Uncategorized

Hollywoodi film për Gërdecin


Publikuar më:


Filmi ka në qendër trafikun e fishekëve kinezë drejt Afganistanit, të blerë dikur nga ushtria shqiptare prej Kinës. Një kompani amerikane kishte fituar tenderin për këtë punë në SHBA dhe gjatë rrugës, sekser i saj në Tiranë, u bë i biri i Kryeministrit, i etiketuar në libër dhe film si “sypeshkaqeni”.

Filmi nuk duhet parë për gjëra që nuk i dimë. Ne dimë më shumë se çfarë ka filmi, dhe nuk na ka ardhur aspak për të qeshur me atë që ka ndodhur. Por filmi duhet parë për të kuptuar diferencën mes një vendi perëndimor dhe kryekampioni të lirisë, si SHBA, dhe një vendi të nënshtruar nga ma⌀⌅a dhe korrupsioni si Shqipëria.

SHBA nuk humbi asgjë nga tregtia e armëve nga Shqipëria. Dy djem të papërgjegjshëm amerikanë, për pak fitime më shumë, i ranë shkurt në Shqipëri. Nxorën nga loja nënkontraktorin e tyre Kosta Trebicka, për shkak se ua kërkoi grupi i banditëve të djalit të Kryeministrit, e çuan për gjah dhe e vranë diku afër Gramshit, dhe vazhduan biznesin e tij.
Kur SHBA konstatoi se po shkeleshin ligjet e shtetit amerikan, ndërpreu kontratën, burgosi dy djemtë dhe tani ka bërë dhe film, për të mos e harruar këtë gjë.

Ky është vendi i lirisë, që nuk ka imunitet ndaj korrupsionit, por nuk ka asnjë shans ta tolerojë atë kur përballet me ligjin.

Tek ne ndodhi e kundërta. I biri i Kryeministrit, disa muaj para këtij biznesi, kishte nisur një biznes vdekjeprurës në Gërdec. Ai kishte ndihmuar Mihal Delijorgjin të rihapte zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes përmes Fatmir Mediut, për të marrë një kontratë fitimprurëse për demontim armësh të kalibrit të madh. Me arrogancën e njeriut të Familjes në pushtet, ai rrafshoi disa kapanone, mensa, e ambulanca në Divizionin e Gërdecit, ndërtoi një fabrikë me llamarina, futi aty brenda rreth 250 punëtorë dhe filluan në kushte mesjetare, të bëjnë një nga operacionet më të rrezikshme logjistike për demontim armësh në zemër të nyjes më të madhe të Shqipërisë, 5 km larg aeroportit dhe 16 km larg kryeqytetit.

Ndërkohë që ata po demontonin armët dhe po bënin planet e fitimit, vjen biznesi i dytë i tyre, kompania amerikane që kërkonte fishekë për Afganistan. Nënkontraktori i tyre Kosta Trebicka që do prodhonte kuti kartoni, ishte një pengesë nëpër këmbë në Aeroportin e Rinasit, pasi do të bëhej dëshmitar i biznesit tjetër të të birit të Kryeministrit. Ndaj banda mori vendim që dhe biznesin e Kostës, ta bënin ata në Gërdec. Dhe ashtu bënë. Kosta u dërgua për gjah, dhe ata i morën biznesin Papërgjegjshmëria, tahmarqarllëku dhe arroganca e pushtetit bënë të vetën. Gërdeci, biznesi i tyre i parë shpërtheu dhe la të vdekur 26 vetë, mes të cilëve dhe burrin e tezes së Shkëlzen Berishës, ndërsa kontrata e dytë u ndërpre, sapo amerikanët panë që kishte shkelje ligji.

Në shtetin shqiptar nisi një proces hetimi dhe ndëshkimi për vrasjen e 26 vetëve dhe përfshirjen e zyrtarëve shqiptarë në shkelje ligji.

Prokuroria nuk mori asnjë ditë dhe asnjë herë të pandehur Shkëlzen Berishën, edhe pse gjurmët e gjakut ishin të qarta dhe të çonin në shtëpinë e Sali Berishës. Ai diktonte ministrat si të bënin “Memo”-t dhe relacionet për vendimin, hynte e dilte 42 herë për një muaj në zyrën e Fatmir Mediut, i kishte deleguar shokut të ngushtë dhe ortakut në hije të bizneseve të veta, Selmanllarit përfaqësinë e firmës amerikane, dhe ishte personi i parë që kontaktoi Delijorgji, pas tragjedisë, pasi foli me gruan e tij. Por nuk u thirr as si dëshmitar, as si person në dijeni dhe jo më si “pronar real” i biznesit. Shkaku ishte se drejtësia u vendos përballë sulmeve të egra të Sali Berishës, i cili i shpalli luftë Kryeprokurores dhe Presidentit të vendit, u shpalli luftë gjyqtarëve që kishin në dorë çështjen duke i kërcënuar me hapje dosjesh, dhe arriti të shpëtojë pa u prekur nga kjo histori. Familja e tij, me një arkivol të shtuar nga kjo histori, erret e gdhihet mbi një krim, ku ka 26 viktima, mes të cilëve dhe baxhanaku i Sali Berishës, por në paturpësinë e tyre, ata shikojnë njëri-tjetrin në sy dhe thonë “shpëtuam”.

Drejtësia shqiptare nuk bëri dot asgjë. Jo vetëm për Shkëlzenin, por as për Fatmir Mediun. Prokuroria kërkoi gjashtë vite burg për të, por Sali Berisha e mbrojti me imunitet dhe nuk lejoi të rihapej çështja, në shkëmbim të heshtjes së tij për Shkëlzen Berishën. Nuk e di sa i qetë do të jetë ky njeri derisa të vdesë, por me 26 të vdekur në ëndërr çdo natë, sado budalla të jesh, minimumi çmendesh.

Media shqiptare me disa përjashtime të vogla nuk bëri dot asgjë, përkundrazi i shërbeu shpesh mjegullnajës së atij krimi. Disa gazetarë që tentuan t’i shkonin të vërtetës në fund u linçuan publikisht nga Berisha. Letërsia dhe kinematografia shqiptare nuk ka bërë asgjë dhe nuk pritet të bëjë.

Kujtesa historike e shqiptarëve, është aq e rëndomtë, sa kuformat e grave të zhveshura dhe të djegura të Gërdecit, tani i imagjinon të veshura me brekët e shtrenjta që shet Armina, e dashura e Shkëlzenit, dhe nuk u duken keq.

Ky film duhet parë pikërisht për këtë arsye. Për t’u ndërgjegjësuar se si i falim krimet, si heshtim për to, si i falim kriminelët dhe si i rivlerësojmë ata, duke harruar gjakun dhe baltën ku janë varrosur viktimat e trye dhe duke u jargepsur pas faktit që i njëjti njeri që ka vrarë, ka dhe një të dashur që shet brekë të shtrenjta.

Mjafton kjo, për të treguar sa rëndë është Shqipëria dhe ku është diferenca jonë me Perëndimin. Ky film vlen vetëm për kaq. Dhe kaq është shumë. Është aq shumë, sa në çdo vend normal, autori i krimit, në mungesë të gjykimit, ose do kishte vrarë veten, ose do ta kishin vrarë. Këtu nuk ka as gjyq, as të ndëshkuar, as vetgjyqësi dhe as të turpëruar. Këtu ka vetëm të vrarë prej këtyre veseve. 26 vetë në këtë rast!

Comments
To Top