26,04,2024

88 gra përfituan nga projekti ‘POWER’

Must Read

88 është numri i grave që kanë përfituar nga projekti “POWER” deri në fund të muajit tetor.

Përfitueset e këtij projekti të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë janë gra që kanë qenë viktima të dhunës në familje, të dhunës gjinore dhe të trafikimit.

Kështu u bë e ditur sot në ngjarjen përmbyllëse të këtij projekti, i cili filloi të zbatohet në shkurt të vitit 2015 dhe përfundon në muajin dhjetor të këtij viti.

Nga ky projekt këto gra kanë përfituar konsultime individuale, orientime për punë, punë në grupe dhe zhvillim të aftësive, trajnime profesionale, mbështetje për fillimin e një biznesi të vogël, praktikë nëpër kompani të ndryshme dhe bursa.

Ndërsa, fushat profesionale për të cilat ato janë trajnuar janë: gatim, rrobaqepësi, kompjuter, floktare, grimere, gjuhë të huaja, administrim. etj.

Federica Arezzi, koordinatore e projektit “POWER” nga organizata joqeveritare “Reggio Terzo Mondo” tha se ky projekt synon të forcojë shërbimet e fuqizimit të ofruara nga Qendrat e Grave/Shtëpitë e Sigurta, autoritetet lokale dhe ofruesit e shërbimeve të angazhuara në luftimin e dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe duke nxitur bashkëpunimin ndërmjet tyre.

“Strategjia e projektit ka pasur për qëllim promovimin dhe përfshirjen socio-ekonomike të grave – viktima të dhunës dhe të trafikimit, duke rritur aftësitë e stafit të strehimoreve për riintegrim, duke promovuar të drejtat e këtyre grave viktima në nivel komunal”, tha Federica Arezzi.

“POWER” mbështet rrjetëzimin midis shoqatave italiane dhe kosovare të angazhuara në luftimin e dhunës ndaj grave, me qëllim që të shkëmbehen metodologjitë e punës dhe të krijohen zgjidhjet që u përshtaten nevojave të grave.

“Koalicioni së bashku me RTM-në bën luftimin e dhunës ndaj grave dhe fuqizimin e tyre duke shkëmbyer metodat e punës” tha Sakibe Doli, përfaqësuese nga Koalicioni i Strehimoreve të Kosovës (KSK).

Strategjia e intervenimit të projektit “POWER” bazohet në dy shtylla kryesore të ndërlidhura – mbështetja e viktimave dhe rrjetëzimi.

Në kuadër të mbështetjes së viktimave janë bërë vizita në Itali me qëllim të shkëmbimit të praktikave për fuqizimin ekonomik të grave, janë themeluar 7 shërbime për aftësim profesional për gratë e mbijetuara të dhunës në familje. Kurse në kuadër të rrjetëzimit janë mbajtur programe trajnimi në avokim, lobim dhe dialog mbi politikat që u mbahen anëtarëve të Koalicionit të Strehimoreve të Kosovës (KSK) nga shumë ekspertë, programe trajnimi në fuqizimin ekonomik të grave të cilat janë viktima të dhunës dhe mbahen tryeza të rrumbullakëta për të ndikuar tek hartuesit e politikave dhe ofruesit e shërbimeve.

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj mban punëtorinë në Universitetin e Vjenës

Pas një periudhe intensive të hulumtimit dhe bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit, universitetet publike dhe ato të shkencave të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img