06,05,2024

Kuvendi i Komunës së Ferizajt mban seancë solemne me rastin e Ditës së Dëshmorëve

Must Read

Kuvendi i Komunës së Ferizajt mban seancë solemne me rastin e Ditës së Dëshmorëve

Aktivitetet për shënimin e Ditës së Dëshmorëve në Ferizaj, kanë filluar sot në mëngjes më mbajtjen e seancës solemne për ndër të kësaj dite.

Në këtë seancë pjesë veç këshilltareve komunalë morën pjesë edhe personalitete të shumta nga jeta politike, ushtarake e institucionale në Ferizaj. Kryesuesi i Kuvendit Faruk Guri në këtë tubim potencoi se dita e sotme përkujtimore është ndër ditët më të lavdishme të komunës së Ferizajt, andaj meriton respekt të thellë përgjithmonë.

Ndërkaq kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa në fjalën e mbajtur më këtë rast theksoi se kjo ditë shënon njërën ndër përpjekjet më të fuqishme për liri dhe si e tillë do të mbahet mend përherë.

“ Çdo përvjetor që na kujton rezistencën dhe kundërshtimin e vendosur ndaj robërisë, na bën të ndihemi mirë dhe krenar. Ky përvjetor i Betejës së Jezercit, i kundërshtimit me armë të aparatit vrasës të Serbisë së Milosheviqit, shënon në ndërgjegjen tonë një nga përpjekjet më të fuqishme për t’i ndryshuar rrjedhat e historisë së vuajtjeve të pafund të popullit shqiptar të Kosovës nga shtypja e egër mbi baza kombëtare, nga vrasjet po mbi këto baza dhe nga persekutimi masiv i popullit tonë.

Beteja e Jezercit, tregon gatishmërinë për sakrificë, tregon përgjegjësinë e lartë dhe nismën e një rrugëtimi me mijëra sakrifica, i cili, për fatin tonë të mirë, pati si përfundim çlirimin e vendit tonë dhe pavarësinë e tij nga shtypësi i deridjeshëm.
Në këtë rrugëtim, me flijime të panumërta, bota demokratike ishte në anën tonë, sepse ne ishim në të drejtën tonë. Ne kishim të drejtë të jetonim të lirë, siç jetojnë edhe popujt tjerë, dhe, për fatin tonë të mirë, kjo e drejtë u kuptua edhe nga të tjerët. Prandaj, jemi sot këtu, të lirë për t’i kujtuar e për t’i nderuara ata që u flijuan për këtë ditë.” tha kryetari Svarqa.

Më tutje ai përmendi edhe emrat e dëshmorëve të rënë për të mos u harruar asnjëherë veprimtaria e tyre dhe gjaku që dhanë për liri.

“Në Betejën e Jezercit, familiarët, bashkëluftëtarët, Ferizaj dhe Kosova humbën Gursel e Bajram Sylejmanin, Sejdi Sejdiun, Kemajl Hetemin, Bashkim Vishin, Salih Baliun, Nazim Terziun, Lulzim Gutën e Arsim Zeqirin, por fituan namin e tyre të përjetshëm, thadruan edhe më shumë idealin e lirisë dhe gatishmërinë për sakrificë në themelet e atdheut.
Dëshmorët e Betejës së Jezercit dhe të gjithë dëshmorët e martirët, që luftuan për çlirimin dhe lirinë e vendit tonë, e përfunduan në mënyrën më sublime misionin e tyre. Populli i Kosovës pati fatin e mirë që bota demokratike u rreshtua krah tij, duke e mbështetur luftën tonë të drejtë e çlirimtare.

Ne e kujtojmë sot e përherë, me nderimin më të lartë Epopenë e Jezercit, epopenë e flijimit sublim të të gjithë heronjve, dëshmorëve e martirëve që ranë për lirinë e Kosovës, sepse në këtë mënyrë ne u kthehemi vlerave tona më të çmuara, sakrificës së madhe që dha ky popull në vazhdimësi, për të qenë i lirë në trojet e veta.

Prandaj, sot, në këtë ditë përkujtimi e homazhi, ne jemi me mendje e me zemër të përfshirë nga nderimi i thellë ndaj të gjithë atyre bijve e bijave tona që i vunë gjoksin të keqes, për ta ndalur terrorin e pashembullt që po ushtrohej ndaj popullit tonë të shumëvuajtur” vazhdoi i pari i komunës së Ferizajt.

Ndërkaq në ditët e lirisë tash e 19 vjet kryetari i komunës Svarqa porositi gjeneratat e reja që të punojnë sa më shumë për vendin që dikur u çlirua me shumë sakrifica

“ Sot, shumë vite pas atyre ngjarjeve, detyra të rëndësishme qëndrojnë para nesh: që ta ndërtojmë paqen, ta ndërtojmë mirëqenien e qytetarëve të Ferizajt dhe të Kosovës. Nuk ka dyshim që kjo është një sfidë aspak e lehtë, por ne po ecim hap pas hapi drejt këtij synimi. Tani jemi të lirë për ta ndërtuar jetën tonë.
Tani është koha kur ne si popull dhe si vend e kemi shansin për t’i treguar mundësitë tona krijuese, kapacitetet qeverisëse dhe aftësitë tona për të ndërtuar mirëqenien tonë. Në këtë aspekt janë bërë hapa të rëndësishëm, por ka ende shumë punë. Se si do të jetë e nesërmja jonë, tani varet nga vetë ne.

Më tutje nuk mund t’i fajësojmë të tjerët për ngecjet eventuale, por duhet t’u përvishemi punëve, për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë për vete dhe për fëmijët tanë. Unë jam thellë i bindur se dëshmorët dhe martirët që u flijuan për liri, kur vendosën t’i hyjnë rrugës së gjatë e të vështirë të çlirimit, nuk e bënë sakrificën e tyre që ne ta ndërtojmë një shoqëri me plot ndasi, përçarje, urrejtje e energji negative. Kultivimin e bashkëveprimit, ndërtimin e raporteve të shëndetshme dhe parimësinë e garës për vlera, do të duhej t’i kishim në bazat e veprimeve tona të përditshme.

Ne jemi një popull dhe një vend i vogël, që edhe i bashkuar, nuk e ka lehtë ta ndërtojmë mirëqenien siç e kanë ndërtuar të tjerët. Të ndarë e të përçarë, do ta kemi edhe më të vështirë. Prandaj, le të punojmë së bashku për një të nesërme, për të cilën brezat e ardhshëm do të na kujtojnë e të na shprehin mirënjohje, siç i kujtojmë e u shprehim mirënjohje të përjetshme të gjithë atyre që u flijuan për të sotmen tonë. Nuk ka asnjë dyshim se sot e kemi pakrahasueshëm më lehtë, se sa e kishim gjatë luftës. Lavdi të rënëve në Betejën e Jezercit, lavdi të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës” than ë përfundim të fjalës së tij kryetari Svarqa.

Pas seancës së mbajtur në Kuvendin Komunal për nder të kësaj dite , aktivitetet kanë vazhduar edhe me një Akademi solemne të mbajtur në teatrin “Adriana” për të nderuar veprimtarinë e dëshmorëve dhe sakrificën e miljeve të tyre.

Aty u shfaq një program i pasur kulturoro-artistik ku me pikat e tyre u paraqitën oktetit i qytetit si dhe grupi i recitatorëve të rijnë nga Ferizaj.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Faton Xhakli zgjedhet selektor i Kombëtarës së Kosovës në Boks

Trajneri i mirënjohur ferizajas Faton Xhakli në mbledhje e fundit të bordit të Federatës së Boksit është zgjedhur selektor...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img