Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi intervistën e parë për mediet ndërkombëtare ia ka dhënë gazetarit të famshëm francez, Harold Hyman, i cili deri vonë ka udhëhequr ndër emisionet më të shikuara në Francë në televizionin BFM.
Në këtë intervistë ekskluzive, Hyman i bën fillimisht një profil presidentit të ri të Kosovës.
“Hashim Thaçi, njeri i matur në të folur, drejton shtetin më kompleks të Ballkanit, Republikën e Kosovës, e cila u lind në vitin 2008, e vetëshpallur me bekimin amerikan, francez, britanik, gjerman, kanadez, si dhe të pothuajse të gjitha shteteve anëtare të NATO-s”, shkruan gazetari francez.
Ai shkruan se Presidenti i Republikës së Kosovës është zgjedhur nga Kuvendi, në një shtet me sistem gjysmë-presidencial. “Hashim Thaçin e kishte zvarritur prej kohësh një akuzë për trafikim organesh të të burgosurve serbë gjatë luftës, por se asnjë prokuror nuk e kishte akuzuar atë dhe kjo polemikë tashmë ka marrë fund”, shkruan gazetari Hyman.
Hyman shkruan se shteti serb e minon afirmimin e progresit të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, përmes një lufte të gjatë dhe të mundimshme, e cila i pengon të dy shtetet të rrugëtojnë drejt BE-së.
Në intervistën për gazetarin e famshëm francez, presidenti Thaçi ka folur edhe për prioritetet e tij si President i Kosovës, për raportet me BE-në, bashkëjetesën fetare dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Duke folur për prioritet e tij si President i Kosovës, Thaçi ka theksuar se ai do të shërbejë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, do të luajë një rol unifikues në skenën politike dhe shoqërore, në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Do t’i kryej detyrat e mia me përgjegjësi. Do ta prezantojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, do të inkurajoj zhvillimin socio-ekonomik dhe reformat demokratike. Do të jetë një kapitull i angazhimit tim për të çuar Kosovën drejt NATO-s dhe BE-së”, ka thënë Thaçi.
I pyetur për paragjykimet që ekzistojnë në Francë për shqiptarët, Thaçi ka theksuar se populli francez ka mbështetur qytetarët e Kosovës në periudha të ndryshme. Është po ky popull që ka mbështetur bombardimet e NATO-s dhe që ka qenë shumë solidar me qytetarët e Kosovës në vitet 1998-1999 dhe që ka mbështetur qeverinë e vet me rastin e njohjes së pavarësisë së Kosovës”, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi ka thënë se ai do të kultivojë këtë bashkëpunim tradicional, të shkëlqyer mes popullit të Kosovës dhe atij francez. “Në fund të fundit, edhe Kosova do të jetë pjesë e kësaj familjeje të madhe politike dhe të sigurisë, siç është edhe Franca si themeluese e NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, ka shtuar ai.
Ai është pyetur edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe pajtimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, modeli gjermano-francez do të jetë vështirë i implementueshëm.
“Shpesh merret parasysh nga ndërkombëtarët e kaluara franko-gjermane dhe pastaj edhe pajtimi i tyre, por, për fat të keq, as kosovarët as serbët nuk kanë mendje të ndritura si Balzak apo Gyte.
Unë vijë nga vendi që ka dhënë një personalitet si Nëna Terezë, e cila ka sjellë vetëm vlera, dashuri, respekt, mirëkuptim”, citon gazetari Hyman, presidentin Thaçi.
Rajoni në NATO
Presidenti Thaçi ka komentuar edhe ftesën që NATO i ka bërë Malit të Zi. Ai e ka cilësuar atë si lajm shumë të mrekullueshëm për rajonin, sepse përfaqëson shtrirjen e vlerave evropiane në rajonin tonë të trazuar të Ballkanit.
“Prandaj, Kosova mbështet plotësisht anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, ashtu siç edhe ne po punojmë që për anëtarësimin tonë në NATO dhe në BE në një të ardhme të afërt. Paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në Ballkan do të vendosen vetëm atëherë kur të gjitha shtetet e rajonit bëhen anëtare të NATO-s”, ka theksuar ai.