Uncategorized

Çobanesha me dy diploma nga Roma, ruan dhitë në Rrëshen


Publikuar më:


Vajza nga Rubiku u kthye nga Italia gjashtë vjet më parë, pasi studioi shkenca politike dhe u specializua për marrëdhënie ndërkombëtare. Ajo kishte dy diploma që i jepnin sigurinë se mund të ndërtonte një karrierë në qytetin e saj të lindjes.

“Besoja se nuk do e kisha të vështirë të gjeja një punë, veçanërisht në Rubik, kur të gjithë synonin të vinin në Tiranë”, kujton 34-vjeçarja.

Megjithatë, realiteti ishte larg përfytyrimit të saj. Loku i tha BIRN-it se e dërgoi CV-në në disa institucione të pushtetit vendor në Rubik dhe në Rrëshen, por iu kthye mbrapsht pa asnjë shpjegim. Ëndrrat e saj për të bërë një ndryshim në vendlindje u thyen në mes.

E papunë dhe me familje të sapokrijuar, Rigerta mësoi shpejt arsyen e refuzimit.

“Të zgjedhurit e partisë e dinin fort mirë që unë dhe Nardi (bashkëshorti) nuk ishim militantë dhe nuk votonim për ta”, thotë Loku.

Para ofertës për t’u rreshtuar politikisht, ajo dhe bashkëshorti i saj Leonard Tusha zgjodhën rrugën më të vështirë. Me paratë e kursyera në Itali, vendosën të ndërtojnë fermën e tyre larg qytetit e politikës, dhe gjashtë vite më pas janë krenarë që ia kanë dalë.

Ferma e tyre gjendet në fshatin Prosek, mes gjelbërimit dhe maleve të Mirditës. Fshati shtrihet 6.5 kilometra larg qytetit të Rrëshenit, por rruga mund të përshkohet vetëm me një automjet të lartë në një udhëtim të vështirë që të merr më shumë se 40 minuta.

Mungesa e rrugës, e energjisë dhe e ujit kanë sjellë largime masive në fshatin që dikur numëronte 1500 banorë. Shumica e shtëpive janë të braktisura, ndërsa të zotët nuk kanë mundur t’i shesin as për 100 mijë lekë.

Në Prosek, Rigerta dhe bashkëshorti i saj ndërtuar fillimisht, në vitin 2010, një kasolle në pronat e babait dhe blenë disa dhi race. Vendimi i tyre i habiti jo pak banorët e zonës, të cilët nuk ua kursyen të tallurat dhe paragjykimet.

“’Ka dy diploma dhe tani po ruan dhitë’, dëgjoja shpesh pas krahëve”, kujton Loku. “Por, ne jemi të lumtur këtu. Arrijmë të sigurojmë një jetesë normale dhe mbi të gjitha jemi të pavarur”.

Ideja për zhvillimin e fermës u frymëzua nga tradita e zonës, e cila sot është lënë në harresë. Sot ata kanë shtuar tufën e tyre në 500 krerë, ndërsa kanë hapur edhe një dyqan të vogël në Rubik ku tregtojnë mish të freskët keci dhe djathë dhie të përpunuar në fermën e tyre.

Për punët e shumta në fermë, Rigerta dhe Leonardi kanë punësuar disa banorë të zonës, ndërsa prindërit e Leonardit i ndihmojnë për rritjen e dy vajzave.

Zgjerimi i fermës deri në prodhimin e një produkti që do të mbajë emrin e tyre është ëndrra e re e dy bashkëshortëve. Për të realizuar këtë synim, Leonard Tusha ka nisur studimet në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Pas orëve të studimit, ai nxiton pasditeve drejt fermës për t’u kujdesur për bagëtitë. Leonardi tregon se zona është e vështirë dhe se problemet nuk mungojnë, ndaj atij u duhet të përballet që nga vjedhjet e deri tek mbrojtja e bagëtive nga kafshët e egra.

“Duhet të jesh vetë këtu e t’u qëndrosh punëve mbi kokë, ndryshe atë që e ke ngritur për një kohë të gjatë të rrënohet brenda ditës”, thotë ai.

Gjashtë vjet pas rikthimit, Rigerta Loku është përshtatur si me jetën në fermë, ashtu edhe me kulturën e përgjithshme të pafuqisë për të ndryshuar rendin e gjërave në Shqipëri. Megjithatë, ajo dhe bashkëshorti i saj ndjehen krenarë për kurajën që patën për të ndryshuar jetën e tyre.

“Unë nuk do të kem fuqinë të ndryshoj Shqipërinë, as pushtetarët tanë, por kam fuqinë të ndërtoj mikrobotën time këtu pa i shtrirë dorën kujt dhe me dinjitet”, përfundon Loku. /BIRN/

The post Çobanesha me dy diploma nga Roma, ruan dhitë në Rrëshen appeared first on Lajminet.

Comments
To Top