A është një nga kompanitë offshore të regjistruara në Panama edhe ajo që në mes të vitit 2013 fitoi në Shqipëri, koncesionin e markimit të karburanteve?
Së paku këto dyshime lindin pas publikimit të dokumenteve të para të Panama Papers, ku përfshihen emra të njohur të politikës dhe financës globale.
Fjala është për GFI Albania, e cila nëpërmjet një kontrate 10-vjeçare që kushton 150 milionë euro, duhej të ngjyroste naftën në përputhje me qëllimin e përdorimit, me synim eliminimin e abuzimit me cilësinë e destinacionit dhe në fund shmangien e taksave, shkruan Lapsi.al.
Pikërisht me këtë objektiv asaj iu dha koncesioni në javët e fundit të qeverisë Berisha. Por pikërisht në këtë kohë rezulton që ajo të jetë regjistruar edhe në Panama pranë kabinetit Mossack Fonseca, nga i cili kanë rrjedhur plot 11 milionë emaile konfidenciale.
Sipas gazetarëve investigues, ky kabinet përdorej ose nga ata që regjistroheshin për të fshehur taksat në parajsat fiskale, ose nga politikanët e lartë apo fëmijët e tyre që donin të fshihnin përfitimet e paligjshme.
Një nga mediat që ka marrë pjesë në hulumtimin e këtij skandali është edhe gazeta izraelite Haaretz.
Në kuadër të investigimit të saj ajo ka zbuluar se aty është i përfshirë edhe avokati Assaf Halkin. “Ky i fundit ka një kompani tjetër jashtë vendit”, raporton Haaretz.
Ajo është GFI Technologies regjistruar në maj të vitit 2013 në Anguilla për të investuar në Shqipëri.
Në fakt, Halkin dhe një shqiptar tjetër i quajtur Ismail Mulleti janë pronarë të kompanisë.
Në Shqipëri ata njihen si kompania GFI që ka marrë përsipër markimin e karburanteve. Afërsinë e Ismail Mulletit me avokatin hebre e vërteton edhe një shikim i shpejtë që lapsi.al i bëri dokumentave të QKR-së në Tiranë. Aty vërehet që të dy njerëzit e përmendur në “Panama Papers” rezultojnë të kenë ngritur në Shqipëri edhe kompaninë IMAH me seli në qendrën e biznesit në rrugën Murat Toptani. Shoqëria e themeluar në shkurt të vitit 2014 ka për administratore Entela Shehaj. Aty Ismail Mulleti dhe Assaf Halkin jane me pjesë të barabarta nga 45%.
Po a ka lidhje kjo dyshe investitorësh me koncesionin problematik të markimit të karburanteve?
Është pikërisht ky koncesion që ka ngjallur shumë debate në vend. Që nga mënyra si u dha nga qeveria Berisha, që nga pikëpyetjet se kush fsheheshin pas tij e deri tek mardhëniet e dyshimta që ai krijoi me qeverinë e re që në fillim tha se do ta anulonte.