Ferizaj

Bashkësitë fetare janë kontribuuese që Kosova konsiderohet vend tolerant


Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka prezantuar dokumentarin “Promovimi i tolerancës ndërfetare në Kosovë”. Në një debat të organizuara me këtë rast, u vlerësua se bashkëjetesa fetare në Kosovë është e mirë.

Drejtori i Rrjetit AVONET, Kenan Gashi, tha se bashkësitë fetare janë kontribuuese që Kosova konsiderohet vend tolerant, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, në Kosovë bashkësitë fetarë janë bashkëpunues si në aspektin kombëtar, por edhe atë ndërkombëtar.

“Një bashkëpunim fetar ka bërë të kemi jetë në tolerance në Kosovë. Për ketë kanë kontribuar vetë bashkësitë fetare në Kosovë. Kontributi i tyre ka krijuar një atmosferë në shtrirjen e politikave dhe zhvillimin e projekteve në favor të vlerave të larta kombëtare. Në Kosovë, bashkësitë fetarë janë bashkëpunues si në aspektin kombëtar, por edhe atë ndërkombëtar. Institucionet e Kosovës kanë dhënë kontribut në komunikimin dhe atmosferë pozitive në bashkësitë fetare”, ka thënë Gashi.

Gazmend Hoxha, nga Policia e Kosovës nga rajoni i Ferizajt, tha se ka raste kur janë dëmtuar objekte të kulteve fetare, por kjo ka qenë për çështje materiale dhe jo nga qëllime urrejtëse ndaj një feje tjetër.

“Ne mes të feve në Kosovë kemi bashkëjetesë fetare dhe lufta e fundit në Kosovë nuk ka qenë fetare, por ka qenë diçka tjetër. Kemi paqe mes etnive dhe mes feve”, ka thënë Hoxha.

Agim Rexhepi, përfaqësues i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, tha se institucionet e Kosovës duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim.

“Institucionet tona duhet të paraqesin këto lloj dokumentarësh më shumë nëpër shkolla që t’iu shpaloset fëmijëve dhe t’iu tregohet që Kosova është shtet me tolerance të madhe fetare dhe se bashkëjetesa fetare na rrit neve si shtet”.

Rexhep Lushta, iman i Bashkësisë Islame në Kosovë, tha se Kosova tradicionalisht me shekuj nuk ka pasur asnjëherë konflikt ndërfetar dhe rezultat i kësaj tolerance gjithmonë është fryt i mësimeve e prijësve fetarë që i kanë përcjell tek brezi i tyre.

“Tolerancës ndërfetare i kanë paraprirë hoxhallarët që kanë përgatitur xhematin se atë se çka na mëson feja”.

Zëvendësministri për Kthime dhe Komunitete, Milazim Gashi, tha se Qeveria e Kosovës është duke kaluar këtë temë në aspektin institucional.

“Kosova ka arritur që të jetë shtet i pavarur… Ia kemi nisur prej zeros”, u shpreh Gashi.

To Top