07,05,2024

Diskutohet për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm

Must Read

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka mbajtur konferencën me titull “Përfshirja e komunitetit në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm” projekt ky që financohet nga Ambasada Amerikane në Kosovë. Kjo konferencë kishte për qëllim që të diskutoj rreth sfidave të Kosovës në ballafaqimin me ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin, si dhe gjetjen e praktikave me të mira drejt parandalimit dhe luftimit të këtij fenomeni.

Fillimisht të pranishmit i ka përshëndetur Skender Perteshi, hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë.

Të pranishmëve me një fjalë rasti është drejtuar edhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili tha se shoqëria jonë është një shoqëri e re në kuptimin e ndërtimit të demokracisë.

“ Duke qenë një mjet shumë i fuqishëm i zhvillimit demokratik, debati është tepër i nevojshëm, madje i domosdoshëm për funksionimin e shoqërisë sonë. Viteve të fundit jemi ballafaquar me fenomenin e ri: përhapjen e ekstremizmit dhe të radikalizmit fetar dhe me pjesëmarrjen e disa kosovarëve në luftërat e Lindjes së Mesme. Kam bindjen e thellë se sikur para katër-pesë vitesh të kishim zhvilluar debate të gjera e të shpeshta, për të sqaruar kontekstin e atyre luftërave dhe të kishim marrë masa me kohë, pjesëmarrja e kosovarëve në to do të ishte dukshëm më e vogël. Por, më mirë vonë, se kurrë. Sqarimi i kontekstit të luftërave në Lindjen e Mesme, analiza e gjendjes, nxjerrja e përfundimeve të drejta, shpjegimi i kontekstit fetar të asaj lufte, qartësimi i burimit të frymëzimit të ekstremizmit dhe radikalizmit, besoj se është shumë më i efektshëm, se sa masat ligjore dhe represive të shtetit”, ka thënë Svarqa.

Ai tutje është shprehur se Komuna e Ferizajt nuk ka qenë shumë e prekur nga fenomeni i ekstremizmit dhe radikalizmit, por kanë qenë të prekura komunat fqinje.

“Ne, përmes Këshillit Komunal të Sigurisë në Bashkësi dhe përmes agjencive të sigurisë, kemi qenë vazhdimisht të vëmendshëm ndaj këtij fenomeni, të cilin e kemi diskutuar dhe analizuar. Janë organizuar edhe debate e ligjërata në këtë temë dhe pritet të organizohen edhe më tutje. Sepse në gjendjen jo shumë stabile ballkanike, ekstremizmi dhe radikalizmi është benzinë në zjarr. Prandaj, ne jemi të vetëdijshëm për syçeltësinë që duhet treguar të gjithë ne, banorët e Ferizajt dhe të Kosovës në këtë drejtim”, tha Svarqa, përderisa ka nxjerre edhe disa konkludime të cilat janë mbledhur nga konferencat e deritanishme lidhur me ketë teme.
Të pranishmit me një fjalë rasti i është drejtuar edhe zv komandanti i stacionit të policisë në Ferizaj, kapiten Xhavit Xhokli si dhe Bujar Hasani, kryetar i Bashkësisë Islame në Ferizaj.

Më pas kanë diskutuar edhe përfaqësues të shoqërisë civile, mësimdhënës dhe kryetar të fshatrave.

U bë e ditur se ky projekt është pjesë e aktiviteteve të QKSS-së, në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit të dhunshëm i cili do të implementohet në të gjitha Komunat e Kosovës. Në fund të këtij takimi u tha që takime të tilla të jenë më të shpeshta dhe të formohen edhe mekanizma reformues.

 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Faton Xhakli zgjedhet selektor i Kombëtarës së Kosovës në Boks

Trajneri i mirënjohur ferizajas Faton Xhakli në mbledhje e fundit të bordit të Federatës së Boksit është zgjedhur selektor...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img