Lajme

Ditëlindja e profetit Muhamed, Rama: Duhet të nisë mësimi fetar në shkolla


Publikuar më:


rama6

Qeveria shqiptare pritet të vijë me një projekt të ri në të ardhmen që ka të bëjë me futjen në shkolla të kulturës fetare.
Lajmin e bëri publik kryeministri, Edi Rama gjatë një aktiviteti për ditëlindjen e profetit Muhamed.

Rama tha se të rinjtë sot janë të paarmatosur me dijen fetare për t’u përballur me ekstremizmin ekstrem që nuk ka asnjë lidhje me fenë.

“Besoj fort se ka ardhur momenti që me kurajo, shteti shqiptar t’i çelë dyert e shkollave për njohjen e besimeve fetare. T’i çelë dyert e shkollave për t’i dhënë çdo fëmije mundësinë të armatoset me instrumentet e dijeve dhe të mos jetë viktimë e propagandave tunduese të atyre që s’kanë asnjë lidhje me profetët që i çelën rrugë qytetërimeve të sotme dhe që në emër të islamit kryejnë krime të cilat janë të destinuara të ndëshkohen sepse janë të ndëshkuara qysh në librat e shenjtë. Unë besoj se sot të gjithë duhet të ndjejnë përgjegjësinë e madhe të faktit se të rinjtë, adoleshentët në Tiranë apo në Paris, në Prishtinë apo në Londër, në Evropë apo në Amerikë janë të paarmatosur me instrumentet e dijes për t’u përballur me demagogët, me sharlatanët, me maskarenjtë që kërkojnë të nxjerrin përfitime duke e përgjakur njerëzimin apo duke e tërhequr prej hunde”, tha ai.

Ndër të tjera, bëri të ditur edhe idenë që pritet të zbatohet për shtimin e shkollave në zonat urbane dhe rurale.  “Do bashkëpunojmë me shumë institucione ndërkombëtare në perëndim dhe në lindje, kemi thirrur në ndihmë edhe ekspertë të mirënjohur botërisht, të kulturës së civilizimeve dhe do të eksperimentojmë për herë të parë falë teksteve të përgatitura në harmoni të plotë mes këtyre institucioneve duke filluar që nga Observatori i Laicité në Paris dhe komuniteteve tona fetare në Shqipëri”, tha ai.

Për Ramën “Ky projekt konsiston jo në cenimin e laicitetit të shkollës por në forcimin e themeleve të kulturës laike e cila është e dobët dhe e pafuqishme të përballet me format e ekstremizmit të dhunshëm,  apo të atij me kostum e kravatë nëse nuk arrin të pajisë fëmijët e të gjitha besimeve me instrumentin njohës për faktin fetar si gjenerues civilizimesh dhe me vëmendjen e mprehur për të mos rënë pre e tundimeve të mëdha që joshin dhe kthejnë në viktima fatkeqe të xhihadizmit apo të ekstremizmit politik vajza e djem që s’kanë fuqinë e brendshme shpirtërore se ju mungojnë këto instrumente”.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=WCw9JWOI7tg]

Comments
To Top