20,04,2024

Ministri grek: Pronat e Kishës Ortodokse në Shqipëri, interes për ne; reagon Ministria e Jashtme

Must Read
Kotzias-Bushati

Kjo çështje ka risjellë në skenë një tjetër debat mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Në një interpelancë që pati dje, në Parlamentin grek, të thirrur nga deputeti i Demokracisë së Re, Theodoros Karaoglou për pronat e minoritetit grek në Shqipëri, Kotizas ka theksuar se interesi i Greqisë mbetet te pronat e kishës.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka monitoruar rregullisht zhvillimet që lidhen me procesin e kthimit të pronës që ishte shpronësuar nga regjimi i Hoxhës në Shqipëri. Sigurisht që është e kuptueshme se interesi ynë është fokusuar veçanërisht në diasporën tonë dhe të drejtat e pronës së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”, ka deklaruar Kotzias.

Madje, Kotzias është shprehur dhe kundër hetimit administrativ të nisur nga Bashkia e Himarës lidhur me disa prona në Dhërmi, të cilat mendohet se janë marrë padrejtësisht. Por, për Athinën duket se procesi i rregullt i kthimit të pronës, nuk ka rëndësi.

Votat

Një tjetër çështje që ka alarmuar autoritetet greke ishte edhe mundësia e votimit të emigrantëve shqiptarë në Greqi përmes postës. Po në këtë interpelancë, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, i është përgjigjur interesit lidhur me ligjin e miratuar nga Parlamenti i Shqipërisë më 18 shkurt 2016 “për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, i cili në fakt është hapi i parë për votimin e shqiptarëve jashtë Shqipërisë.

“Pikëpyetje krijon mundësia e ndërlidhjes së procesit të regjistrimit të adresave nga shtetasit që jetojnë jashtë vendit me të drejtën për votimin postar. Ndikimi që do të ketë ky ligj në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe në veçanti në të drejtën e votës krijon shqetësim te qeveria greke, sidomos në dritën e ligjit

ekzistues zgjedhor shqiptar, por edhe të Kodit Zgjedhor në reformim e sipër, veçanërisht nga dispozitat e këtij ligji që do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat e minoritetit grek”, deklaroi Kotzias, sipas “Top Channel”.

Siç lë të kuptohet dhe përgjigja e kreut të diplomacisë greke, me të drejtën e votimit me postë të shqiptarëve, Athina i druhet humbjes së kontrollit të disa zonave në jug të vendit, të cilat prej vitesh kanë qenë bastione të PBDNJ-së, parti që mbron interesat e minoritetit grek në Shqipëri, shkruan gazeta Shqiptare.

Greqia nuk ua njeh të drejtën e votës shtetasve të saj jashtë vendit, dhe duket se po lëviz për të mos ua lejuar edhe shqiptarëve. Kotzias deklaron se këtë çështje ia ka ngritur si palës shqiptare ashtu dhe institucioneve të BE-së. Ministri grek Kotzias ishte së fundmi në një vizitë zyrtare në Tiranë, ku pati një përballje edhe për çështjen çame.

Ai u prit me protesta nga PDIU dhe shoqata “Çamëria”, ndërsa pati një qëndrim zyrtar nga ana e ministrit Bushati se çështja çame duhet të trajtohet.

Reagon MPJ: “Pronat e Kishës Ortodokse, çështje e brendshme e Shqipërisë”

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Glevin Dervishi deklaroi dje se, “sa herë që shteti grek mban qëndrime lidhur me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe ortodoksët në territorin e shtetit shqiptar, ndërhyn në punët e brendshme të shtetit shqiptar”.

Në një reagim të tij, në përgjigje të mediave, pas qëndrimit të mbajtur prej ministrit të Jashtëm grek Kotzias, Dervishi u shpreh: “Vëmë re sërish me habi se si problemet juridike pronësore në Shqipëri kthehen në pretekst për të përligjur ndërhyrje në çështje krejt të brendshme të shtetit shqiptar. Autoqefalia e Kishës Ortodokse shqiptare, përveçse

fryt i mundimeve të panumërta të besimtarëve shqiptarë në breza, është kanonikisht rezultat i qenësisë së një shteti të pavarur dhe sovran shqiptar, në bazë të parimit të kahershëm “Kishë e lirë në shtet të lirë”, u shpreh ai.

“Këtë autoqefali, të njohur botërisht, të rikonfirmuar në përkatësinë e saj shqiptare nga Shenjtëria e Tij Patriarku Bartolome I-rë, gjatë vizitës së fundit të kryeministrit Rama në Fanar, e shohim të shpaloset sot lirshëm karshi kishave simotra në Koncilin Panortodoks të Kretës. Për pasojë, sa herë që shteti grek mban qëndrime lidhur me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe ortodoksët në territorin e shtetit shqiptar, ndërhyn në punët e brendshme të shtetit shqiptar”, theksoi në deklaratë Dervishi.

“Çështjet juridike pronësore ende të pazgjidhura të kishës autoqefale shqiptare janë në trajtim të vazhdueshëm dhe do të shqyrtohen në bazë të ligjit dhe në përputhje me angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë. Çështja e rikthimit të pronave në Shqipëri, është një proces që prek shtetasit shqiptarë pa dallim etnie, feje apo kombësie”, bëri me dije zëdhënësi i MPJ.

The post Ministri grek: Pronat e Kishës Ortodokse në Shqipëri, interes për ne; reagon Ministria e Jashtme appeared first on Lajminet.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Vrasje e mbetur në tentativë në Ferizaj

Me datën 19.04.2024 në ora 17:47 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në udhëkryqin e rrugëve...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img