Uncategorized

“21 janari”, zbardhet vendimi që mbylli çështjen e vrasjeve të Gardës


Publikuar më:


21 Janari

Në verdiktin prej 14 faqesh, kolegji penal i përbërë nga Edmond Islamaj, Aleksandër Muskaj, Guxim Zenelaj, Shkëlzen Selimi dhe Artan Zeneli shpjegojnë vetëm rrugën që ndoqi dosja nga Shkalla e Parë e deri në Apel.

Por ndërsa jepen qëndrimet e të gjitha palëve, pra prokurorisë, të akuzuarve Prendi e Llupo, si dhe dy gjykatave, kolegji penal në verdikt shprehet vetëm me një paragraf për vendimin që u dha 3 vjet pas rekursit të depozituar.

Kolegji thotë se pasi dëgjoi relacionin përkatës dhe pasi e bisedoi çështjen në tërësi vendosi: “Mospranimin e rekursit të paraqitur nga Prokuroria e Apelit Tiranë dhe të gjykuarit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, nëpërmjet avokatëve të tyre mbrojtës, kundër vendimit nr. 793, datë 18.09.2013, të Gjykatës së Apelit Tiranë”.

Gjykata e Lartë përmend faktin se Prendi u shpall së pari i pafajshëm për “vrasje me dashje” nga Shkalla e Parë për akuzën e vrasjes së demonstruesit Faik Myrtaj, sikurse edhe Agim Llupos për vrasjen e Ziver Veizit.

Kolegji radhit më tej kronologjinë duke kujtuar se si të dy zyrtarët e Gardës u dënuan për “vrasje me dashje nga pakujdesia”, duke marrë Prendi 1 vit burgim dhe Llupo 3 vjet burgim.

Në rekursin e saj për Ndrea Prendin, thotë Gjykata e Lartë, prokuroria kërkon dënimin e tij për vrasje pasi plumbi i gjetur në trupin e viktimës ka dalë nga pistoleta e tij dhe dashja për krimin njihet sipas prokurorisë në doktrinë, përsa kohë Prendi ishte i vetëdijshëm për veprimet që po kryente dhe rrezikshmërinë e këtyre veprimeve.

Por gjykata shton më tej edhe qëndrimin e të akuzuarit Prendi, i cili nga ana e tij ka kërkuar pafajësinë. Sipas Prendit, thotë Gjykata e Lartë, ai nuk ka pasur asnjë njohje me viktimën e aq më tepër që ai nuk kishte dijeni se ku ndodhej viktima në momentin që e qëlloi.

The post “21 janari”, zbardhet vendimi që mbylli çështjen e vrasjeve të Gardës appeared first on Lajminet.

Comments
To Top