Një libër dygjuhësh me 23 reportazhe nga Kosova
– Portreti i Kosovës, në këtë libër, del përtej slloganit politik të një diversiteti multietnik, por del si një portret plot jetë diverzive nga aspekti soc-kulturor. Kjo lloj-llojshmëri nuk zhvillohet dhe kultivohet në serat e mentaliteteve arkaike, por merr jetë në margjinat e jetës së një Kosove sa tragjike po aq ringjallëse.
Afrim Demiri
Është ndjenjë e veçantë kur lexon diçka me vonesë, krahasuar me kohën kur është botuar. Pse?! Sepse nuk është thënë rastësisht, se kurrë nuk dihet se sa jetëra i ka shkrimi i botuar (apo i pa botuar). Është në natyrën e shkrimit ta gjen lexuesin e vet edhe atëherë kur mendohet se ai është tretë bashkë me kohën. Kjo vlen më shumë kur kemi të bëjmë me shkrimin e reportazhit gazetaresk, i cili po mbetet si zhanri më integrues dhe më shprehës i gazetarisë në përgjithësi. Në natyrën e këtij zhanri është që ta ruan dhe kultivon fuqinë e shprehjes, të ndërlidhur me realitetet aktuale dhe historike të shikuara sa nga ballina e ngjarjeve, e sa nga sfondi i tyre. Këtë gjë pak a shumë e përjetojmë duke lexuar 23 reportazhe të autores Nerimane Kamberi- Haziri, të botuara ndër vite në “Le Currier des Balkans”, kurse tash të rikthyera tek ne, nëpërmjet një botimi të veçantë dygjuhësh, shqip dhe frëngjisht, “Hotel Grandi dhe reportazhe të tjera”. Para se gjithash duke e ditur formimin e saj kulturor, të gërshetuar në mes botës frankofane dhe asaj shqiptare, prej reportazhi në reportazh kalova duke u ndjerë si një turist në vendin tim, sepse penda e saj vrojtuese kishte sjellë aq shumë aspekte margjinale të jetës në Kosovë , sa shpesh të imponohej bindja se a kam jetuar gjatë këtyre ngjarjeve në Kosovë si dhe a po jetojë ende.
Të gjitha reportazhet e një kronike
Që nga reportazhi i parë “Në autostradën e pushimeve”, e deri tek ai i fundit “Vera e diasporës”, të krijohej përshtypje se je duke e lexuar një kronikë të plotë për Kosovën, të futur në një periskop vrojtues përtej të dukshmes, reales dhe të dyshimtës. Fati i njeriut të Kosovës shikohet duke i thyer stereotipet e ndarjeve etnike dhe religjioze, po ashtu duke e kapërcyer historinë bardh e zi, andaj përnjëherë portreti i Kosovës del përtej slloganit politik të një diversiteti multietnik, por del si një portret plot jetë diverzive nga aspekti soc-kultruor. Kjo lloj-llojshmëri nuk zhvillohet dhe kultivohet në serat e mentaliteteve arkaike, por merr jetë në margjinat e jetës së një Kosovë sa tragjike po aq ringjallëse. Në këto reportazhe ndjehet pulsi vrastar i dehumanizmit nga njëra anë por jehon edhe fjala humane, në anën tjetër.
Edhe pse reportazhet janë paketuar nëpër kapituj si Kujtesa , Besimi, Bashkësitë, Lufta e paqja, Art dhe kulturë, Sport dhe identitet, si dhe Diaspora, kjo gjë nuk hetohet gjatë leximit, dhe prej reportazhi në reportazh kalohet si nga një shfaqje në tjetrën, të cilat jepen gjatë një festivali. Madje kjo renditje e reportazheve ka bërë që të ngatërrohen vitet e ngjarjeve dhe shpesh kjo gjë ka shërbyer si një remineshencë e cila na kthen në kohët jo shumë të largëta.
Si një hark përmbyllës, i cili në esencë është edhe harku jetësor prej mërgimtareje e vet autores, përshkon gjithë librin, fati i njeriut tonë të mërguar. Atmosfera e shkuarje ardhjeve është dhënë në mënyrë shumë spontane me anë të batutave të hareshme, po që shpesh tregojnë athëtinë e një kohe. Fati i diasporas sonë është përshkruar nëpërmjet tranzicionit, i cili ka sjellë edhe shumë ndryshime në perceptimin e dyanshëm, në mes atyre atje dhe neve këtu në Kosovë . Por ajo që nuk ka ndryshuar është se “secili prej tyre ka ndërtuar kullën e vet të Babellit” dhe se “Kosova mbetet vendi i kthimit”. Dualizmi i ndjek personazhet reale te reportazheve, si fat i dyfishtë i jetës kudo, jo vetëm si realitet por shpesh edhe si përcaktim qoftë kulturor, identitar, ekonomik apo religjioz. Andaj brenda tyre e hasim edhe të robëruarin e djeshëm e të liruarin e sotëm , brenda një qenie e takojmë shqiptarin dhe kosovarin, katolikun dhe myslimanin, të jetuarit e varfër dhe pasanikun e papërmbajtur, si dhe brenda një shkolle e hasim dy botëra të ndara atë shqiptare dhe serbe. Këto fakte nuk jepen ngurtas, por me një stil të përballjes së detajeve me fatet globale, andaj kemi një gërshetim të faktit informativ me atë që quhet mizaskenë teatrore. Kjo ta fuqizon mendimin që reportazhi është ama e shkrimit gazetaresk, i cili i ndërlidhë të gjitha me vijën e hollë të asaj që quhet njerëzore duke kapërcyer qasjen që të shihen si të ndara historia , ekonomia, politika apo patologjitë e tjera shoqërore.
Muzeu I dhembjes
Duke lexuar një nga një reportazhet e heton se autorja sa të dërgon në zgafella të minatorëve të Trepçës sa ne stadiumin e qytetit ku nuk luhen ndeshje futbolli, por mijëra fustane nusesh valëviten në kujtim të grave të dhunuara. Një surealizëm që pikon dhembje plotëson imazhet e Kosovës së lënduar. Tamam si një cicerone që fillon të flas posa ke shkelë derën e një muzeu, ashtu të duket se po dëgjon fjalët e autores, e cila me delikatesë hap derën e Muzeut të dhembjes së nënës Ferdonije Çerkezit, të cilës ia kanë vrarë forcat serbe burrin dhe katër djemtë e saj. Prej fjalës në fjalë vijëzohet portreti i kësaj nëne plot dhembje, kthimi i shtëpisë në Muze, jepet me përshkrime deri në detaje. Ky Muze është akuzë e përhershme për vrasësit. Aty janë fustanet i nuseve dhe kostumet e djemve të saj të përjetësuara, në pritje të përhershme. Aty është djepi i cili është dashtë t’i përkundër foshnjat që nuk i priti Ferdonija, që ta bëjnë gjyshe.
Nga një muze i dhembjes në Gjakovë, autorja sjell pamje të Kosovës si një muze i hapur i një të kaluar të përgjakshme, por edhe një tashme plot tensione ku shpesh dhuna i ka parapri dhunës. Mirëpo në reportazhet e Nerimanes ato dalin në shesh si të dyzuara kur pikërisht në reportazhin për 8 marsin duhet flitet për gratë e dhunuara gjatë luftës si dhe për të zhdukurit. Viktimizimi si vazhdim i mentalitetit patriarkal del në pah edhe kur flitet për gratë e dhunuara mbi të cilat përveç fatkeqësisë ka ra edhe heshtja dhe shpesh anatemimi. Në reportazhin “8 Marsi me një shije të hidhur”, viti 2012, flet pikërisht një nga të dhunuarat, nga forcat serbe në luftë.
Në ikje nga dhuna shpesh krijohen disa realitete në skaje të shoqërisë, aty ku në fillim nuk dëgjohen e më pas marrin jehonë. Janë elemente të një subculture që sikur u bjen defave të shkyer, por që më vonë e shohim se jehona e tyre dëgjohet larg. Nga ky rrafsh kanë filluar të organizohen festivalet si ai “DokuFest”, apo “Anibar, por pastaj janë shndërruar në manifestime ndërkombëtare. Në reportazhet e Nerimanës cilido lexues qoftë i huaj apo vendas, indirekt bëhet pjesëmarrës i këtyre festivaleve .
“Një mbrëmje e ftohtë në brigjet e lumit Ibër”,viti 2013, është një reportazh, tjetër, brenda së cilit gjendet një mini-Ballkan. Aty flasin krijuesit shqiptarë Bekim Lumi, Xhevdet Bajraj, Luljeta Leshanaku, kroatja Mima Simiq, serbët Vladimir Arsenijeviq dhe Miki Manjolloviq, apo boshnjaku Bekim Serjanoviq,etj., të gjithë në kuadër të Festivalit Polip, të organizuar nga Jeton Neziri, pa i pyetur liderët politikë.
Dhe autorja na e sjell citatin e Manjolloviqit se “politika fillon aty ku mbaron loja e skenës”, sikur një parantezë të analizës se çfarë ka ngjarë në Ballkanin tonë.
Kafeteritë e Prishtinës, përballë Hotel Grandit
Një sharmë tjetër i librit vjen nëpërmjet të atmosferës së kafeterive në Prishtinë, qoftë kur përshkruhen ditët e rëndomta prishtinase apo edhe Dita e Pavarësisë së shtetit të ri me monumentin e NWBORN-it. Edhe pse librin e ka emërtuar “Hotel Grandi…”, autorja këtij hoteli të nostalgjisë komuniste ia venë përballë kafeteritë e reja, të cilat disa (Papillon dhe Hani I 2 Robertëve, Te Martini) kanë fillue punën para luftës dhe bartin një histori në vete, si dhe ato të rejat që shënojnë elemente të një subkulture si “Dit’ e nat’”, etj.. Kjo përballje nuk është e rastësishme dhe vetëm figurative. Ajo shënon përballjen e kohëve. Në Grand Hotel parakalojnë emrat si Tito, Rugova apo Arkan , kurse në kafeteritë prishtinase është zhvilluar kultura joformale dhe ka krijuar emrat e rinj qoftë të artit të pop muzikës etj. Prej “Kafeve të vogla” e deri të “Soma” ipet ritmi dhe dinamika e jetës së re në Kosovën e re. Prej parakalimeve të protestave e demostratave e deri tek organizimet e party-ve të natës, formohet mozaiku i lirisë urbane. Rrëfimet plot ankth nga Grand Hoteli mbesin vetëm si artefakte të padëshirueshme.
Ruajtja e trashëgimisë paraqitet si një sfidë e tranzicionit të egër. Ndryshimet në Prishtinë janë paraqitë më gjithë ankthet tjera shoqërore që nga eksodi i të rinjve, izolimi paperspektiva etj. Nerimane Kamberi-Haziri ka sjellë një letërnjoftim të diversitetit në Kosovë, shpesh duke e shikuar nga një kënd i zhvillimit të subkulturës, mbase pa e ditur se po e krijon një guidë të rrallë të panjohur deri më tash.
Shpesh gjatë leximit kam menduar, se si iu është dukur lexuesit francez, kur i ka lexuar një nga një gjatë botimeve këto reportazhe me aq shumë elemente dhe dinamikë dhe si do të duket tash kur ato janë paluar në një libër. Mua po më vjen mirë që ata kanë qenë lexues para meje të këtyre reportazheve.