Gjithë dashurinë që kemi për fëmijët dhe përgjegjësinë që kemi ndaj tyre për jetë të dinjitetshme, festat e ndryshme sikur na i përziejnë buzëqeshjen dhe lotët. Në ditë festash, jo të gjithë fëmijët festojnë, sepse shumicës së fëmijëve u mungon diçka, disave shumëçka. Në sytë e fëmijëve, në zemrat e tyre, në butësinë e ëmbëlsinë e tyre shohë dhe ndjejë edhe “fjalë që qajnë e lot që flasin.”(D. Agolli).
Sot, kudo nëpër botë ekzistojnë deklarata të shumta dhe të përgjithshme për të drejtat e fëmijëve. Nëse lexohen me vëmendje, të gjithë do të pajtoheshin për të drejtat e proklamuara. Ato duken mjaft mirë të rregulluara me ligje në letër, por ka shumë sfida në implementimin e drejtë të tyre. Kur e lexojmë dhe analizojmë Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës, të gjitha nenet thërrasin për barazinë, zbatimin e drejtësisë, zhvillimin dhe perspektivën për të gjithë fëmijët pa dallime gjinore, racore, fetare, etj. Por, e vërteta qëndron ndryshe. Sot, në botë, në çdo 3 sekonda vdes 1 fëmijë, që do të thotë 1200 fëmijë vdesin çdo orë, 28.800 fëmijë vdesin çdo ditë apo çdo vit vdesin nga 10.512.000 fëmijë. Në po këta 3 sekonda që vdes 1 fëmijë, bota shpenzon rreth 100 mijë USD (dollar amerikan) për forca ushtarake. 1 mijë USD prej kësaj shume do të mjaftonin për të shpëtuar një jetë fëmije.
Paramendoni dhe kujtoni se sa është numri i fëmijëve në botë që nuk kanë ushqim ose kequshqehen, sa fëmijë kanë humbur prindërit dhe jetojnë pa kurrfarë përkujdesje, sa fëmijë jetojnë në varfëri, sa fëmijë kanë mbetur jashtë shkollave për arsye të ndryshme, sa është numri i fëmijëve të sëmurë dhe që nuk kanë mundësi trajtimi mjeksor në mungesë të financave, sa fëmijë i hasim në rrugë duke kërkuar lëmoshë, duke bartur mallëra në treg e fëmijë të tjerë që bëjnë jetë në kushte e vende jo të përshtatshme. Në disa pjesë të Kosovës fëmijët janë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre, pasiqë u është mohuar e drejta për kthim në vendbanimet e tyre të mëparshme. Shpeshherë, në mungesë mbrojtjeje, fëmijët bëhen viktima të huliganizmit e të shfrytëzimit seksual.
Në Republikën e Kosovës është mjaft i madh numri i fëmijëve të cilët kanë mbetur pa prindër, për shkak të luftës çlirimtare të vitit 1999. Ata kanë mbetur pa përkujdesje prindërore, por kanë nevojë për përkrahje e përkujdesje më të madhe nga organet përgjegjëse shtetërore, madje edhe nga tërë shoqëria. Ata fëmijë nuk marrin ndihmë të mjaftueshme. A është e moralshme dhe njerëzore indiferenca ndaj atyre fëmijëve?
“Nga numri i përgjithshëm i popullsisë në Republikën e Kosovës 30% janë fëmijë”(sipas Agjencisë së Statistikave), por ende nuk kemi një ligj specifik për mbrojtjen e tyre. Mungesa e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve në Republikën e Kosovës është një çështje që paraqet shqetësim për mungesën e bazës ligjore dedikuar fëmijëve. Nga kjo nënkuptohet se, jeta e fëmijëve kosovar varet apo ndikohet nga veprimet dhe mosveprimet e Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Fëmijëve të Kosovës edhe nga BE-ja u është kufizuar liria e lëvizjes, meqë nuk janë në listën e Shengen-it e as në BE. Prandaj, pavarësisht përkatësisë etnike, fëmijët kosovar e kanë një ardhmëri të pasigurtë dhe të paqartë.
Fëmijëve nuk duhet kushtuar kujdes vetëm me 1 qershor (Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve) apo në datën kur e kanë ditëlindjen, por duhet të jenë preokupim i përhershëm, në mënyrë që të mos shkatërrohet ardhmëria e tyre, sepse edukimi dhe kujdesi ndaj tyre është premtim për perspektivë të sigurtë.
Si mund të angazhohemi ne si shoqëri për të drejtat e fëmijëve?
1. Me informimin e fëmijëve për të drejtat në familje, në shkollë, për organizimet kulturore, mundësitë e marrjes së informacioneve dhe këshillave për të drejtat dhe obligimet e tyre.
2. Kyçjen e fëmijëve në marrjen e vendimeve të cilat kanë të bëjnë me ata.
3. Dhënien, krijimin e hapësirës për lojë aty ku banojnë fëmijët.
4. Respektimin e të drejtës së fëmijëve për shfaqjen e mendimit të lirë.
5. Respektimin konkret të të drejtave të fëmijëve në çdo kohë dhe në çdo vend, për aq sa nuk cënohen të drejtat e të tjerëve.
Liritë dhe të drejtat e njeriut janë vlera demokratike dhe themelore mbi të cilat ndërtohet paqja, stabiliteti dhe mirëqenia e çdo shoqërie. Ato nuk burojnë nga asnjë sistem politik ose ideologjik, por burojnë nga brendia e qenies njerëzore, nga dinjiteti i tij. Fatkeqësisht, ne si shoqëri e kemi keqkuptuar konceptin e demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut, shtetit ligjor. Prandaj, kemi nevojë për informim, vetëdijësim për të drejtat e njeriut, me theks të veçantë për të drejtat e fëmijëve dhe për mënyrën më të mirë të shfrytëzimit të të drejtave. Ky promovim, kjo detyrë nuk mund të përmbushet vetëm nga askush. Në këtë proces të shenjtë duhet të përfshihen të gjithë: institucionet shtetërore, organizatat joqeveritare, Avokati i Popullit, shoqëria në përgjithësi.
Familja, rrethi shoqëror, shteti dhe shoqëria në përgjithësi u ka borgj fëmijëve gjërat më të mira. Ata nuk mund të presin nëse ne nuk u japim sot atë që ata kanë nevojë. Atyre nuk mund të u themi pritni nesër, se koha e tyre është sot.
Ne, të rriturit, të marrim pak nga ajo butësia e fëmijëve, dashuria dhe përkushtimi që ata kanë për secilin prej neve dhe ta kultivojmë këtë lule të pakrahasueshme me emrin e veçantë, FËMIJË.
Vjollca Aliu, Master në Administratë Publike dhe Diplomaci