan veten Konsullata e RSFJ feston ditëlindjen e Titos çdo vit në sheshin kryesor, gjë e cila tërheq me dhjetëra ish-jugosllavë nostalgjikë me objekte partizane.

E ashtuquajtura Konsullata është një organizatë joqeveritare me bazë në Tivat, ku ka hapur një muze për ish-Jugosllavinë, në të cilin ka objekte nga ish-regjimi dhe disa uniforma dhe automjete në pronësi të Titos.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=ig6fuoDL_Lw?feature=oembed&w=640&h=480]

Ndërkohë në Kosovë, nuk ka pasur ngjarje për të shënuar ditëlindjen e Titos.

“Tito përfaqëson një figurë komplekse për shqiptarët që jetojnë në territorin e ish-Jugosllavisë,” tha analisti Halil Matoshi për BIRN.

Matoshi argumentoi se shqiptarët e Kosovës kishin më shumë mundësi arsimimi dhe më shumë autonomi nën sundimin e Titos dhe tha se ish-udhëheqësi “ishte i moderuar përsa i takon të drejtave të shqiptarëve dhe reagimeve të serbëve”.

“Tito dhe figura të tjera duhet të studiohen si duhet dhe nuk duhet të mitizohen. Asgjë nuk është bardhë e zi, kështu që ata nuk duhet të ngrihen në piedestal apo të hidhen në plehrat e historisë,” tha ai.

Por Skënder Lutfiu, një historian që punon në Institutin e Historisë në Kosovë tha për BIRN se shqiptarët e Kosovës “nuk kanë arsye” për të kujtuar Titon.

Ai tha se shqiptarët në Jugosllavi admironin më shumë diktatorin komunist të Shqipërisë Enver Hoxhën sesa Titon.

“Nën regjimin e tij pati disa arritje, por Tito nuk duhet të marrë meritat për ndonjë prej tyre,” tha Lutfiu.

“Ka pasur luftëra të vazhdueshme nga ana e shqiptarëve për të drejtat e tyre dhe zhvillim të përgjithshëm gjatë periudhës së Titos,” shtoi ai.

The post Nostalgjikët e Titos në ish Jugosllavi, ende ia festojnë ditëlindjen appeared first on Lajminet.

Comments
To Top