Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka larguar sot nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale zyrtarët e PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë.
Veseli tha se sot i ka liruar nga detyra të gjithë të emëruarit e PDK-së që kanë aktakuza dhe që mbajnë pozita në institucionet publike.
Me këtë vendim sot janë liruar nga detyra ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, zëvendësministri i FSK-së Agim Çeku dhe Nijazi Kryeziu.
“Duke treguar përkushtimin tim dhe vizionin si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kam vendosur që: Të emëruarit politikë nga radhët e PDK-së në institucionet publike të Kosovës, të cilët kanë aktakuza që ndërlidhen me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion, ose nepotizëm, t’i lirojnë funksionet menjëherë”.
Kreu i PDK-së po ashtu ka konfirmuar se partia që drejton nuk do të kandidojë e as nuk do të mbështesë kandidatët e asnjë subjekti politik që kanë aktakuza të konfirmuatra.
Ai gjithashtu ka liruar nga detyra edhe të gjithë të zgjedhurit brenda strukturave drejtuese të PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara.
“Ky vendim nuk e paragjykon fajësinë e tyre dhe me përfundimin e gjykimeve, kur ato janë liruese, të gjithë këta persona do të kenë vendin e merituar në PDK dhe në institucione. Prandaj, unë kam biseduar me zyrtarët tanë partiakë që kanë aktakuza dhe i kam njoftuar ata për lirimin nga detyrat zyrtare që kanë mbajtur”.
Kreu i PDK-së tha në konferencën me gazetarë se nepotizmi dhe korrupsioni janë rritur në vendin tonë të vogël dhe kjo duhet të ndryshojë me një luftë të pakompromis ndaj korrupsionit dhe nepotizimit.