20,04,2024

Kujtim Terpollari apelon t’ia gjejë kokën e djalit

Must Read
Viktima Bledar Terpollari

Dy ditë më parë, në fshatin e thellë malor Backë, të komunës Potom në Skrapar, iu dha lamtumira të riut të masakruar. Babai i tij, Kujtim Terpollari, u fut në borxhe për të sjellë trupin e të birit. Por ai bën apel për gjetjen e kokës, pasi trupi i djalit nuk mund të prehet pa të.

Ai mohon që i biri të ketë qenë pjesë e ndonjë grupi që merrej me trafikun e drogës dhe këtë, sipas tij, e tregon më së miri gjendja ku jeton sot familja.

“Nëse im bir do të merrej me drogë, ne nuk do të ishim sot në këtë skamje. Jetojmë gjashtë veta, madje me një fëmijë me aftësi të kufizuara, me 8 mijë lekë. Nëse djali do të merrej me drogë, ne do të kishim para të sillnim trupin e tij, dhe jo t’i merrnim ato borxh”, shprehet Kujtim Terpollari.

Nuk ka më keq kur prindi mëson humbjen e fëmijës së tij. Por kjo që më ka ndodhur mua është shumë e rëndë. Përveçse e vranë, me kokën e djalit ç’patën, pse ia prenë? Ata u hakmorën për diçka që unë nuk e di se çfarë, duke i marrë jetën, por veprimin tjetër çfarë i shtyu ta kryenin?”, tha Kujtim Terpollari.

Prinderit Terpollari

“ Jemi të traumatizuar nga kjo ngjarje, jo vetëm unë si baba i tij, por dhe pjesëtarët e familjes. Unë nuk besoj që djali ynë të këtë kryer ndonjë veprim të këtillë aq sa të ndëshkohej kaq ashpër. Unë e njoh mirë karakterin e djalit, pavarësisht se atë e ka ndjekur nga prapa varfëria e madhe e familjes së tij. Ne jetojmë këtu mes maleve dhe dhimbja është e madhe”.

Ai tha se kishin dy vjet që s’e kishin parë me sy djalin. Por për lekë as që bëhet fjalë fare. “Po të ishte pjesëtar i ndonjë bande të trafikut të drogës, ai do të kishte edhe përfitimet e tij. Kësisoj do të na ndihmonte dhe ne si familje që po heqim të zitë e ullirit në mes të varfërisë”.

Më tej Kujtimi pyeti duke thënë se a mund të jetojë në skamje familja e një njeriu që trafikon drogë?

“Ne jetojmë 6 veta me një të ardhur 8 mijë lekë në muaj. Kemi edhe një fëmijë të sëmurë, është me aftësi të kufizuara. Kjo gjendje që po kalojmë ne tregon që djali ynë nuk ka pasur mundësi financiare që të na ndihmonte”.

Apeli që unë si prind kam është të gjejnë dhe të më sjellin kokën e djalit. Djalin e kam varrosur dy ditë më parë, por trupit dihet që i mungon koka. Të gjendet koka dhe ta varros te trupi i tim biri. Me një të ardhur prej 8 mijë lekësh dhe nga këtu mes maleve unë nuk mund t’ia gjej dot kokën djalit tim. I bëj apel qeverisë ta bëjë këtë dhe të më ndihmojnë”./ Panorama

The post Kujtim Terpollari apelon t’ia gjejë kokën e djalit appeared first on Lajminet.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Vrasje e mbetur në tentativë në Ferizaj

Me datën 19.04.2024 në ora 17:47 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në udhëkryqin e rrugëve...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img