Uncategorized

Kryetari i Obliqit më i pasuri në rajonin e Prishtinës


Publikuar më:


, Xhafer Gashi, kryetar i Obiliqit

Më i pasuri prej tyre, në bazë të këtij deklarimi, del të jetë i pari i Obiliqit, Xhafer Gashi, me 1 milion e 870 mijë euro pasuri familjare, shkruan sot “Koha Ditore”. Pas tij rreshtohet kryetari i Komunës së Graçanicës, me 353 mijë e 500 euro pasuri familjare, pastaj ai i Fushë-Kosovës, Burim Berisha, me 221 mijë euro dhe në fund është radhitur kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu.

Ky i fundit pos 14 mijë e 719 eurove që i ka deklaruar para të gatshme, në formular nuk ka shënuar vlerën e tokës, shtëpisë dhe banesës. Disa e kanë shtuar pasurinë nga viti i kaluar, e disa kanë deklaruar një “rënie” të lehtë.

Pasaniku i Obiliqit

Kryetari i Komunës së vogël të Obiliqit, Xhafer Gashi, ka një pasuri të madhe familjare. Ai në formularin e Agjencisë Kundër Korrupsionit në vitin 2016 ka deklaruar pasuri në vlerë prej 1 milion e 870 mijë eurosh. Pasuria e paluajtshme e përbashkët është 370 mijë euro, ndërsa ajo e luajtshme 1.5 milionë euro. Xhafer Gashi ka deklaruar një shtëpi për pushime 150 m2 në pronësi të tij në vlerë prej 90 mijë eurosh dhe dy shtëpi në pronësi të prindit, njëra 150 m2 e ndërtuar në vitin 2005, vlera e së cilës është 200 mijë euro dhe tjetra 130 m2, në vlerë 80 mijë euro. Ndërsa nga pasuria e luajtshme kreu i Obiliqit nuk ka shkruar se posedon në emër të tij aksione në shoqëri komerciale, siç ka qenë në vitin 2014. Aksionet në dy firma private ai i ka bartur te fëmijët dhe bashkëshortja jashtëmartesore. Në formularin e plotësuar në AKK, Gashi ka shënuar se bashkëshortja jashtëmartesore ka 15 për qind të aksioneve në kompaninë e sigurimit ËDG sh.a në vlerë prej 350 mijë eurosh dhe po ashtu 10 për qind të aksioneve në poligonin e shenjëtarisë – “Katana shpk”, në vlerë prej 75 mijë eurosh. Ndërsa përqindje më të madhe u ka shkruar se kanë fëmijët në këto kompani. Në ËDG sh.a shkruhet se fëmijët kanë aksione prej 40 për qind me një kapital prej 875 mijë eurosh, kurse 25 për qind në poligonin e shenjëtarisë – “Katana”, në vlerë prej 200 mijë eurosh.

Pavarësisht prej kësaj pasurie të madhe, Xhafer Gashi ka deklaruar se ka vetëm 450 euro para të gatshme të mbajtura në institucione financiare, aq sa ka edhe bashkëshortja jashtëmartesore. Ndërsa 300 euro fëmijët dhe 200 prindi. Kreu i Obiliqit ka të hyra mujore prej 1 mijë e 305 eurosh e 45 centë si kryetar komune. Të hyra të tjera ka shënuar pagën e bashkëshortes jashtëmartesore prej 1 mijë e 500 eurosh në poligonin e shenjëtarisë, pensionet e prindërve njëri 140 eurosh dhe tjetri 60 euro dhe fëmija 250 euro paga mujore në poligonin e shenjëtarisë “Katana”.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, një vit më herët kishte deklaruar pasuri të përbashkët familjare 1 milionë e 754 mijë e 150 euro, pasuria e të cilit vjen nga dy kompanitë private. Ai në formularin e vitit 2014 kishte shënuar se ka 75 për qind të aksioneve në ËDG sh.a., në një vlerë prej 1 milion e 250 mijë eurosh, ndërsa 50 për qind të aksioneve në poligonin e shenjëtarisë “Katana” në vlerë prej 300 mijë eurosh. Kurse në vitin e kaluar një pjesë të këtyre aksioneve ai i kishte bartur te bashkëshortja jashtëmartesore, ndërsa këtë vit një pjesë edhe te fëmijët.

Me gjithë këtë pasuri, kryetari i Obiliqit edhe sivjet nuk ka deklaruar asnjë veturë.

Varfërohet

Pasuri të madhe ka deklaruar edhe kreu i Graçanicës, Vladeta Kostiq. Në formularin e këtij viti ai ka deklaruar se ka 339 mijë euro pasuri të paluajtshme familjare dhe 14 mijë e 500 euro pasuri të luajtshme. Sikur edhe vitin e kaluar, ai ka deklaruar një shtëpi në pronësi të prindërve në vlerë prej 80 mijë eurosh e ndërtuar në vitin 1990, në sipërfaqe 230 m2 (e trashëguar) dhe 5 hektarë tokë po ashtu në pronësi të prindit në vlerë 200 mijë euro. Vladeta Kostiq ka deklaruar se ka një banesë 25 m2 (2007) në vlerë prej 29 mijë eurosh dhe një parcelë prej 3 arësh e trashëguar (1997) në vlerë prej 30 mijë eurove. Sivjet ai nuk ka deklaruar edhe një banesë tjetër të trashëguar 40 m2 e blerë në vitin 2000 në vlerë prej 38 mijë eurosh në emër të prindit, e që figuronte në formularin e vitit të kaluar.

Kryetari i Graçanicës ka shënuar pasuri të luajtshme një veturë të blerë në vitin 2014 në vlerë prej 11 mijë eurosh dhe një tjetër në emër të bashkëshortes të blerë në vitin 2014 në vlerë 3 mijë e 500 eurosh.

Vladeta Kostiq nuk ka shënuar se posedon para të gatshme në institucione financiare, por ka shënuar se fëmijët i kanë 8,245 euro dhe bashkëshortja 6,011 euro.

Edhe në formularin e këtij viti ai ka shënuar se ka një kredi prej 5 mijë e 86 eurosh deri në vitin 2017.

Kostiq ka të hyrat vjetore 13 mijë e 153 euro e 56 centë neto nga paga si kryetar komune dhe po ashtu edhe 1 mijë e 323 euro e 85 centë të hyra të tjera vjetore nga Komuna e Graçanicës.

Të hyra të tjera ia ka shënuar pensionin e prindit 3,442.62 euro dhe 6.295 euro pagën e bashkëshortes që punon në një shkollë në Graçanicë.

Vitin e kaluar Vladeta Kostiq kishte deklaruar 381 mijë e 600 euro pasuri të luajtshme e të paluajtshme. Ndërsa kishte deklaruar shumë më pak pasuri në tetor të vitit 2014, kur po synonte kreun e Graçanicës. Në vitin 2014 ai kishte deklaruar një shtëpi 160 m2 në pronësi të prindërve, e ndërtuar në vitin 1989 dhe po ashtu 5 hektarë në pronësi të prindit, por që nuk ua kishte treguar vlerën.

I shtohet kapitali

I varfër nuk është as kryetari i Fushë-Kosovës, Burim Berisha. Ai sivjet ka deklaruar se ka 201 mijë euro pasuri të paluajtshme dhe 20 mijë euro pasuri të luajtshme.

Ai ka deklaruar se ka tokë bujqësore 1.50 hektarë e trashëguar në vlerë 75 mijë euro, një banesë 30 m2 e blerë 12 mijë euro më 2004, oborr dhe shtëpi 6.38 hektarë e trashëguar, 35 mijë euro, pemishte në shtëpi 30 arë e trashëguar në vlerë 40 mijë euro dhe tokë bujqësore 40 arë, e blerë 12 mijë euro më 2015 (që nuk figuronte vitin e kaluar). Berisha ka deklaruar edhe një banesë 40 m2 e blerë më 2003, 24 mijë euro, në pronësi të bashkëshortes dhe tokë bujqësore 10 m2, e blerë më 2015, 3 mijë euro, në pronësi të fëmijëve (që nuk figuronte vitin e kaluar).

Pasuri të luajtshme kreu i Fushë-Kosovës ka deklaruar 2 vetura, njëra “Golf 6” e blerë më 2014, 10 mijë euro, dhe tjetra “Audi A3”, e blerë 10 mijë euro më 2011. Këtë veturë ai vitin e kaluar e kishte shënuar në pronësi të fëmijëve.

Burim Berisha ka shënuar në formularin e AKK-së se ka një kredi prej 15 mijë eurosh për veturën e blerë për një periudhë prej 7 vjetësh.

Kryetari i Fushë-Kosovës ka të hyrat vjetore 11.880 euro si kryetar i komunës, ndërsa bashkëshortja 2 mijë e 900 euro në një shkollë në Fushë-Kosovë, dhe fëmijët, njëri në MAPL 4.200 euro dhe tjetri në ATK 3.100 euro. Para këtij mandati Burim Berisha nuk e kishte të punësuar asnjërin fëmijë në institucione shtetërore.

Vitin e kaluar ai kishte deklaruar se ka 186 mijë euro pasuri të paluajtshme dhe 14 mijë e 500 euro pasuri të luajtshme.

E “fsheh” pasurinë

Kreu i Podujevës nuk duket se është shumë i dhënë pas numrave. Ai ka disa vjet që nuk ia shënon vlerën pasurisë së tij të paluajtshme. Në formularin e këtij viti Veliu ka shënuar se ka pasuri të paluajtshme tokë e punuar (arë) 73.33 m2 e trashëguar, shtëpi me oborr 7 arë (1990) banesë 76.10 m2 e blerë në vitin 2008. Kësaj të fundit në formularët e viteve 2013 e 2014 i shkruante 85 mijë euro vlera. Ndërsa sivjet ai e ka rritur pasurinë e paluajtshme duke blerë në vitin 2015 edhe 10 arë truall me kredi dhe kursime.

Kryetari i Komunës së Podujevës ka deklaruar se posedon para të gatshme të mbajtura në institucione bankare, 14 mijë e 719 euro. Vitin e kaluar ai kishte deklaruar para të gatshme 49 mijë e 32 euro në një bankë dhe 3 mijë e 5 euro në një bankë tjetër.Agim Veliu ka shënuar se ka detyrime financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë 25 mijë euro kredi për blerjen e truallit për 5 vjet.

Të hyra vjetore Veliu ka shkuar pagën mujore prej 1.197.82 eurosh që e merr si kryetar komune. Por nuk ka shënuar edhe të hyrat e fëmijëve të tij. Dhe po ashtu asnjë veturë në pronësi të tij e as të fëmijëve.

The post Kryetari i Obliqit më i pasuri në rajonin e Prishtinës appeared first on Lajminet.

Comments
To Top